Ada Halilaj: Gratë shqiptare janë gra të palumtuna.
Kjo asht e zeza mbi të bardhën, asht e vërteta që jena msu me ndry primitivisht në dhomat ma të fjetuna të ndërgjegjes, e vërteta krudo, e papërpunume, e pazbutun, e vërteta që ka zà dhe kërkon zànin tonë.
Edhe pse personalisht kam besu gjithmonë tek liria dhe jo tek lumtunia, kjo shpikje urbane ngujuese dhe ndoshta ma e sikletshmja në antologjinë e shpikjeve të njeriut, kam gjet në historitë e nëndheshme të grave, të ulun stoikisht kambkryq, antagonisten e saj të betume, palumtuninë…, të dorëzohesh, të dënohesh, të vritesh me heshtjen e jetës.
Kjo palumtuni prej mishi e gjaku, mi ka hap sytë.
Shkruan: Ada Halilaj
80% e grave shqiptare (statistikë e mbajtun me shumë hatër, guxoj me thanë pa ngushëllim) jetojnë nën dhambët e mprehtë të një realiteti të kurdisun nga marrëdhanie të sëmura, abuzive dhe fatkeqësisht tipike shqiptare…marrëdhanie të prejardhuna nga fraza klasike: ”ti je gruaja, unë jam burri e si rrjedhojë do të bahet kështu, sepse kështu them unë dhe pikë”.
Kjo mbivendosje e pushtetit gjinor zeron komunikimin, e shndërron bashkëjetesën në një akt mekanik, të shterptë ku burrat janë dominatorët e çdo shqise, krijon individë të mbërthym nga frika dhe amputon çdo ceremoni lirie. Kjo origjinë e përbashkët i ka ba jetët tona po aq të përbashkëta.
Gratë shqiptare janë gjithmonë gratë e dikujt. Kanë gjithmonë një tutor mbi krye që i dikton të vishen aq sa mos me ra në sy; të lyhen aq sa të mos duken si prostituta; të flasin aq sa mos të duken llapazane; të qeshin aq sa të mos duken qesharake; të porosisin ujë dhe jo venë; të rrinë nën shoqninë e grave dhe mos të përzihen ma shumë se në një përshëndetje të rrufeshme me burrat e tjerë; të lavdërojnë në sy të të tjerëve fëmijët e mbarë (të parët e klasës padyshim); të krenohen me familjen e shëndoshë që gëzojnë; të flasin për perdet e reja që kanë ble në një dyqan mallrash italiane; të mbushin mendjen e botës se nëse kanë arrit diçka në jetë asht falë mbështetjes absolute të prindërve dhe bashkëshortit perfekt sepse ndryshe vetëm nuk do t’ja kishin dalë kurrë; të këmbëngulin se tani për tani mendjen e kanë të marrun vetëm nga shkolla dhe librat; të refuzojnë kategorikisht tërheqjen nga atmosfera e klubeve të natës; të refuzojnë ftesën e kolegut burrë për kafe në punë; të parfumosin ajrin me frymën e vajzes së ”mirë” shqiptare; të gjithëpërfshirë nga tradita, zakonet dhe të gatshme për t’ju dhanë atij burri i cili jeton akoma me nanë e babë; që nuk shpjegon dot pse rrobat me ngjyra lahen veçmas nga ato të bardhat dhe që ka alergji imagjinare nga hekuri me avull.
Jeta e grave asht një limonatë që nuk zbut kurrë etjen e lirisë…
Nuk besoj se ka grua shqiptare që nuk asht braktis nga një andërr, një mundësi, një projekt personal apo profesional, vetëm sepse ka pas fatin me lind Grua.
Disa prej grave që njohim çojnë përpara një jetë të ndryshkun, që i ngjan një gozhde në mur.Ku e kanë ngul, aty rrin.
Disa të tjera kanë hek dorë nga shkollimi, janë privu nga mundësitë e rritjes në karrierë apo specializimit në një vend të huaj vetëm për të mos peshu në shtëpinë e babës për ma shumë kohë se ”ç’duhet”, por me u ”rahatu”si ”gjithkush” në krah të burrit.
Gra të tjera janë lidh deri në fyt me rolin e nanës. S’fryn erë tjetër ndër flokët e tyne, veç frymës së bijve. Mishit i ka vdek epshi, mendjes i janë ngrit mure, kambve iu asht humb vrapi. Mbi ketë tokë edhe flirtimi me burrin tand ngjall dyshime hollywood-iane.
Disa e presin lirinë të kërcejnë pa prit e pa mendu nga tufa e luleve në dorën e princit të kaltër. Pjesa tjetër e grave që i ka dhanë fund martesës për së gjalli, që i rrisin vetë fëmijët, punojnë kameriere ndoshta e si të tilla deduktohet thjeshtë që klientat e lokalit janë edhe klientat e shtratit, apo ato vajza qe nuk kanë finalizu asnjë fejesë me sukses apo qoftë larg ma shumë se një burrë u ka zbulu trupin e shenjtë, duhet të rezistojnë çdo ditë në një luftë pa paqe, u duhet të kalojnë me sytë përdhè para veshtrimeve të theruna me neveri e përbuzje.
