Pyetësori i Prustit: Majlinda Bregasi

majlinda bregasi

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtarja dhe studiuesja Majlinda Bregasi.

Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia nuk mund të jetë as e cunguar, as e përkryer, ajo ose është, ose nuk është. Vetëm dashuria e ka aftësinë të sjellë lumturi. E meqenëse lumturia është si fluturat jetëshkurtra, po të dija të pikturoja, ajo do të ish një kuadër me ato flutura që kanë mbetur në kujtesë.

Cila është frika juaj më e madhe?
Frika nga linçimi publik. Aq lehtësisht e bëmë jetën publike, saqë më frikëson ideja se një ditë mund të na kthehet kokës.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Ata që nuk heqin dorë nga ëndrrat.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Zef Pllumi

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Egoizmi.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Lehtësia.

Në cilat gjëra e teproni?
Në mirënjohje.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Dashuria.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Rruga për në shtëpi.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Asgjë s’bëra sot.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Kohën që iu kam kushtuar ca njerëzve.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Djemtë e mi. Jam e vetëdijshme se për ta jam në gjendje të shkel edhe mbi veten.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Ekuilibër.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Do doja të kuptoja më pak.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe.
Miqtë.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Jetën  e prindërve të mi.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Pemë ulliri në jugun e Shqipërisë.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Pasioni.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Mungesën e pasionit.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Kudo.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Nuk paragjykoj.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Trurin.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Trurin.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Wilde dhe Orwell.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Prindërit.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të këndoja.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Duke ëndërruar.

Cila është motoja juaj?
Sipas vendit edhe kuvendi./Gazeta Observer