Gjokutaj: Komentuesit në mediat online dhe strategja e përbaltjes totale

Çepajev Gjokutaj adem jasharin
Çapajev Gjokutaj

1.

Të bën përshtypje dallimi mes komentuesve në fejsbuk dhe atyre në mediat online, ndryshojnë si dita me natën. Këta të fejsbukut priren të jenë miqësorë, madje rastis që mirësia të fqinjërojë me konformizmin. Ata të mediave online, në një shumicë rastesh, priren të jenë agresivë deri në rrugaçëri. Po ta shohësh si tipologji grupi ndryshimi rezulton antonimik.

Nga Çapajev Gjokutaj

Kur kërkon të gjesh se ku ndryshojnë këto dy kategori komentuesish, gjëja e parë që të shkon ne mend është anonimati: fejsbuksit si rregull janë persona të identifikueshëm, me emër e mbiemër real, kurse ata të mediave online në shumicën e herëve përdorin pseudonime.

Të jesh anonim do të thotë të ndërveprosh duke fshehur veten dhe rrjedhimisht duke mos marrë shumë përgjegjësi. Pas gjasash kjo është e vërtetë universale, mbetet prirje thuajse konstante në kohë dhe në vende të ndryshme.

2.

Vite të shkuara John Watson, antropolog në Harvard studjoi 23 kultura për të parë se çfarë roli luajnë në sjelljen e luftëtarëve mjetet që sfumojnë praninë personale si maskat, tatuazhet, uniformat etj. Rezultatet ishin domethënëse, luftëtarët e kulturave që aplikonin fshehjen a sfumimin ishin shumë më të prirur për trajtim të pashpirt të kundërshtarit krahasuar me ata të kulturave që nuk sfumonin; në shifra ky ndryshim rezultonte humneror, 90 me 12 përqind.

Gjithsesi anonimiteti nuk ngjan të jetë shkaku apo burimi i agresivitetit, që karakterizon komentet në mediat online, shumë shumë është një faktor që krijon klimë të favorshme. Harbutëria, vulgariteti, agresiviteti dhe tipare të tjera që aq shpesh i has në këto komente me gjasë zënë fill jo vetëm në formimin etik e qytetar të artikuluesve të tyre, por edhe në tipare psikologjike dhe të personalitetit.

Sa më i prirur të jetë individi nga tipare negative, aq më agresiv e dekonstruktiv shfaqet kur është i paidentifikueshëm. Në zhargonin e internetit prej kohësh përdoret termi ‘troll’ për të shënuar personat që  përcjellin komente fyese e agresive, jo për hir të diskutimit të një teme a problemi, por për të poshtëruar përdoruesit e tjerë. Veprimtaria e trollve thirret ‘trolling’ dhe përbën shqetësim jo të vogël për hapësirën publike virtuale, ndaj ka nisur të bëhet objekt studimi.

Dy akademikë kanadezë psh, Del Paulhus dhe Erin Buckles, hulumtuan nga afër veprimtarinë e një grupi prej 1750 trolleve dhe, mbështetur mbi gjetjet, kanë bërë një profil psikologjik. Rezulton se individi që bën trollin në internet priret të jetë manipulues impulsiv, person i ftohtë, i paskrupullt dhe antisocial, me tipare të theksuara psikopati dhe me shtysa të forta sadisti.

Trollet ndjejnë kënaqësi kur dëmtojnë dhe frikësojnë të tjerët, ndaj autorët e studimit arrijnë në përfundimin se janë prototipi i sadistit në internet.

Prirjet për manipulim, psikopati e sadizëm janë të pranishme edhe në jetën e përditshme, por në botën e internetit ato shfaqen më të shpeshta e më acide ngaqë favorizohen prej komunikimit në distancë, që mundëson fshehjen e përkohshme të identitetit. Plus kësaj komunikimi online është komunikim në distancë, bashkëbiseduesin nuk e ke përballë, komunikon me të vetëm përmes fjalës së shkruar duke shmangur elementët situacionalë të ligjërimit si intonacioni, mimika, gjuha e trupit në tërësi etj. I zhveshur nga konteksti emocional komunikimi online priret të eliminojë në maksimum empatinë.

3.

Studjues të ndryshëm venë në dukje se komunikimi online e ka të theksuar edhe dukurinë e deindividualizimit ose, thënë ndryshe, dukurinë e ikjes së përkohshme nga vetja dhe shkrirjes në një grup a turmë. Ashtu i çliruar nga vetja dhe nga përgjegjësitë personale njeriu bëhet më agresv e më i papërgjegjshëm.

