Ju ftojmë të lexoni një cikël poezish të zgjedhura të Aleksandër Shallvarit.
Ndodhi…
Ndodhi që një ditë
e falem njëri – tjetrin,
“u betuam” se nuk do ndodhte më,
thamë ishte një debulesë e çastit,
se ai /ajo ishin të parëndësishëm për ne…
e këtu:
“loja mbylli veten”
Por ishim gabuar keq…
Nuk t’a kërkova kurrë një puthje,
as ti nuk e pretendoje,
buzët çdo ditë shtyheshin,
si…
t’i takonin dikujt tjetër…
(atë puthje e pretendoja)
Më thoje se ishe akoma e vogël,
këto situata duan kohë,
ndjeje diçka të ftohtë në zemër, nuk dije çfarë doje,
e çfarë të mungonte…
Një ditë…
menduam se i kërkuam falje njëri tjetrit,
ndërsa në xhepat tanë akoma kishin mbetur,
thërrimet e asaj nate,
kur veç për njëri tjetrin
nuk ishim…
I burgosur
Ku t’a gjej mallin
kur e lashë gjurmëve duke të kërkuar ty,
dimrat hidhnin borën pas ikjes tënde
dhe fshihnin hapat
nga ecje ti…
Ku ta gjej shpirtin,
kur një herë t’a fala e ishe e lirë ta merrje të gjithë,
mbeta trup ftohtë si një i burgosur që rrezen e vetme e ndan në dysh …
Ku t’a gjej durimin që pikë pikë m’a thave çdo vit…
Ku të të gjej ty,
të paktën dritën e syve
të ma kthesh përgjysmë…
Viti…
Ti sje si unë
Ti shkon e vjen
Unë mbetem këtu
duke përcjellë ikje ardhjet
E veç të përshëndes,
pak mospërfilles,
Sepse unë mbetem këtu,
Sado shekujt të ndërrohen
Unë jam si ai bregu
Që shkon e vjen
Por që gjithnjë e ka kufirin tek vala e parë.
jam peshkatari plak
dhe kjo është rrjeta ime ku mbledh yjet,
Jam përcaktuesi i fatit tënd.
Unë jam historia e çdo gjëje që ndërton ti,
Jam dëshmia e së djeshmes
Jam kurioziteti i së ardhmes,
Ndaj si ti, ohu, me mijra kam parë e përcjellë
Ndaj unë nuk jam si ti.
Unë jam shpresa që lindi
Jam shpresa që nuk vdes
Jam njeriu…
… pastaj,
kush dreqin të tha të krijosh këtë rrëmujë,
këtu njerëzit janë të qetë,
të gjithë shikojnë punën e tyre, njihen me emër,
emër babe dhe mbiemër,
fiset janë si ato hithat
që mblidhen rreth mureve të vjetër
me një shishe birrë në dorë.
…por erdhe ti dhe përmbyse çdo gjë,
qetësinë nëpër shtëpi,
fjalët që nuk ishin bërë kurrë, sherrin dhe xhelozitë,
gratë që shikonin burrat me dyshim,
ndërsa rregullonin mjekrën dhe vinin gel…
sallonet e bukurisë dhe parukieret kishin aq punë,
sa as per festa nuk ndodhte kështu…
…per sherr erdhe ti,
nuk diskutohej më as për krizë, as për ndeshjet e të dielës,
për çmimet që rriteshin çdo ditë,
per ankesat e plakave
që bënte kaq ftohtë këtë dimër…
Të gjithë pyesnin se çfarë doje ti,
ne këtë qytet të vjetër,
ti kaq e bukur që prishe çdo rregull,
themeluar në shekuj…
… Burrat filluan të shkojnë në kishë,
t’i falej mëkati i pakryer, mjaftonte mendimi abstrakt,
që një natë
të gjendeshin në krevatin tënd…
Zjarr…
Ç’është ky zjarr që mban brenda?
as shuhet e as tretet,
tek shihesh në pasqyrën e vjetër,
Një lum dëshirash mbi kristal rrëshqasin,
si flakët e këtij zjarri
që as shuhet as tretet.
Ti nuk ke ditur kurrë të kuptosh,
se sa të tjerët të dëshironin,
fshihesh pas angoshjeve
që dridhen si tërmet
në mes të flakëve brenda gjoksit…
Flakë të mallkuara që përhapen gjithkund,
e trupi yt përftohet
nga ky zjarr inkandeshent.
Asgjë nuk kuptove sa herë të flisnin,
gojë që pertypeshin lakmisht,
gëlltisin brenda teje zjarrin e ndezur,
Zjarrin që s’u shua kurrë
Pa u ndjerë aspak
si vajza prometaiane
përballë,
kësaj pasqyre të vjetër,
që nga inati plas!!
Çfarë është ky zjarr i ndezur brenda teje,
që digjet pa u shuar,
Në këto ditë dimri kur jashtë bie borë?…
Fli e dashura ime…
Fli e qetë e brishta ime,
unë jam këtu,
pranë teje,
të të mbroj ëndërrat nga sirenat,
të tremb djajtë që të mblidhen rreth kokës.
Fli e qetë e dashura ime.
Çadrën e vetme e kam hapur për ty
e shiu le të më bëjë qull,
le të fryjnë fortunat mbi trupin tim,
sepse ti je e “vogël”,
e bukur,
je ëndërra vetë.
Fli e qetë e brishta ime!
Mes cicërimave të bilbilave,
mëngjesi duhet të lindë me diell,
s’ka gjë se gjithë natën jam zënë me grushta,
me të gjithë shantazhet që gjumin duan ta prishin…
Fli e bukura ime!
Dritaret i mbylla dhe perdet e rënda,
ti nuk duhet të dëgjosh se si njerëzimi zihet për hiq gjë,
shpatullave të mija fshikëllejnë kamzhikët
dhe veshët më buçasin nga llafazanët.
………….
Ti fli e qetë e ëmbëla ime!
Nata mund të vije me të papritura torturash,
me psherëtima nënash,
me perleshje demonesh per frone kukuvajkash
dhe me urinë pikturuar mureve kozmike
Une rri zgjuar te mbroj deshirat tua.
Ndaj fli e qetë,endërra ime!
Fli e qetë në një natë të bukur pasionesh,
edhe pse vdekja hormonale mbulon ndjenjën!
Ndoshta edhe mund të më godasin keq,
mund edhe për një çast të rrëzohem për dhe’
por ta dish;
unë për ty ringrihem prap.
Fli e qetë në një natë të mirë
e dashura ime e brishtë…
ObserverKult
Lexo edhe:
CIKËL POETIK NGA EMIN Z. EMINI: VESHUN ME FUSTAN DJELLI
CIKËL POETIK NGA AZIZ MUSTAFA: KREJT ÇKA DUHET ËSHTË DASHURIA