Poezi nga Frederik Rreshpja
Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç’hënë barisnje vallë?
Ku ishe ti kur vizatova profilin tënd
Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?
Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde
Pastaj erdhi prapë nata
dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.
Zbrita tek kroi
duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit
Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave.
Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës
Si një sovran që abdikon.
Ani, mua më zuri ky mallkim.
Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?
A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë?
Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet?
Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?
Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët!
ObserverKult
Lexo edhe:
FREDERIK RRESHPJA: VJOLLCË E VOGËL, O SHPIRT!
Çeli vjollcë e vogël mbi gurishte
Si një ylber mbi planete të panjohur.
Kështu kam ëndërruar edhe unë dikur
Të bëhem ylber mbi akuafortën e kohës vizatuar egër,
Por tërë ato që thashë
U tretën në kujtesën e palexueshme të ajrit.
Më me fat janë perënditë
Që kthehen te toka të skalitur.
Ti s’ke për t’u skalitur kurrë,
E veç ndoshta në kujtesën e palexueshme të ajrit.
Ky qe fati yt prej ylberi
Me një kryq shiu te koka
Por fati sundon tërë popujt e zotave
Të shumtë si rëra,
Vjollcë e vogël, o shpirt!
ObserverKult
PSE POETI FREDERIK RRESHPJA KËRKONTE QË NË VEND T’ARKIVOLIT TA FUTNIN NË NJË KUTI…