Nga Arian Krasniqi
Libri me kujtime “E ardhmja në të kaluarën: Kujtime të Kosovës”, botuar nga Cuneus (Prishtinë, 2021), me autor John Hodgson, shënon ngjarje të rëndësishme për komunitetin tonë kulturor dhe jo vetëm. Kanë kaluar katër dhjetëvjeçarë dhe britanezi, John Hodgson ende mbahet në mend në qarqet kulturore, akademike të Kosovës, pikërisht për shërbimin e tij si lektor i gjuhës angleze në Universitetin e Prishtinës, në periudhën kohore 1980-1984.
Leximi i kujtimeve të Hodgson-it, pashlyeshëm, na lë mbresë, shenjë, vrragë në memorien tonë si lexues. Po çka në të vërtetë përmban ky libër me kujtime, botuar katërdhjetë vjet pas përjetimit të ngjarjeve nga ana e Hodgson-it?! Është e pamundur që në pak rreshta të përmbledhet e tërë avantura e Hodgson-it në Kosovën e asaj kohe. Megjithatë, me këtë rast, janë disa momente kyçe që duhen veçuar.
Djaloshi John çmendurisht kishte synuar që të gjente dhe të fillonte një punë në Rusinë e asaj kohe. Megjithatë, papritur atij i erdhi mundësia që të fillonte misionin e tij prej lektori të gjuhës angleze në ish-Jugosllavi. Në këtë mundësi, që i ishte ofruar nga Këshilli Britanik, atij do t’i duhej të zgjedhte ndërmjet dy qyteteve: Nishit dhe Prishtinës. Pa dyshim, adhuruesi i veprës së Shekspirit, nuk kishte dilemë “hamletiane”, dhe zgjodhi Prishtinën, që siç shprehet ai, bazuar në statistikat e kohës, banohej me 80 përqind shqiptarë. Avanturat e John-it nisin në udhëtimin e tij të gjatë, me tren, në linjën: Londër-Paris-Venezia-Ljubjanë-Zagreb-Beograd-Fushë-Kosovë. Dhe, pamja e parë e realitetit në vendin, ku po zbriste ishte kjo: “Pashë një ag të akullt dhjetori, me fusha anës hekurudhës të mbuluara me brymë, ca shtëpi të vjetra përdhese, pas asnjë dritare, me çati të lakuara prej peshës së tjegullave, oxhakë të shtrembër, rrugica me baltë”. Dhe, çka i kishte ngjallur më së shumti kureshtje në çastin e mbërritjes ishte një ë me dy pika, të cilën shkronjë po e shihte për herë të parë në jetën e tij, pikërisht në tabelën e vendosur në stacionin e trenit, ku shkruante: Fushë-Kosovë. Befasitë dhe përjetimet për herë të parë në jetë në një vend si Kosova nuk do të mbaronin për Hodgsonin deri në largimin e tij përfundimtar nga Prishtina, në vitin 1984.
Në kujtimet e tij, Hodgson përshkruan edhe momentin se si në Prishtinë për herë të parë në jetën e tij kishte provuar kafenë turke me shijen dhe aromën e saj të veçantë, derisa ai kujton se Hotel Grand, atëbotë ishte i vetmi vend në qytet që shërbente kafenë espresso.
Kujtimet e Hodgson-it për periudhën e shërbimit të tij në Prishtinë, përfshijnë një gamë të gjerë të aspekteve të jetës dhe shoqërisë në Kosovën e asaj kohe. Hodgson, kujton se si shpejt e kuptoi se njerëzit e Kosovës, në krahasim me ata të Republikave të Federatës Jugosllave “shiheshin si vrima e fundit e kavallit”, prandaj ai, tashmë, kishte vendosur ta mësonte gjuhën shqipe, “jo vetëm nga kureshtja, por edhe për inat”.
Hodgon, me shumë përqendrim e saktësi përshkruan ambientin politik, social, kulturor e arsimor, që mbizotëronte në Kosovën e fillimviteve tetëdhjetë. Ai kujton rolin dhe rëndësinë e Universitetit të Prishtinës, por edhe pasionin e të rinjve shqiptarë për të studiuar zellshëm, edhe në ato rastet kur brenda një dhome konvikti banonin nga tetë persona. Flet për gjuhën letrare shqipe, si diçka të re në Kosovë, për gazetën Rilindja, për hulumtimet e strukturalistit Ibrahim Rugova, të kthyer rishtas prej Sorbonës. Për përjetimet e tij në koncertin e Shoqatës Kulturore Artistike “Ramiz Sadiku” dhe Këngën e Kaçanikut që ishte bërë himni i studentëve të Prishtinës së atij viti.
