“Himni i Spaçit”, nga Zef Jushi
Thnegla të çuditshme mbi një kërcu vigan,
Atëherë kur jeta fle për me u përtri,
Të lodhur, të përgjumur, ngjitemi në kodrën tënde,
O mal i zymtë, i zi.
Asgjë prej jetës mbetur nuk na ka,
Veç syve të lodhur që në lartësi shikojnë,
Veç zemrave të ngashëruara, për dëshirë thà,
Që rrahin dhe shpresojnë.
Poshtë tok’ e zezë, lart një copë qiell na ngeli,
Ku fluturojnë orët, ëndrrat, shpresat mizore,
Qiell i gërvishur me shtylla e gjëmba teli,
Urrejtje e thellë njerëzore.
Ju muzikantë, artistë e poetë,
Pse nuk i lini njerëzimit për kujtim,
Brenga të thella të vazhdojnë gjithë jetën,
Gjer në asgjësim?
Thnegla thashë? … dhe jo larva,
Që presin krahë me u hedhë në fluturim,
E botën ta mbushin në ato ditë të bardha
Me mjaltë e pickim?
ObserverKult
Lexo edhe:
“NË PIJETORE UNË JAM ULUR”, HISTORIA E DHIMBSHME E KËNGËS SË KRIJUAR NË BURGUN E SPAÇIT