Fragment nga romani “Rrathë” i Martin Camajt

martin camaj
Martin Camaj

Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit më 21 korrik 1925. Ai mori edukatë klasike në Kolegjin Ksaverian të Shkodrës, të drejtuar nga etërit jezuitë. Mbas pak kohësh, për shkak të vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, Camaj do të arratiset nga vendi për në Jugosllavi, ku ia del të regjistrohet si student në Universitetin e Beogradit. Atje mësoi italianistikë, romanistikë, teori letërsie, gjuhë klasike dhe sllavistikë, një botë e re kjo për një intelektual si ai, të edukuar në Shkodër.

Largohet nga Jugosllavia në verën e vitit 1956. Shkon në Romë, ku studion sërish dhe doktorohet. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë balltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër. Atje nën kujdesin e Koliqit bëhet kryeredaktor i revistës “Shejzat” (1957-1975) dhe studion së afërmi botën arbëreshe.

Më 1961 transferohet në Mynih (Gjermani), ku specializohet përfundimisht në gjuhësinë shqipe, duke mos u shkëputur nga letërsia. Camaj u bë profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në Universitetin e Mynihut dhe mbeti atje gjithë jetën, deri sa vdiq, më 1992.

Ai ka lënë pas vetes shumë vepra, në mesin e të cilave edhe romanin “Rrathë”. Një fragment nga ky roman mund ta lexoni në vazhdim e që është shkëputur nga pjesa e tretë e romanit, në kohën kur Agonit i duhet të vendosë për shumë gjëra të lëna përgjysëm. Puna e re që mund të fillojë, fati i dashurisë ndaj Soses e të tjera si këto. Ai bie në kontakt me ritualin ilegal të “dervishëve”, i cili është sa marramendje aq dhe ftillim i ideve të tij.

martin camaj deshta

Fragment nga romani “Rrathë” i Martin Camajt

Nga Martin Camaj

Mbas lutjes së parë u kapën dora-dorë dhe silleshin me hapa të matun përreth ashtu sikur vëhen në varg për të hedhë valle vendëse. Silleshin varg tue u ba rreth ende i papërkryem dhe përsëritnin pajanda në ritëm një thanje, si emën apo fjali. Kryetari qëndronte në mjedis dhe drejtonte fjalë e lëvizje, tue u dhanë këtyne krah në një drejtim të caktuem, i tretun në ekstazë me sy të mbyllun.

“Tash mund ta çojmë zanin e të flasim pa pëshpëritë. – Mbeti e tha Baci. – Tash janë të përqendruem në vete e s’i ndëgjojnë ma tingujt e jashtëm. I vetmi që mund t’i mbajë veshët të hapun kah zanet e jashtme asht zëvendësi, Këshilltari. – Ndeji e u mejtue e vijoi: – Sa kryetarë shkuen e erdhën e ai, Këshilltari, mbeti aty ku asht, në të dytin vend, i ngulun si cung lisi. – Zëvendësi i truhej Hyjnisë si me një gjysmë goje, por megjithatë zani i tij mbizotnonte fjalët e lutjeve të përbashkëta. Fjala e tij hidhej si prej një bahje prej gojës së shthurun dhambësh një gurë i vetmuem në pusin e shterrun. – Shikoje mirë e mos harro tiparin kryeneç, menda e zgjuet që nuk ndërron, prore me një shprehje në fytyrë, i qetë, energjik e sygordhë! “

Zëvendësi i Drenashit, i ashtuquejtun Këshilltari, së fundi u vu edhe ai në valle si pa andie. Shtrini krahun e djathtë mbi shpatullat e valltarit për anë si flatër gjerze dhe dora e madhe e tij prej fshatarit mbulonte një pjesë të supit të shokut, të një fshatari vocrrak të thatë e fytyrëtjerrun. Kambët e thamta e të lakueme të tij lëviznin plogshtë në vallen vendëse: një hap para, një hap mbrapa e mandej shpejt e shpejt, dy para e një tjetër fare të shkurtë përsëri mbrapa.

Kështu në varg, dale e dalë dhe mbarë e mbarë zhdërvillohej rritshëm e me hov lëvizja vallëzore, jo pa sqimtari të natyrshme krenarie të përmbajtun hera-herë, dhe ngjit mbas plaste prapë papritmas egërsia e burrave fshatarë si bujena ndër arat e tyne.

