Me të dëgjuar fjalën “fund”, më pushtoi dëshira për të rrojtur edhe një herë nga e para…

Nga: Goliarda Sapienza

– Të trazojnë këto rrëfenja, bilë? Në të bezdis, po e mbyll.
– Jo, jo përkundrazi, ma ka ënda të ta dëgjoj zënë. Pse, vallë?
– Ku di unë, moj bilë. Ose bën vaki e di. Shëko moj koce, qëkur ata heqimët e Katanias më bënë hesap që s’e kisha më të gjatë se tre a katër muaj, kujtime të bukura e të shëmtuara, fytyra të dashura e të zhdukura prej kohësh e vise të magjishme që kam parë, befas, m’u ndërmendën tërësej. Si të ta shpjegonj? Është mu si lektisje për gjëra të bukura dhe pranvera plot që shorti dhe fati i mirë më kanë falur. Karmine ka qenë burrë fatlum e, edhe në të keq, ka rrojtur pa pengje, gjer në fund.

Aherë, me të dëgjuar fjalën “fund”, më pushtoi dëshira për të rrojtur edhe një herë na e para. Ja për shembull, edhe sonte, po kujt plaku, në tërë këto vise rreth e rrotull e në gjithë dynjallëkun, mund t’i kish qeshur kësmeti të kish përsipër vetes një barrë kaq të bukur sa ti?

– Dhe nuk ke frikë?
– Frikë nga se, bilë? Im atë i mbylli sytë në paqe. Edhe atij, kësmeti i kish falur jetë plot. Katandi e prokopi kish mbledhur për ne dhe mëmën time që, plakë e moçme, vetëm para gjashtë vjetësh na la. Doemos, siç thosh im atë, po linde i grymosur na mendja e trupi dhe po ta hodhën ata priftërinjtë me lugetër e përhitje, aherë s’ke na ia mban,

Orëprera të kall datën. Për të arritur atë që duhet, im gjysh, im atë dhe unë, kemi lëftuar me duar e me armë për ta fituar respektin. Kushedi sa herë, Orëprera më ka fshikur. Eh si fishkëllente çiftja apo thika netëve! Ama, ja tek jam me ty, e aq më bën.

– Domethënë ti s’beson në Perëndi?
– Po Perëndia ç’punë ka në këtë mesele?
Zëri i çliruar nga morti, e vetmja shenjë e dënimit, më frymon mes flokësh dhe më përplas mes shkëmbinjve të emocionit. Për të mos u mbytur, kapërthehem pas qafës së tij dhe me buzët e mia vuvos të tijat.

– Eh, jo, maçok, në bëfsh kështu, afshi për ty do më zërë prapë, pastaj ti – i njoh mirë gratë, unë – do më ndalosh me dorë. Dhe unë, ndonëse mjaltë janë buzët e tua, dua të të hyj thellë, gjer në zemër.

*“Muza e haresë”, Goliarda Sapienza

Përktheu: Aida Baro


Lexo edhe:

COELHO: TË DUA MË SHUMË SE VETEN TIME

ObserverKult