Duke përshkruar çastet e ligjëratave të para para studentëve të Universitetit të Prishtinës, Hodgson kujton faktin se si anglishtja për studentët që qëndronin para tij ishte një gjuhë e largët dhe e panjohur, shumë më e huaj nga ç’është sot. Megjithatë, siç kujton Hodgson, “shumica e studentëve ishin poliglotë.”. Hodgson flet edhe për përkatësitë e ndryshme etnike dhe fetare të studentëve të tij, për laramaninë e shoqërisë kosovare, për të vetmin student rom, “një figurë e vetmuar”, si dhe për një “studente çerkeze, që fliste gjuhën e ta parëve”. Në kutjimet e tij ai shprehet se: “shumica e studentëve në Prishtinë ishin ateistë”, sipas të cilëve “feja islame u është imponuar shqiptarëve nga pushtuesi turk dhe ishte bestytni e kulluar”. Hodgson, po ashtu, sjell në vëmendje se asokohe shumica e studentëve shqiptarë besonin se bota ishte ndërtuar sipas parimeve materialiste dhe, sipas tyre, ata që besonin në Zot cilësoheshin si “fanatikë”. Sipas tij, “ky ishte ligjërimi i Shqipërisë ateiste”. Në këto kujtime dëshmohet se studentët e Kosovës e lakmonin “barazinë” e shoqërisë shqiptare në Shqipëri, në kontrast me korrupsionin e hapur të jetës në Jugosllavi, ku çdo punë kryhej vetëm me ‘lidhje’ ose ‘më të njofshëm’. Asokohe, pavarësisht ndarjes gjeografike dhe politike, lidhja shpirtërore dhe kulturore me Shqipërinë ishte e madhe, prandaj Hodgson kujton edhe një student, i cili e ruante si hajmali nënshkrimin e Ismail Kadaresë në indeksin e tij universitar.
Në librin e tij me kujtime, Hodgson, theks të veçantë i vë protestave studentore të pranverës së vitit 1981. Ai përshkruan në detaje se si kishin filluar këto protesta, si ishin rrahur e sulmuar studentët shqiptarë nga forcat policore serbe, por edhe kontekstin politik që kishte ndryshuar pas këtyre protestave: ftohjen e marrëdhënieve zyrtare me Shqipërinë, shtimin e dhunës dhe represionit serb mbi shqiptarët e Kosovës, vendosjen e kufizimit të lirisë së lëvizjes, numrin e madh të studentëve të burgosur, etj.. Siç shprehet Hodgson: “Deri më sot historia e demostratave të vitit 1981 ka mbetur e mjegullt dhe e mangët. Të gjithë ‘dëshmitarët okularë i kanë përshkruar ato nga pikëpamjet e veta politike. Nuk ishte i pranishëm asnjë gazetar i huaj dhe fotografitë e atyre ditëve janë fare të pakta”. Ndërsa, në Kosovë, Radioja dhe gazetat mezi preknik të tjera përveç “rrezikut të nacionalizmit dhe irredentizmit”.
Duke qenë dëshmitar i këtyre ngjarjeve dhe zhvillimeve dramatike, politike, sociale e kulturore në Kosovë, edhe vetë Hodgson do të binte pre e përpjekjeve të vazhdueshme të pushtetit serb për përcjelljen dhe vëzhgimin nga strukturat e shërbimit informative serb dhe jugosllav. Këtë më së miri Hodgson e ilustron me përshkrimin që i bën Hotel Grandit dhe “klientëve të tij”, kryesisht si zyrtarë të lidhur me shërbimet informative të pushtetit.