Zëvendësi lutej fare vetëm me fjalë të veta në të folmen e Ripës së Poshtme: “Zot, po të lus, shqymbi anmiqtë tonë. Të lus, pra, shqymbi! Mos i le gja mangut, po qiti tashti fare me gjindje e mall e gja e fiki si fiket një qiri në ujë, e shnjerëzoji ma tepër se i ke shnjerëzue ata panukuj panukujsh! Dyndi këtij vendi e dlirë sish dhenë, e mbyti pa e lan një sish për farë, mbyti të gjithë në ujin e atij lumi për nën, po ashtu si mbyte vjetin e keq ushtrinë e karkalecave kur ata vërshuen dhenat tona, a more vesh? E mos u le vend nën këtë diell, ashtu deh! Mos u le vend!”

Së voni zu secili me u lutë në vete, ulë në gjunj të mëdhenj, disi pa rregull e me tinguj të pakuptueshëm pendestarësh të turpnuem për fajet e veta. Luteshin si për provë, sa për të përgatitë gjuhët për adhurime ma të vërshueshme. Shpërndahej nëpër qiellzanë të trenëve vajtimi i ngashrueshëm i njerëzve në mundime që s’donë me durue ma gjatë. Në këtë mënyrë lutej edhe Këshilltari me të dhanun të devoçëm si mos me i ditë kurrkund shteg vetit. Drenashi e ndërpreu ngutshëm këtë nynyrim ankues të paskaj, si me u pasë kujtue se një ankim i tillë nuk ishte për burra, dhe urdhnoi:

“Leni të rrjedhin prej gjuhëve tona fjalë të përflakëta, fjalë që me përshkue detin tej për tej e me ça gurin si me kepa çeliku! Çonje, bre, zanin deri në kupë të qiejve e të na e marrë vesh Ai që vran e kthjell në çdo skutë qiellore!”
Dhe si prej një goje ushtoi britma: “Hyjni, Hyjni!” Parreshtun: “Hyjni, Hyjni! Merr vesh! “Dhe u kapën prapë dora-dorë në valle, tashti ma të shpejtë, gjithnjë tue u çue e tue e ulë zanin si valë deti në tërbim.

Në mjedis Drenashi, si valltar i shtitëruem, sillej lehtas majë gishtavet të kambëvet dhe petku i bardhë lini përftonte një kumbonë. Prej kumbonës si lijtë që sillej vorbull rreth vetes iu duk të dy vëshguesvet në fundin e faltores se doli një plakëz, një grusht eshtna në veshjen femnore e të larmishme, vendëse. Plakëza me një tepsi bakri në dorë, e vetmja femën në atë rreth, kishte ndejë deri atëherë mb’anësh dhe po delte tash papritmas e ulej para kambëve të Fetarit në këcim, vetëm.

Ajo u ul përpara kambëvet të Drenashit dhe i ra bakrit me unazë argjendi që mbante në gishtin e mesëm të dorës. Ai tingull ua preu zanin në gojë. Mandej ajo vuni tepsinë pingul në truell dhe nisi ta sjellë në vend, rrotull, tue e drejtue me kumtin e vet zanet e lutjeve që kishin fillue përsëri fashitshëm. Kumti i thellë i bakrit të lëvizun prej dorës e llanës së krahut të plakës mori t’i mbledhë të gjitha zanet një nga një si gjasende të shpërndame nëpër truell. U prini të gjitha zaneve të zbutuna dhe u përnjësue me to dhe u ba një tingull i zbutun, si me qenë tue dalë ai za prej gjiut të dheut.

Delte prej gjiut të dheut, kapej me mund harqeve të faltores deri aty ku këputeshin vizat dhe zhdukej kushdi se kah. Folkloristi tha me vete se vetëm kjo lutje depërtoi mure e troje, njena mbi tjetrën dhe arriti në veshët e qiejve të naltë. Secili, i qetuem, ngjante se lumnonte në gjamimin e unjishëm të zanit të vet të kapun dora-dorë në valle me zanet e tjerëve dhe të lëkundjeve ringlluese të metalit që ndërprehej në ritme prej copës argjandi në gishtin e plakëzës.

Fytyrat e besimtarëve galdonin të shndërruese nën fuqinë e transit dhe pesha e korpit shkëputej prej trollit dhe landa njerëzore e bartun prej ritmeve merrte turr për t’u librue në fluturim me vallen e shpejtueme.
Pak a shumë secili gjindej mbrenda një sfere të rrumbullakët, secili vetë gogël që vinte rreth dy rrotullave të ndezuna, rreth Fetarit në këcim e hanës së plotë, metalit zjarmor në dorën e plakëzës. Ndjenja me qenë yll në vartësi të diellit e të hanës në rrotullim të paskaj, thonë rregullat e besimit, asht për secilin shpërblim i të besuemit.

