Giuseppe Ungaretti: Të harrojmë këtë jetë…


Si lauresha valëzuese
Në flladin e lehtë mbi lëndina të blerta,
Pupël flatrat do t’i ndiesh, eja.

Të harrojmë këtë jetë mbi dhé,
Të ligën dhe qielloren,
Afshin tim flakë e zjarr,
Mbamendje vegullish të dikurshme
Ndër kuqëlime agimesh të reja.

Atje ku gjethin më s’e luhat drita,
Ëndrra e brenga flakur t’tjera brigjesh,
Atje ku rënë ka mbrëmja,
Në të praruarat kodra,
Eja të të shpie.

Të çlirë nga mosha, i ngriri çast
Në breroren e tij të humbur,
Savani ynë do të jetë.

1930

Përktheu: Aida Baro

*Titulli i origjinalit: “Atje ku drita”

ObserverKult

—————————————

Lexo edhe:

GIUSEPPE UNGARETTI: FLI TANI, MOJ ZEMËR E SHQETËSUAR…