Derisa e lexojmë me vëmendje librin me kujtime të Hodgsonin, nuk kemi se si të mos e përqendrojmë vëmendjen edhe te një fakt tjetër interesant: gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Hodgson kishte konceptuar dhe ideuar një projekt paska të guximshëm: me qëllim që t’ua mësonte gjuhën angleze studentëve, kishte filluar punën për inskenimin e veprës “Makbethi” të Shekspirit, e përshtatur në një anglishte më të thjeshtësuar. Madje, për këtë vepër ishte interesuar edhe Teatri Krahinor i asaj kohe. Por, këtu kishte ndërhyr mallkimi i famshëm i tragjedisë “Makbeth”. Mallkimi i moçëm e kapi Hodgson-in edhe në Prishtinë. Siç shkruan ai: “Makbethi ra pre e ngjarjeve të historisë dhe kurrë nuk doli në skenë”. Si për ironi të fatit, në ditën kur ishte nisur nga Londra për në Prishtinë, Hodgson, si mjete plotësuese dhe lehtësuese në mësimdhënie, në sëndukun marinar të babait të tij, bashkë me gjësende të tjera, kishte vendosur edhe disa kaseta të incizuara të Hamletit, të cilat, për fat të keq, asnjëherë nuk kishin arritur në destinacion, sepse ishin vjedhur rrugës.
Për aq sa u tha më lart, në mbarim të kësaj mbreseje leximi, do thënë se ky libër me kujtime, jo vetëm që na kthen në të kaluarën e shoqërisë dhe të vendit tonë, por, nga këndvështrimi im, është një pasqyrim besnik i realitetit politik, social, ekonomik, e kulturor të kohës. Hodgson e kujton pa ekoivoke Prishtinën, dhe Kosovën e asaj kohe, madje duke vënë paralele identifikimi e shënjimi në mes të Café Rostand-it në Paris dhe byrektores “Studenti” në Prishtinë. Prishtina e kohës, të cilën e përshkruan Hodgsoni, është shumëngjyrëshe, ashtu si vetë shoqëria kosovare, nuk është as e zezë (skajshmërisht e mohueshme), por as e bardhë (glorifikuese). Hodgson-i përmes kujtimeve të tij, nuk ngjall emocion as nostalgji për sistemin komunist jugosllav, as për “kohën e artë të Titos”, përkundrazi, ai më shumë dhe më mirë se kushdo tjetër, si i porsaardhur rishtas nga Gjermania Lindore, e kishte kuptuar se: “Coca-Cola e vendit ishte simpotma më e qartë e revizionizmit jugosllav”.
Hodgsoni, përmes kujtimeve të tij, përshfaq në esencë edhe sjelljen e shoqërisë shqiptare në Kosovë. Ai flet, për entuziazmin e studentëve, për ilirët, që buronte nga vetë “mitizimi për ilirët”. Hodgson, përshkruan edhe jetën ne fshatrat e Kosovës, doket dhe zakonet shqiptare, statusin dhe rëndësinë e odës, ceremonitë e dasmave, etj. Ai zë në gojë edhe kriptokatolikët, për të cilët kishte dëgjuar kur kishte ardhur këtu.
John Hodgson, kujtimet e tij i ka shkruar në gjuhën shqipe, me një stil, përmes të cilit, jo vetëm që rrëfen ngjarje e histori të përjetuara nga vetë ai, por jepin një tablo të shkëlqyeshme të Prishtinës së asaj kohe. Prandaj, si të tilla këto kujtime lexohen me një frymë dhe ta krijojnë ndjenjën se je duke parë një film të bukur, plot avantuara dhe dramë, plot situata tragjikomike, ashtu siç ka qenë dhe është edhe vetë historia e Kosovës.
Kah fundi i kujtimeve të tij, autori Hodgson bën një nënvizim interesant të fatit të tij, që e solli në Prishtinë, në një vend të panjohur. “E quaj me nafakë të madhe dhe të papritur që m’u dha mundësia të mësoja këtë gjuhë të bukur, me shtresëzime të llojllojshme, popullore, të asfaltuara, lokalizma. Me mënyrën habitore, që nuk e ka asnjë gjuhë tjetër, përveç sanskrishtes”, shprehet ai.
E, me këtë rast, unë them se ne ishim me fat që kishim John-in, atë “Harry Potter-in autentik”, të cilin avanturat e tij e sollën në Prishtinën tonë, në një kohë të vlimeve të mëdha politike e shoqërore. Prandaj, s’na mbetet asgjë jetër, veç t’i themi: Faleminderit John për këto kujtime të bukura që na i solle ma aq shumë çiltërsi! Ashtu siç u habite ti me habitoren e gjuhës shqipe, ashtu u habitëm edhe ne me mrekullinë e shkrimit tënd!