Duhet të druhen e të fshihen nga vërsuljet e puritanëve.
Janë gra që pajtohen me planin që shoqnia i ka rezervu pa ndez shumë polemika dhe zbathen nga vetja po aq lehtësisht sa heken sytë nga një fustan i papërballueshëm ekonomikisht. Janë gra në prag. Gra që presin diçka me vetëdijen e stërplotë që s’ka me u duk kurrë. Janë gra të msume sistematikisht me panoramën e martesës, riprodhimit, familjes, devotshmërisë. Gra të udhëzume me pretendu heshtjen si notën ma të naltë ne rregjistër. Gratë e njëmijë e një pengjeve.
Gratë shqiptare janë të palumtuna.
E nëse ua shtroni pyetjen edhe njëherë gratë kanë me shpejtu me zgjedh para vedit lënduesin e rradhës, sepse të pranosh një gjëndje të tillë zbraztie do të thotë të djegësh tana maskat mbrotjëse e të zbulosh të vërtetën në natyrën e saj ma të pastër e në këtë art gratë shqiptare kanë një sedër fort të çuditshme dhe një instikt mbyllës befasues: nuk mund t’i prekësh familjen as edhe me fjalë, pavarësisht se edhe vetë e dinë burgun në të cilin flenë çdo natë.
Edhe njëherë gratë do zbardhin dhambët teatralisht e do sigurojnë bindshëm se s’ka asgja që nuk shkon me to, se asht e bekume me burrin e andrrave, se jeta e saj s’do kishte kuptim pa të, se do jepte gjithçka të mirë për një të keqe.
Gratë shqiptare nuk gjejnë zgjedhje të zgjidhshme.
Jeta e tyne asht një orgazëm e tejzgjatun, e tejshtirun….një rol i luajtun aq imtësisht, sa nuk i ndahet ma lëkurës.
Gratë mbarojnë gjithçka kanë në pjatë, për mos me u duk keq.
Pranojnë çdo plagë sepse ”ky ishte rrisku”.
Kanë duart e tyne në fyt e ky autlezionizëm për hir të të tjerëve i përthith, i tëhuajëzon, i tkurr.
Palumtunia shpallet si gjëndje e zakonshme, pronë kolektive dhe dalja prej saj propagandohet si një shteg naiv, utopik, i predestinum mos me ndodh kurrë.
Shpesh mendoj se ndoshta gratë që burrat mendojnë se kanë uzurpu dhe lepijnë mustaqet të kënaqun, në fakt janë gra të daluna nga furra surreale e imagjinatës në momentin e duhun e nuk e di sesi të katapultume midis nesh. Pushteti mbi qënie imagjinare, asht logjikisht pushtet imagjinar…, e prap asht pushteti i vetëm që njohim. Një pushtet i atyne njerëzve që të indinjum nga barazia gjinore kërkojnë me turr uniformën e ndame për gratë dhe burrat. Të rregullta, të urta, të hijshme, të paankushme, të përmbajtuna, gratë janë për ”tu pirë në kupë”.
Në të kundërt nxirrini jashtë, rrahini, digjini, vritini sepse ”s’na duhen asnjë qindarkë gratë që na marrin ftyrën”.
Realisht nuk jam as shumë e sigurt a e gërvisht ndjeshmërinë e burrave britma fizike e kësaj palumtunie meqë vërej masivisht se interesi në lojë asht minimal: përsa gratë të përmbushin detyrat e roleve dhe të plotësojne kërkesat e burrave duke i leju me shtri kambët tej jorganit, burrat nuk ngarkohen me pikëpyetje të vështira, nuk dalin nga zona e rahatisë, nuk ndërtojnë.
Burrat shqiptar nuk i duan gratë e tyne nëse nuk marrin mundimin me i njoft dhe nëse përfshihen qëllimisht në sfidën e posedimit, në garen e trofeut si: ”burri matet me burrni”
Kjo i jep virilitetit të shumëpërfolun një kënaqësi me efekt spektakli…, një kënaqësi që vjen e para në listë, mbi gjithçka dhe mbi gjithkënd…, një kënaqësi e fitume egërsisht mbi shpindën e grave.
Megjithatë, edhe pse për ndryshime radikale lypet muza e një kohe radikale, gratë duhet të vrapojnë jashtë membranës romantike që kafazi i artë, xhelozia e pakontrolluar, litari në qafë të lirisë, janë dëshmi dashnie.Ndjenja që ka si rrëfim prangat, asht ndjenja që kurrë, askush s’duhet me meritu dhe gratë shqiptare, gratë e palumtuna, gratë pa revoltë, gratë pa zhurmë e dinë mirë për ç’ka po shkruaj. E dinë mirë që prandvera vjen me lulet që marrin guximin me çel e me ngroh kryet nën dielli…, përndryshe, kjo stinë, vdes pa ardhë.
Morali i ”fabulës”? I vetmi kontroll që na përket asht kontrolli mbi jetën tonë.
Fund.
ObserverKult
Lexo edhe: