Giacomo Leopardi: Vallë a t’kujtohet ajo stinë e jetueme…

ai...

Silvje, vallë a t’kujtohet
ajo stinë e jetueme te ku dhe
kur ndritshin bukurie
sytë e qeshun qi shmangeshin me droje,
kur ti hareshëm dhe mendueshëm kambën
vejshe mbi prak vashnie?

Tingëllojshin te qetat
dhoma me shtigjet rrotull
prej kangës sate prore,
kur ti, zelltare, te rangjet femnore
uleshe e nëpër mend
T’ardhmen e vagullt e kënaqun silleshe.
ishte maji i erandshëm
ashtu ti ditën zakonisht përcillshe.

Un studimin e kandshëm
sa herë tue lanë dhe letrat e vështira,
ku m’ikte ma e mira
pjesë e vetes me pranverën rinore,
un prej balkonit të shtëpisë atnore
zanin e tingullshëm tandin veshtrojsha
dhe dorën e zhdërvjelltë
qi jo pa mund rëshqitte n’avlimend.
Kqyrsha qiellin e kthielltë,
Rrugat prarua, kopshtijet,

Malin këndej e detin larg mbatanë.
Gjuhë mortare çka at’herë
Ndiejsha s’mundet me thanë.

Oh, sa t’ambla mendime
Dhe çfarë shpresh e zemrash, Silvja ime!
Qysh t’u dukshin at’herë
Jeta njerëzore e fati!
Sa herë mendoj at’kohë,
nji përmallim më therë
i thartë e pa ngush’llim,
dhe zgjohet dhimba prap e kobit tim.
O natyrë, o natyrë
Pse ma vonë nuk shpërblen
çka premtove dikur? Dhe pse kaq ashpër
pjellën tande gënjen?

Përktheu: Arshi Pipa

ObserverKult

————————–

Lexo edhe:

Giacomo Leopardi: S’e kam ndjerë kurrë më fort jetën sesa duke dashuruar