Giuseppe Ungaretti: O i hijshmi çast, kthemu sërish…

O i hijshmi çast, kthemu sërish.

Rini, thuamë një fjalë
Në këtë orë vorbullore.

O i ëmbli kujtim, prehu këtu një çast.

Orë e dritës së zezë ndër damarë
E gërvimave memece të pasqyrave,
E honeve të rreme të etjes…

Dhe nga hiri më i thellë e i pasy,
E bukura moshë do të zotohet:

Me hijeshinë e çapave të parë, kur
Dielli dheun e natës
Ta ketë fshikur
Dhe në freski tretur çdo kith,
Meit, tek ngrihet në qiell
Kurmin e hareshëm para teje do të shpalosë.

Përktheu: Aida Baro

*Titulli i origjinalit: “Do të shpalosë

ObserverKult

———–

LEXO EDHE:

GIUSEPPE UNGARETTI: TË HARROJMË KËTË JETË…

Si lauresha valëzuese
Në flladin e lehtë mbi lëndina të blerta,
Pupël flatrat do t’i ndiesh, eja.

Të harrojmë këtë jetë mbi dhé,
Të ligën dhe qielloren,
Afshin tim flakë e zjarr,
Mbamendje vegullish të dikurshme
Ndër kuqëlime agimesh të reja.

Atje ku gjethin më s’e luhat drita,
Ëndrra e brenga flakur t’tjera brigjesh,
Atje ku rënë ka mbrëmja,
Në të praruarat kodra,
Eja të të shpie.

Të çlirë nga mosha, i ngriri çast
Në breroren e tij të humbur,
Savani ynë do të jetë.

1930

Përktheu: Aida Baro

*Titulli i origjinalit: “Atje ku drita”

————-

LEXO EDHE: 

GIUSEPPE UNGARETTI: FLI TANI, MOJ ZEMËR E SHQETËSUAR…