Gibran: Mos qëndro me gjysmë të dashuruar, as me gjysma miq… mos jeto gjysmë jete!

Mos qëndro me gjysmë të dashuruar, as me gjysma miq, mos lexo nga gjysmë të talentuarit, mos jeto gjysmë jete, mos vdis gjysmë vdekje, mos prano gjysmë zgjidhje, mos qëndro në gjysmën e të vërtetës, mos ëndërro gjysmë ëndrre dhe mos shpreso gjysmë shprese …

Nga Khalil Gibran

Nëse zgjedh heshtjen, atëherë hesht gjer në fund, nëse zgjedh të flasësh, fol gjer në fund. Mos hesht që të flasësh dhe mos fol që të heshtësh. Nëse je i kënaqur shprehe, mos u shtir gjysmë i kënaqur, shprehe refuzimin tënd … sepse gjysmë refuzimi është pranim.
Gjysma është jetë e pajetuar, është fjalë e pathënë, është buzëqeshje e vonuar, është dashuri e paarritur, është miqësi e panjohur, gjysma i shndërron njerëzit më të afërt në të huaj…
Gjysma është të mbërrish dhe mos mbërrish, të punosh dhe mos të punosh, të prezantosh dhe të mungosh.
Ti je gjysmë vetëm kur nuk e di kush je, dhe personi që dashuron nuk është gjysma jote, por je ti në një vend tjetër, në të njëjtën kohë!!
Gjysmë gllënjke nuk ta shuan etjen, gjysmë vakti nuk ta heq urinë, gjysmë rruge nuk të çon asgjëkundi dhe gjysmë ideje nuk prodhon asnjë rezultat.
Gjysma është çasti i pafuqisë tënde, ndërkohë që ti nuk je i pafuqishëm, sepse ti nuk je gjysmë njeri, ti je njeri, je këtu për të jetuar jetën, jo gjysmën e jetës!

Përktheu: Elmaz Fida

ObserverKult


Lexo edhe:

KHALIL GIBRAN: A MË THUA, PSE VALLË, IA KE FRIKËN DASHURISË?

Pse ia ke frikën asaj, moj e vogla ime?
A ke frikë nga rrezet e diellit?
A ia ke frikën ardhjes së pranverës?
A më thua, pse vallë, ia ke frikën dashurisë?
E di që pak dashuri nuk të kënaq.
Siç e di se pak dashuri nuk më kënaq.
Unë dhe ti nuk do të kënaqemi kurrë me pak.
Ne duam shumë,
ne duam gjithçka.
Duam të plotën, të përsosurën.
Prandaj, mos ia ki frikën dashurisë, o mikja e zemrës sime!
Detyra jonë është t’i nënshtrohemi asaj,
pavarësisht nostalgjisë dhe dhimbjes në të.

Poezinë e plotë e gjeni KETU

ObserverKult

Lexo edhe:

GIBRAN: MË ËSHTË LODHUR SHPIRTI NGA LLAFAZANËT

Zgjohem në mëngjes dhe shoh fjalët, ulur pranë meje, në faqet e letrave, gazetave dhe revistave. Dhe fjalët më hedhin shikime, plot dinakëri dhe gënjeshtra.
Atëherë, ngrihem dhe shkoj e ulem pranë dritares, për ta çliruar veten time nga veli i gjumit, me një filxhan kafe, por edhe fjalët ngrihen, më ndjekin pas dhe vijnë ulen përballë meje, të paturpe dhe djallëzore. Pastaj, zgjatin dorën, kapin filxhanin e kafes dhe pinë kafe bashkë me mua. Nëse unë pi cigare, edhe ato pinë cigare bashkë me mua.
Unë dal e shkoj në punë dhe fjalët më shoqërojnë, duke më shushatur veshët dhe duke turbulluar mendjen. Përpiqem t’i dëboj, por ato qeshin dhe tallen me mua, pastaj, përsëri, më pëshpëritin e më gumëzhijnë në vesh, duke m’i bërë trutë dhallë.
Unë eci nëpër rrugë dhe shikoj fjalë që lëvizin nëpër dyqane dhe gjithandej. Edhe në muret e shtëpive shikoj fjalë që rrinë e prehen. Fjalë shikoj edhe në fytyrat e njerëzve, kur ata janë të qetë dhe të heshtur, por edhe kur lëvizin dhe bëjnë gjeste.
Kur ulem për të biseduar me një mik, fjalët ulen me ne. Dhe, nëse takoj një armik, fjalët fryhen, shpërndahen, shumohen dhe përfundojnë duke formuar një ushtri të jashtëzakonshme, e cila shtrihet nga një kontinent në tjetrin.

Tekstin e plote e gjeni KETU