Ashtu si përherë edhe në këtë rast flijimi, lutësit panë befas se rrethi i ndezun në mjedis nisi të lëshojë rreze gjaku. Tërbimi i tran-sit mori flakë në çdonjenin sish.
Drenashi kishte hjedhë petkun e bardhë një copë përdhe e qëndronte xhveshë në brez e përpjetë. Prej shokësh së ngjeshun krahëqafë, mbushë me gjilpana, thikëza gjithnduersh, hoqi Këshilltari një gjilpnyer e ia dha Fetarit. Mandej i dha njenën mbas tjetrës, gjilpana, thikëza e heshta dhe këto të gjitha Drenashi njenën mbas tjetrës, fluturimthi, pa u kujtue vëzhguesit i ngulte në parzëm e ndër krahë, kudo mbërrinte në mishin e vet.


Gjaku maparë i rinoi nëpër parzëm e krahë vizla-vizla e mandej rrëke dhe megiithatë ai nuk ndiente kurrfarë dhimbje. Plakëza, e ashtuquejtun Emtja, pa e ndalë sjelljen e rrotullës së bakrit hodhi me shkathtësi faculetën që e mbante në brez ndër duert e shtrime të Drenashit kah dera e mbyllun. Faculeta mbeti e varun ndër duert e flijuesit si të ishte një gjasend që i truhej Hyjnisë. Edhe vëzhguesit e rrokun prej euforisë së përgjithshme panë në flakrimin e faculetës së kuqe diçka të gjallë, një shpend që po i pritej fli shejtnorëve.

Edhe një risim – vërejti Folkloristi – edhe një risim!” Dhe përpiqej me gjetë çfarë shmënjie paskej premja e gjelit dhe vetëm kur pëlhura ra përdhe u kujtue se s’ishte gja e gjallë. Pra, asnjeni s’u kujtue se Emtja ia kish hjedhë Drenashit pa farë rezhie ceremoniale faculetën që ai të fshijë gjakun, as atëherë kur plakëza e çoi dhe e vuni në brez pa ndërpre sjelljen e rrotullës së bakrit të shkëlqyeshëm.

Flijimi kishte mbërritë kulmin: çdo gja rrotullohej ndër sytë e të dy vazhguesve. Edhe Drenashi ishte vu në varg me tjerë. Shpatëza e heshta, gjilpana gjithnduersh, tundeshin në kurmin e tij në rrotullim me tjerë si me qenë degë e rremba të thatë në lisin e rrahun prej erës. Besimtarët përkitnin si të verbët në sonambul majet e gishtave i me dashë të marrin ndjesë e bekim prej tyne. Mandej herë në rresht, herë palë e palë vallja – balladër e lëshueme prej së nalti – mori vrap edhe ma të tërbuem e bashkë me të gjimimi fjalësh mes tingëllimit të shigjetave në mishin e njeriut dhe ehut të bakrit në rrotullim.

Fytyra e Drenashit dridhej prej dhimbjes e gjujtë i lakoheshin nën peshën e korpit të therun, kurse besimtarët – vorbull murrlani – fluturonin në vargun e valles tue përpjekë njeni mbas tjetrit dora-dorë vetëm rrëshqitazi gishtat e kambëvet të zdathuna nëpër truell.

Atje vonë gjymtyrët e Drenashit u lakuen e u përkulën fare kështu që gjysma e kurmit ra zvarë për tokë. Këtë e vërente edhe Këshilltari në kambë mb’anësh si të mos i përkiste rigatës së valltarëve, si tue e matë rrugën e flijimit.
Njeriu i flijuem prej njerëzvet të vet qindronte, por kur heshta e shigjeta në parzëm, krahësh e brijësh ndeshën për rrasat e shtrojes dhe i lënurën thellë mishin, Drenashi lëshoi një britmë dhimbje e i ra të letit.
Vigma e dhimbjes i zgjoi befas burrat në vrap vallëzor: një herë i shtangoi në vend, mandej i zgjoi prej kllapisë së randë. Kur erdhën në vete të gjithë, prishën vargun e valles e shkuen e zunë vend në gjuj të mëdhaj anash.

