“Gërsheti i prerë”, roman që të mbërthen e që lexohet me një frymë!

Gjatë këtij muaji filloja me një libër e pastaj e lija në gjysmë për ta filluar një tjetër e një tjetër, derisa më ra në dorë romani “Gërsheti i prerë” i autores Majlinda Bregasi, nga i cili më pastaj më ndanin vetëm gjërat e domosdoshme. Gërsheti i prerë i Bregasit më doli gërshet ndryshe, doli të jetë gërshet i gjakosur që përcillet gjeneratë pas gjenerate si mallkim që patjetër duhet bartur nga gratë, mbi të gjitha nga gratë shqiptare kudo që janë.

ardit mehmetaj gërsheti i prerë

Nga Ardit Mehmetaj

Romani i Majlinda Bregasit përbëhet nga një trinitet grash: gjyshja – nëna – vajza. Gjyshja quhet Rina, e cila ka kaluar rininë si armike e popullit në Shqipërinë e tmerrshme komuniste. Vera është vajza e saj e cila kalon një jetë në tranzicion nga Shqipëria komuniste si fëmijë në Italinë demokratike më pas, por gjithnjë duke i vuajtur pasojat postkomuniste dhe duke e trashëguar mëkatin e pabërë të nënës së saj si armike e popullit. Kurse, Ema, e cila është mbesa e Rinës e vajza e Verës, është vajzë e cila i vuan pasojat postkomuniste të nënës së saj.   

Në roman dominon bota e grave pasi kemi Verën e cila është protagoniste dhe rrëfyese e ngjarjeve, por gjithashtu si personazhe kryesore janë edhe nëna dhe vajza e saj. Kurse burrat janë të pakët si personazhe në roman, edhe kur shfaqet burri si personazh është personazh pasiv, por edhe kur rrallë bëhet personazh aktiv më shumë del si personazh që shërben për ndërtimin e personazhit grua – personalitetit, psikikës dhe botës së saj. Bazuar në këtë argument dhe në tjetrin se të tri gratë përsekutohen nga shoqëria dhe ngacmohen seksualisht nga gjinia e kundërt atëherë dalim në përfundim se romani ka premisa të qarta feministe. Rina ngacmohet seksualisht në kampet komuniste nga shoferi që i bartë deri tek puna, Vera shfrytëzohet seksualisht nga Gianni, kurse Rina ngacmohet seksualisht nga drejtori i saj në punë. Kështu romani ndahet në dy botëra, ajo e grave e cila trajtohet më shumë dhe jepet si botë ku gruaja lufton kundër abuzimeve që i bëhen nga burrat, si dhe bota e dytë është ajo e burrave e cila luan rol abuzues ndaj botës së parë – grave.

Vera në roman përfaqëson më shumë se veten. Ajo përfaqëson gruan shqiptare, por gjithashtu edhe tërë gjininë femërore. Angazhimi i Verës, ashtu siç është edhe i të gjitha grave, është angazhim i dyfishtë: në njërën anë angazhohet për veten e saj, familjen e karrierën, kurse në anën tjetër është angazhim për të drejtat e gruas që është angazhim për të qenë e barabartë në shoqëri.

Tri gjeneratat e grave kanë një fat të mallkuar që i përcjellë përherë e shkaktari kryesor del të jetë komunizmi, i cili edhe pse bie si sistem, ai vazhdon të ketë pasoja edhe tek ata të cilët nuk e kanë ndjerë asnjëherë direkt në lëkurën e tyre pushtetin famëkeq, madje as nuk kanë qenë kurrë në Shqipëri siç është puna e Emës. Krejt kjo ndodh pasi që një nënë e traumatizuar patjetër që do ta traumatizojë edhe fëmijën e saj. Një grua e traumatizuar patjetër që do të ketë probleme martesore dhe problemi brenda martesës patjetër që ndikon tek fëmija.
Në roman, i cili është roman me tipare të shumta psikologjike, personazhet fajësojnë njëra – tjetrën për gjendjen në të cilën ndodhen, e ëma e fajëson të bijën, kurse e bija e fajëson të ëmën dhe çuditërisht të dyja kanë të drejtë në akuzat që i bëjnë. Por, faktikisht duke i marrur për bazë shkaqet dhe mënyrën e krijimit të personalitetit të tyre të dyja janë të pafajshme pasi ato vuajnë nga një sistem i mëhershëm që u mundua ta krijojë një shoqëri si vetë sistemi e më pastaj secili fëmijë që vinte në atë shoqëri u bënte mesatarja e asaj shoqërie me tipare pasi vetë njeriu është produkt i shoqërisë. Ema nuk është fajtore pse është e tillë pasi ajo bartë pasojat e nënës së saj dhe të mungesës së babait.
Vera nuk është fajtore pse është e tillë pasi ajo qysh si fëmijë pa i bërë pesë vjet i është dashur të marrë rrugën e migracionit drejt Italisë. Pra, ajo përveç se i ka të bartura traumat nga prindërit, i ka përjetuar vështirësitë dhe frikën e madhe mu në kohën kur formohet personaliteti i njeriut: në fëmijërinë e hershme. Ndërsa, as Rina nuk është fajtore pse është e atillë sepse atë të atillë e bën sistemi: i vë fajin e armikes së popullit pa bërë asnjë të keqe si dhe e internon atë në një fshat të thellë pa fajin e saj.

Romani në rrafshin strukturor dhe stilistik është i realizuar mjaft mirë duke bartur përshkrime të detajuara si të ambientit e situatave, ashtu edhe të psikologjisë së personazheve. Pra, i shkruar me një stil dostojevskian, por me një tipar që nuk e shfaqte aq shumë Dostojevski: feminizmin. Autorja e romanit, Majlinda Bregasi në roman shfaq dellin e saj feminist, por i cili është gjithmonë në të drejtë dhe duke prekur gjithmonë situata abuzuese ndaj gruas që fatkeqësisht sot janë bërë pothuajse fenomen në shoqëri.

Autorja Bregasi në roman kohë pas kohe i vë në dyshim edhe disa të vërteta të pakontestueshme të shoqërisë, siç është relacioni Nënë – Bijë, ku me këtë dyshim edhe e fillon romanin “Mamaja më kishte gënjyer se nëna fëmijën e do gjithmonë e në çfarëdo rrethane. Nëse kjo do ishte një e vërtetë nëne, nga ato të padiskutueshmet, unë nuk dija si ta shpjegoja mungesën e dashurisë që ndieja ndonjëherë për time bijë. Ndoshta ngaqë dhimbja që ajo ma shkaktonte ishte bërë aq e shpeshtë, saqë ndonjëherë guxoja ta mendoja jetën time pa të”, kjo ndodh pasi është e vështirë të jesh edhe grua edhe burrë njëkohësisht dhe gjithashtu është e paimagjinueshme që vajza e cila është produkt nga ajo të dalë kundër saj. Gruaja e ndarë nga burri duhet të jetë edhe nënë edhe baba për fëmijën e saj, por kjo gjithsesi bëhet shkak që të mos jetë as nënë e as baba plotësisht dhe pasojat direkt i vuan vajza.

Kështu, nënë e bijë janë edhe viktima të ndjenjës së vetmisë, si dhe të ndjenjës së pamjaftueshmërisë. Ato pranojnë të jetojnë pa njëra – tjetrën, por s’mund të jetojnë asnjë minutë pa njëra – tjetrën dhe këtu është çelësi i romanit që lidhja Nënë – Bijë pavarësisht gjithçkaje është raport që nuk thyhet e mposhtet.

ObserverKult

Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT: MAJLINDA BREGASI