Giacomo Leopardi: Oh sikur të mundja…

Bukuri e shtrenjtë që më shtie dashuri,
edhe kur je larg apo kur fytyrën ma fsheh,
Madje dhe në gjumë kur zemrën si
hija e një Hyjnie ma përpëlit,
apo nëpër fusha ku shndrit
dritë e ditës dhe e natyrës buzëqeshje;
Ndoshta ti bekimin i jep
të pafajshmit shekull të artë,
apo njerëzve u fluturon e qetë
mes syve të shpirtrave? Apo mos vallë fati i mjerë
prej nesh të fsheh, për të të ruajtur brezave të tjerë?

Të të kundroj të gjallë
tashmë shpresa më mbetet ëndrrimtare;
Se sikur jo, aherë edhe i zhveshur e i vetëm
nëpër çdo lyth të ri apo dhomë shtegtare
do mbërrijë shpirti im. Se në çdo çelje
të ditës sime të ngrysur e të paqetë,
unë veç për ty mendoja, prijëse e lumturisë
në k’të truall të ftohtë. Po jo, s’ka asnjë që të ngjan;
Edhe nëse do të shquaja ndonjë në k’të jetë,
me po atë fytyrë, ato gjeste, atë të folur,
do ishte, edhe pse e ngjashme, shumë më pak e bukur.

Mes gjithë kësaj dhimbjeje
që jetës njerëzore fati i ka damkuar,
nëse dikush në k’të jetë do të dashuronte
kaq të bukur sa fantazia ime të pikturoj,
jeta do i ish vërtet aq e bekuar:
Po unë ende e shoh veten të shtegtoj po njësoj
pas asaj lavdie e vyrtyti që djalërinë
dashuria për ty ma ëmbëlsoi. Po tash prej qiellit
s’u vjen gulçimeve tona asnjë ngushëllim;
Kur me ty jeta mortore do që të qe
si ajo e hyjnive, qiellore.

E luginave, ku jehon ai kumbim
I këngës së zvargur të bujkut,
Unë shtrohem e nis e ofshaj
braktisjen e djalosharit tim zhgënjim;
E sukave, ku kujtoj e qaj
dashuritë e humbura, e të humburat
shpresa të ditëve të mia; unë për ty duke menduar
zgjohem me të dridhura. Oh sikur të mundja
në k’të shekull të zymtë e në k’të ajër të njelmuar,
kujtimin të ta ruaja, që veç me imazhin që krijoi,
edhe pse praninë s’ia njoha, aq shumë më shpagoi.

Nëse njëra prej ideve hyjnore
ti je, së cilës format e ndjeshme njerëzore
i Përjetshmi shpërfilli për t’ia dhënë,
që ngashërimet e trupave pa pavdekësi,
të të përzishmes jetë t’mos i ishin shtënë;
Nëse në një tjetër tokë ti jeton
mes botëve pafund të lartësive sipërore,
E nëse një yll i afërt, m’i  bukur se Dielli
të fal dritë, e një ajër më të bekuar frymon,
Prej kësaj toke që të shkurtër e ogurzi ka çdo vit,
Këtë himn të një dashnori të panjohurë, ti mirëprit.

Përktheu: Dritan Thomollari

*Titulli i origjinalit: Së dashurës sime