Qyteti i parë që shpalli pavarësinë, ishte qyteti i Elbasanit. Rrethanat historike si dhe në dakordësi me Ismail Qemalin, Aqif Pashë Biçakçiu (Elbasani) do të shpallte pavarësinë më 25 nëntor të 1912-ës, duke e bërë Elbasanin të parin qytet të Shqipërisë që shpalli mëvetësinë.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë sjell Deklaratën e Pavarësisë të Elbasanit, në të cilën shkruhej: “Shpallje për vetëqeverimin e Shqipnisë. Ne, populli i Elbasanit, pa ndonjë detyrim nga jashtë apo nga brenda, por nga dëshira jonë e lirë bashkë me të gjithë qytetet e Shqipërisë po ia bëjmë të ditur gjithë botës së qytetëruar, se sot e shpallim veten tonë plotësisht të shkëputur nga Mbretëria turke, duke u rreshtuar si një komb i lirë, i cili me ndihmën e të madhit Zot, mbrojtësit të të gjitha kombeve dhe me mbrojtjen e qeverive të Europës shpall se do të qeverisë me nder, drejtësi dhe paanësi të plotë, pa bërë asnjë dallim feje apo dogme.
Çdo shqiptar ose i huaj në këtë qeveri shqiptare, do të mundë të rrojë lirisht duke i gëzuar të gjitha të drejtat njerëzore. Edhe ne kemi ndërmend të rrojmë vëllezërisht edhe me shtetet fqinj, pa dashur t’u bëjmë as më të voglin dëm, por duke iu lutur të na ndihmojnë në qeverisjen tonë, sikurse na ndihmuan edhe në rrëzimin e qeverisë turke. Rroftë Shqipëria e lirë! Kështu e bëftë Zoti!”.
HISTORIA
Më 25 nëntor 1912, Elbasani shpalli i pari Pavarësinë kombëtare, duke vënë kështu gurin e parë në themelet e kësaj pavarësie. 35 patriotë nga Elbasani, por edhe rrethet e tjera të tij, shpallën pavarësinë e këtij qyteti në Shqipërinë e Mesme, duke ngritur të parët flamurin e Pavarësisë dhe duke i paraprirë pavarësisë së vendit në 28 Nëntor. Vështirësitë për të arritur deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ishin të shumta, pasi fati i kombit shqiptar ka kaluar nëpër disa orbita dramatike. Kryengritjet e njëpasnjëshme të shqiptarëve në vitet 1910-1911 ishin preludi i ngjarjes madhore që do të vinte më pas. Ushtria serbe po përparonte me shpejtësi në tokat shqiptare.
Ajo po i afrohej Elbasanit, çka i vuri rrethet patriotike të qytetit përballë detyrës urgjente të Shpalljes së Pavarësisë me qëllim që autoritetet ushtarake serbe të viheshin para një fakti të kryer. Edhe Aqif Pashë Elbasani, si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ismail Qemalit, ndihmoi për kryengritjen e përgjithshme antiosmane në vitin 1912, si dhe në organizmin e çetës së Elbasanit.
Ai bashkë me popullin e Elbasanit dhe me mbështetjen e Ismail Qemalit ngritën flamurin kombëtar më 25 nëntor të vitit 1912, dhe shpallën të parët pavarësinë duke i treguar ushtrisë serbe që po i afrohej Elbasanit, se kishte shkelur në vise të Shqipërisë së Pavarur. Shpallja e Pavarësisë ishte nder për Elbasanin, por edhe e drejtë legjitime për vendin, që zuri dhe rolin që luajti ky qytet në shpalljen e Pavarësisë kombëtare.
PROPOZIMI
Ideja që Elbasani të ishte kryeqyteti i Shqipërisë është që para shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar. Në vitin 1910, në librin “Brenga e Ballkanit”, Edith Durham, shkruan: “Elbasani ëndërron për një të ardhme të ndritur. Pozita e tij në qendër të vendit do të ishte ideale për kryeqytet”. Pak ditë para Shpalljes së Pavarësisë, më 8 nëntor 1912, Ismail Qemali, në një intervistë, dhënë gazetës kryesore vjeneze, “Neue Freie Presse”, pyetjes së gazetarit se cili do të ishte kryeqyteti i Shqipërisë, do t’i përgjigjej: “Kryeqyteti i Shqipërisë mund të ishte Elbasani për shkak të pozitës së tij qendrore, por rol të madh mund të kishte edhe Vlora…
Elbasani mund të ishte Uashingtoni, ndërsa Vlora, NjuJorku ynë”. Elbasani kryeqytet, ishte edhe kërkesë e Aqif Pashës, madje ai kishte marrë dhe premtimin e Ismail Qemalit. Kjo shprehej në një letër që Esat Pashë Toptani i dërgoi Aqif Pashës, më 8 shtator 1913, ku i kërkonte shkëputjen nga Qeverisja e Vlorës për t’iu bashkëngjitur qeverisë së tij. Përcaktimin e Elbasanit kryeqytet e përforcojnë edhe dy fakte të tjera.
Një letër që Lef Nosi, nga Vlora, ministër në qeverinë e Ismail Qemalit, i dërgonte nënës së tij më 21 Shkurt 1913, ku ndër të tjera i shkruante: “E dashuna im më. …Besoj se nuk asht për t’u vonumë ma puna, e për së shpejti do të vimë në Elbasan në Kryeqytetin e pastajshëm të Shqipniës së re….”. Po kështu, gazeta “Përlindja e Shqypnies”, organ i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, në numrin e datës, 3 nëntor 1913, shkruante se Princ Vidi për kryeqytet të shtetit të ri, do të zgjidhte Elbasanin. Zgjedhja do të ishte Durrësi dhe jo Elbasani, i cili e humbi mundësinë për t’u bërë kryeqytet./Gazeta Panorama
ObserverKult
Lexo edhe:
ARISTOTEL SPIRO: SI TË HYJMË NË EVROPË ME NJË ALFABET MODERN