Hafizi: Ka një fund…

Un’e di se dhe ditët plot helm e trishtim-kanë fund,
Edhe koha që rrjedh si përroi, edhe barra e zisë-merr fund.

Perëndesha q’i truhem, ja tani më sheh, më urren,
Po dhe nami që ka ky rivali fodull-ka një fund.

Se tinzari pas perdes të vret me një kamë gjithsesi,
Se edhe fron’e pallat, madhështi mbretërish-marrin fund.

Mirënjohje aherë ç’e do, pëshpërimën e hidhur?
Kur edhe lavdi i njerëzve të ndritur-merr fund.

Në gosti te Xhamshidi thërrisnin: Sill verë!
Dhe Xhamshidi me kupën e tij, n’atë strehë-ka një fund.

Lësho dritë në netë, qiri! Edhe fluturën afro!
Ja po zbardh edhe nata dhe drit’ e qirinjve merr fund.

Pasunar, hidh një sy thellësive të shpirtrave tona!
Qofshin male frorinjsh, apo gurësh të çmuar-marrin fund.

Kupës qiellit shiko, ç’është shkruar mbi tokë:
Përveç punës së mirë për njerinë-çdo tjetër merr fund!

Përktheu: Dalan Shapllo

LEXO EDHE: HAFIZI: MIKJA M’U LARGUA PREJ DASHURISË