Kishin kalue vetëm dy orë prej fillimit të sjelljes fetare, por secili këqyrte me shtangim shokun si të mos ishin pa tash shumë mote. Këqyrnin njeni-tjetrin hulumtueshëm për t’i diktue në fytyrë sa rrudha qenkan mbresë në të mbas të gjithë asaj kohe. Mandej sytë u shkuen në mjedis të faltores. Mbi rrasat e gurit vërenin në heshtje një rreth gjaku të përkryem, rrethin e valles së vet. Kujtoheshin se ata vetë e kishin ngrehë rrëshqanë Drenashin e shigjetuem, shokun e vëllanë e vet.

Dy besimtarë kapërcyen rrethin tue u ruejtë që të mos shkelnin hullinë e gjakut dhe u përkulën përmbi flinë: prej parzmit e krahëve të Drenashit nxirrnin hekurinat, hej të ngrimë në gjak në ngjyrë ndryshku. Duert e tyne lëviznin shkathshëm mbi korpin e flisë deri sa i hoqën të gjitha: Fetari pa thercat e ndëshkimit doli si i xhveshun, lakuriq në shesh.

Në sytë e të shumëve shiheshin lot jo aq të dhimbësunisë ndaj kryetarit të vet të flijuem kushdi për të satën herë, por ma tepër nga vetëdija se hapja e derës e dalja në dritë ngjaste tepër, kushedi, edhe shekuj të tjerë, varg njeni mbas tjetrit, si ata në vallen e gjakut.

Atyne që e libruen Fetarin heshetash e gjilpanash u dha shej Këshilltari që ta praponin andej dhe këta ashtu banë. Nësa e çonin lehtas para duersh, Drenashi hapi mundshëm sytë e pau se si e ulnin ngadalë në skajin e hapësinës së nëndheshme mbi shtrojen e pregatitun mapare me gjeth të njomë lari të stërpikun me uthull. Në përpjekje me atë lagshtinë djegëse i ra Drenashi përsëri të letit. Plakëza e vogël mori t’i lajë e t’i mjekojë varrët e çeluna të korpit pa shqisa, të shtrimë shakull, si me qenë tue e pregatitë për vorrim.

Besimtarët u ndanë në heshtje. U zhdukën ashtu si kishin ardhë në të gjitha drejtimet tue i hapë vetes shteg nëpër shkallë guri e kthina të thella për nën tokë, kush me dritë kandili tue e mbajtë si tinëz nën palën e petkut në dorë, kush pa të si, për shembull ma të vjetrit që gjatë moteve i kishin mësue shtigjet e përmbrendshme. Këta matnin me hapa të sigurtë, pa dritë pa pishë, në pikën e territ gjatësinë e kthinave tue prekë symbyllas gunga e kthesa, po ashtu si sivëllaznit e parë të cilët kishin ndërtue me dorë të vet skaje e gjije. Nga kjo rrethanë kishte mbetë në fjalë thanja me vështrim të zgjatuem e cila përdorej posaçe në kohnat e krizave dhe të përndjekjeve prej anëtarëve të besimit: pleqtë e dinë rrugën symbylltas në terr e në dritë.

Për t’i shpëtue syve të besimtarëve gjithnjë në përvlim të ekstazës, të dy vëzhguesit u ndanë në drejtime të ndryshme, mjerisht pa i pasë lanë njeni-tjetrit një pikë takimi. Humbën edhe ata në terrin e nëndheshëm e dolën jashtë në drejtim të kundërt, kështu që nuk do të ndeshin kurrë ma.

Edhe sot e kësaj dite, mbas shumë motesh, i shtihet në andërr Novelistit labirinti i mbushun me murgj dhe në atë tollovi kërkon përethshëm. Folkloristin: e gjen e s’e gjen, si në andërr ma! I flet e s’i përgjigjet dhe me shpejtësi vetime i del gjumi e gjithçka zhduket si vesa përpara diellit. Për t’u shlirue prej ankthit që i kthen kohë mbas kohe në gjumë, Agoni ka kërkue disa herë hymjet në çerdhen e besimit të fshehtë, për t’i thanë vetes: ja, tek asht labirinti i përmbrendshëm!

