“Gjuha turke në shkolla vetëm nëse ka reciprocitet, të njihet pakica shqiptare në Turqi- janë drejt asimilimit”

Dy pedagogë të Universitetit të Tiranës analizojnë marrëveshjen shqiptaro-turke për gjuhën turke në shkolla dhe përmirësimin e teksteve arsimore. Duke kërkuar reciprocitet, Dhurata Shehri dhe Shezai Rrokaj, me dy qasje të ndryshme, kërkojnë njohjen e pakicës shqiptare ne Turqi si shenjë e qartë vullnetit të mirë për marrëdhëniet dypalëshe.

Një marrëveshje mes ministrisë shqiptare të arsimit dhe asaj turke, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave për bashkëpunimin në fushën e arsimit, është pritur me rerzerva në vend. Shkak janë bërë kryesisht dy pika. Pika 9 e nenit 2 parasheh shkëmbimin e përvojave në hartimin dhe përmirësimin e materialeve arsimore të përdorura në dy vendet çka është lexuar si rishikim i teksteve të historisë. Ndërsa pika 2 e nenit 3 vëren se pala shqiptare synon të kryejë një vlerësim për kërkesat për të mësuar gjuhën turke si gjuhë e huaj, lëndë me zgjedhje të lirë duke paraparë shpalljen e një programi pilot në shkolla.

“Futja e gjuhës turke në shkolla është e diskutueshme. Ndërtimi i një grupi që do ta gjykojë këtë është levizje e parakohshme dhe jo produktive për kulturën dhe gjuhët në vend. Në komunizëm ishte gjuha ruse, dhe në demokraci, është gjuha angleze dhe gjuhë të BE-së”, thotë pedagogia Dhurata Shehri.

Duke kërkuar heqjen dorë prej mendësive komuniste me qasje nacionaliste ndaj vendeve të Ballkanit, Shezai Rrokaj mbështet marrëveshjen, por kërkon barazi mes palëve.
“Unë mendoj se të gjitha marrëveshjet duhet të zhvillohen mbi bazën e reciprocitetit. Dhe jo vetëm për gjuhën turke por edhe për gjuhë të tjera të rajonit. Të heqim dorë nga izolimi dhe le të jetë lëndë me zgjedhje.”

Ai shkon më tej kur kërkon njohjen e pakicës shqiptare në Turqi, çka sipas tij, ndihmon në zbatimin e çdo marrëveshjeje në vende demokratike.

“Ne e respektojmë pakicën turke në kuadër të konventave ndërkombëtare dhe është krejt normale që Turqia të respektojë të drejtat e pakicave shqiptare në Turqi të cilat shpallen nëpërmjet censuseve. Duhet t’i njohë zyrtarisht. Parimi i reciprocitetit shton shanset për bashkëpunime më të gjëra” thotë të Rrokaj.

Për pakicën shqiptare në Turqi, Shehri jep edhe shifra. “Në bazë të statistikave që vijnë nga organizatat joqeveritare në Turqi jetojnë 4 deri në 5 milionë banorë me origjinë shqiptare, por asnjë qeveri turke nuk ka marrë nismën të fusë gjuhën shqipe në shkolla. Duke mos e njohur këtë komunitet, çon drejt asimilimit”, thotë Shehri.
Por sa mundet Shqipëria të sigurojë reciprocitet në marrëdhënie dypaleshe, kur pavarësisht marrëveshjeve, tekstet në Maqedoni i fyejnë shqiptaret? Për Rrokajn, në rastin e Maqedoninë ka shumë vërejtje dhe ai flet për të drejta natyrore.

Ndërsa, Dhurata Shehri, shton se përmirësimi i teksteve është i rrezikshëm. “Nxënësit në shkollat turke mësojnë që Shqipëria ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane, por nuk flitet fare për pushtimin 500-vjecar”, thotë ajo./BalkanWeb

LEXO EDHE: TRI SHKOLLAT E PARA SHQIPE PAS PUSHTIMIT OSMAN