Deindividualizimi qendron në themel të psikologjisë së çdo turme dhe shpjegon huliganizmin e tifozëve a, më gjerë, vandalizmin dhe etjen për gjak e për linçim që shoqëron grumbullimet kaotike të fanatikëve të të gjitha ngjyrave.

Që komentet anonime në mediat tona online kanë në themel edhe dukurinë e deindividualizimit, e sugjeron një fakt domethënës. Këto komente shtohen e trazohen, marrin trajta nervoze, agresive dhe vulgare sidomos kur flitet për tema që lidhen me identitete grupi si kombësi, fe, ndarje krahinore, dialekt, gjuhë standarde, përkatësi etnike figurash të pshquara etj.

Në raste të tilla komentet e anonimëve vërshojnë si rrëketë në dimër dhe ndizen beteja të ububushme, natyrisht virtuale, ku shqiptari i hidhet në grykë serbit a grekut, ku myslimani mëkohet nga Erdogani e ortodoksi kungohet nga Janullatosi, ku veriorët shohin nga lart jugorët dhe anasjelltas, ku gegërishtja e toskërishtja lenë në bisht njera-tjetrën dhe të tjera tevatyre të këtij lloji.

Nuk është vështirë të kuptosh se nervozizmi dhe agresiviteti në kësi rastesh nuk burojnë aq nga dashuria për kombin, fenë, vendlindjen, dialektin etj., sa zenë fill në faktin që një pjesë e mirë e komentuesve të kësaj sëre, diku në thellësitë e vetes, thellësi që shpesh nuk i njohin, ndihen të dobët dhe të margjinalizuar si individë, ndaj për të kompesuar këtë kompleks të fshehtë iferioriteti, kapen fort, me shumë pasion dhe fare pak logjikë, pas identitetesh kolektive.

I zhveshur nga vetja si person dhe i shkrirë e i fshehur në një bashkësi, ndihesh jo vetëm më i fuqishëm, por edhe më i lirë a, thënë më saktë, më i shpenguar të jesh brutal e vulgar me tjetrin, atë që e përfytyron si armik, por që realisht e ke e bashkëbisedues.

Komentuesit anonimë grinden e shahen me njeri-tjetrin, por shumicën e rasteve bëjnë objekt sulmi autorin e shkrimit kryesor. Si rregull diskutojnë cekët për argumentat që shtjellon artikulli dhe nxitojnë të shajnë a ofendojnë atë që e ka shkruar, me një fjalë nga idetë e problemet kalojnë tek personi.

Sulmet e tipit ad hominem nxiten jo pak edhe nga politika, a më saktë, nga modeli i krijuar prej disa politikanëve të cilët, në vënd të trajtojnë argumentet, përbaltin kundërshtarin me libër shtëpie. Gjithsesi ky nuk është i vetmi faktor nxitës.

Sulmet ad hominem të trollve nxiten edhe nga diçka tjetër: strukturimi dykatësh i dialogut ‘komentues – autor i shkrimit kryesor’. Doemos që shkrimi zë vend të dukshëm, në katin e sipërm të ligjërimit, kurse komentet vendosen poshtë, si të thuash në qilar. Ai i sipërmi shfaqet me hapsëirë e dritë, me emër e mbiemër, shpesh edhe me foto, kurse komenti yt depozitohet ndrysur grisur në qilar, me një fjalë ai sojli e ti sojsëz.

Ky kontrast krejt i përligjur për logjikën normale, përthyhet keq në mendjen e trollit dhe gjeneron xhelozi e dëshirë për ngacmime e hakmarrje.

4.

Tiparet psikologjike të trollve dhe disa veçori të komunikimit online lujanë rolin e vet, por nuk janë vendimtare për shfaqjet e agresivitetit, sharjet e fyerjet. Këto të fundit materializohen dhe qarkullojnë falë disa faktorëve që lidhen me ambientin social, sidomos me pushtetin dhe kuadrin ligjor.

Në librin ‘Efekti Luciferr: si njerëzit e mirë bëhen të këqinj’, psikologu amerikan Philip Zimbardo hulumton faktorët që i nxisin njerëzit të lëndojnë të tjerët duke i fyer, nëpërkëmbur, torturuar etj. Në parantezë shtojmë se Zimbardo është ideues dhe zbatues i eksperimentit kontraversial të burgut të improvizuar në universitetin e Stanfordit në vitin 1971, eksperiment që mund ta keni ndjekur në filmin homonim.