Hyn, shihe e mos andërro ma! Por deri në sot Novelisti s’i ka ra askund për fije të zbulojë derën prej gurit të latuem. Mbas këso përpjekjesh pa rrugëdalje, kundron edhe një herë ledhet e vjetra të Ripës së Poshtme dhe i duket sikur gjithçka, njerëz, tempull e flijim, paskan qenë vërtet andërr. Mund të jetë, rëmon në vete ai, se mbas zhdukjes së kryetarit të tyne kanë rrënue shtëpitë përsipër e faltoren e kanë sigurue nga jashtë tue i murue dyert, në pritje që t’iu vijë dita.

MARTIN CAMAJ:

Martin Camaj e botoi romanin “Rrathë” në vitin 1978 si botim të vetin. Ai punoi rreth pesëmbëdhjetë vjet me këtë tekst, që e konsideronte si veprën e tij kryesore e ku do të përcillte në mënyrë letrare djalërinë e përjetuar në Shqipëri, si dhe ngjarjet revolucionare dhe ndryshimet shoqërore në kohën e komunizmit.

Ky roman paraqet veprën e parë të madhe në prozën e Martin Camajt, i cili atëherë ishte bërë i njohur si lirik. Edhe pse më vonë u botuan prej tij vepra të tjera në prozë, romani “Rrathë” është vepra e tij më e vëllimshme në këtë zhanër letrar. Vëmendje të veçantë ai i ka kushtuar këtu sidomos organizmit gjuhësor, duke pasur si qëllim të vet që me këtë roman të tregojë potencialin e shqipes si gjuhë letrare moderne.

Këtu bënin pjesë, sipas tij, krahas shfrytëzimit në mënyrë kreative të mundësive të fjalëformimit në gjuhën shqipe, edhe pasurimi i saj me material gjuhësor dialektikor, përkatësisht duke marrë parasysh përdorimin e fjalëve dhe të stilit të autorëve të mëhershëm, kryesisht të atyre gegë. Martin Camaj dëshironte që me gjuhën e tij të ofronte një zgjidhje alternative ndaj gjuhës letrare të njësuar, të cilën e përjtonte si një krosë të ngurtë, edhe pse në ortografi dhe gramatikë ai u rrek t’i afrohej disi gjuhës së shkruar zyrtare.

Romani ngërthen tri pjesë, në nëntitujt e të cilave rimerret vetë titulli i romanit “Rrathë”: Rrathë uji, Rrathë zjarri, Rrathë gjaku. Tri pjesët ndërlidhen me njëra – tjetrën nëpërmjet disa figurave kryesore: Baci, i ashtuquajturi Folkloristi dhe sidomos Agonti, i ashtuquajturi Novelisti. Personazhet e romanit përmenden përgjithësisht si me emrat përkatës ashtu edhe me emërtimet tipike të funksionit që kryejnë.

Romanit i paraprin një listë me personazhet kryesore bashkë me emërtimet përkatëse, sikurse ndodh rëndom në një pjesë teatrale. Rrezja e veprimit të romanit rrok Bardhin, Përgjegjësin, kryetarin e Partisë, bie mbi Shkrimtarin punëtor, Markocin dhe predikues Drenashin, Fetarin, duke përfshirë edhe Cubin, Ilegalin e Zogën, Virgjnen, të cilët mishërojnë mënyra moderne dhe tradicionale të jetesës. Në mënyrë të gërshetuar përshkruhen këtu pamje të ndryshme të jetës në një vend malor nën pushtetin partiak që quhet Dheu i Arbnit.

Emri Dheu i Arbnit përbën një aludim historizues ndaj Shqipërisë. Agoni, si pjesëtar i një brezi të ri, është agronom me profesion, por ushtron ndërkohë punën e gazetarit dhe të shkrimtarit. Ai dërgohet nga Partia në fshatin Ripë e Mesme për të raportuar mbi mbërritjen e traktorëve të rinj, si dhe për të marrë informacione mbi një kundërshtar të sistemit të shfaqur gjoja rishtas në male dhe që e thërrasin me emrin Ilegali. Ripa e Mesme, sëbashku me Ripën e Poshtme dhe Ripën e Epër, përbëjne gjithë zonën në të cilën zhvillohen ngjarjet e romanit.

Në përshkrimet e shtegtimeve të shumta që të çojnë gjithnjë ne male përftohet si në paletën e ngjarjeve të ndodhura pamja e një krahine malore të egër, në përditshmërinë e ashpër të së cilës pleksen ëndrrat me fantazitë.

E përgatiti: A. S./ ObserverKult


Lexo edhe:

MARTIN CAMAJ: IKJA PREJ VETES