Zimbardo dhe stafi i tij zgjodhën 24 aplikantë duke synuar të rritur normalë dhe mendërisht të shëndetshëm. Me short përcaktuan cilët do të bënin gardianin e cilët të burgosurin. Pas gjashtë ditësh eksperimenti u ndërpre se sjellja e gardianëve ndaj të burgosurve po i kalonte kufijtë e normales dhe çdo ditë e më shumë shtoheshin doza sadiste.

Vite më vonë, në 2004, kur Zimbardo u thirr si ekspert, që të vlerësonte shkeljet në burgun e Abu Gharibit, vuri re shumë gjëra të përbashkëta mes abuzimeve të gardianëve në burgun e improvizuar dhe atyre në burgun real, por konkluzioni kryesor ishte se fshehja nga sytë e publikut, mungesa e kontrollit dhe e përgjegjësive etike, bënin që tek gardianët të shfaqeshin veprime sadiste e psikopatike.

Mbështetur në fakte të tilla, Zimbardo mbron idenë se njeriu shfaq anën e vet djallëzore i shtyrë kryesisht nga tre faktorë që ndërveprojnë me njeri-tjetrin në mënyrë dinamike. Tiparet psikologjike si prirjet sadiste, psikopatike etj. përbëjnë premisë, por nuk dalin në siperfaqe, po qe se nuk favorizohen edhe nga dy faktorë plus: konteksti a situata ne të cilën veprohet dhe sistemi që ngjiz e riprodhon situatën.

Po ta përdornim këtë përfundim për trollët që komentojnë në mediat online do të thoshnim se profili i tyre psikologjik përbën premisë, por nuk mjafton për të shpjeguar ndërhyrjet fyese e denigruese. Konteksti social dhe sistemi ligjor kanë pjesën e vet, madje në një vështrim esëll, kanë pjesën e luanit.

5.

Trollët, përfshirë dhe komentuesët troll në mediat online, nuk janë dukuri thjesht shqiptare, përkundrazi përbëjnë shqetësim në gjithë botën. Gjithsesi mediat serioze ia kanë dalë ta shmangin këtë dukuri me rrugë e metoda të ndryshme që fillojnë me identifikimin e komentuesit, me supervizimin e komenteve dhe shmangien e atyre që përmbajnë nota fyese e vulgare dhe vijnë deri tek penalitet e parashikuara në ligj.

Tek ne një pjesë e mediave online, duke mos patur mundësi e staf për të supervizuar komentet, nuk e aktivizojnë fare opcionin ‘komento’ a ‘shkruaj mendimin tënd’. Gjithsesi kjo ngjan të jetë një zgjidhje gjysmake, madje në një vështrim edhe e dëmshme: mohon të drejtën e lexuesit a të shikuesit për të reaguar dhe rrjedhimisht dobëson qasjen interaktive dhe frymën demokratike që ofron interneti.

Por shumë më e dëmshme është qasja e disa mediave online që hapsirën e komenteve e kanë han pa porta, mund të gjesh në to fyerje, sulme ad hominem, madje edhe sharje me libër shtëpie. Ngjan se jo rrallë kjo qasje aplikohet për të shtuar klikimet: një kategori jo dhe aq e paktë lexuesish janë të etur për thashetheme dhe sidomos për të kundruar jetën private të tjetrit.

Klikimet janë të rëndësishme për mediat se shërbejnë si tregues për lexueshmërinë a shikueshmërinë e rrjedhimisht edhe si karrem reklamash e përfitimesh të tjera. Shtimi i klikimeve me komente vulgare mbushur me përgojime e sharje, mund t’i shërbejë redaksisë, por ndot ligjërimin publik dhe krijon atmosferë mbytëse për qasjet qytetare.

Parë në një kontekst më të gjerë, komentet pa doganë të trolleve sjellin edhe një dëm tjetër më të fortë: përgojojnë gjithkënd e gjithçka dhe relativizojnë kështu të keqen.

Një ambjent shoqëror ku të gjithë njollosen e përbalten është kopsht Edeni për keqbërësit e vërtetë, natyrisht jo për hajdutët e xhepave, po për kryehajdutët e elitave, qofshin ata në  qeveri, parlament, gjyqsor, biznes, media etj. Në një sfond të murrmë e zeza nuk ngjan dhe aq e zezë.

ObserverKult