Propozimi i Sami Frashërit: Kryeqyteti i Shqipërisë të bëhet Belshi i Elbasanit

belshi

Nga Arkivat Shqiptare është publikuar një fakt, mbase aspak i njohur prej publikut. Belshi në Elbasan, është propozuar të ishte kryeqytet i Shqipërisë dhe kjo zgjedhje mbante emrin e Sami Frashërit.

I konsideruar asokohe, si ‘kërthiza e Shqipërisë’, Belshi u propozua në shekullin XIX që të bëhej kryeqytet i vendit. Propozimi ishte nga Sami Frashëri. Sipas tij, Belshi kishte një pozicion të mirë gjeostrategjik, klimë të mirë dhe njihej si një zonë me kulturë dhe tradita.

Ideja nuk u pranua, por aktualisht, Belshi është kthyer në vend turistik.

Përmbledhje e historikut të Belshit 

Belshi është një qytet i vogël buzë liqenit me të njëjtin emër. Ndodhet në Jug-Perëndim të Elbasanit 30 km larg, një ndër qytetet e rajonit të Elbasanit. Belshi ka një popullsi si qytet, prej 14.337 banorësh dhe si Bashki, numëron 32.630 banorë.

Është vendbanim i lashtë ilir në afërsi të liqenit të Belshit.

Gërmimet arkeologjike në Gradishtë (2-3 km në Jug-Lindje të Belshit), dëshmojnë se aty ka qenë vendbanim i lashtë ilir. Kufijtë kronologjikë të banimit të kësaj treve përfshijnë periudhat e mëposhtme:

Periudha e bronzit të hershëm (3000 – 1100 p.e.s), periudha e Hekurit (1100 – 500 p.e.s), ajo antike Ilire (shek.V- I p.e.s.).
Periudha Romake (shek. I – IV e.s.), periudha e Antikitetit të vonë (shek. IV-VI e.s.) dhe ajo Bizantine (shek.VII-XI e.s.). Po ashtu edhe periudha Osmane (shek.XIV-XIX e.s.)


Nga gërmimet arkeologjike që janë bërë në Gradishtë (Belsh) është gjetur varri princëror dhe një pjesë e sendeve si helmetë, mbrojtëse gjunjësh, kazan bronzi, kullesë bronzi, krater me voluta etj. Ato gjenden të ekspozuara në Muzeun Arkeologjik Tiranë.

Në shek. IV p.e.s. ishte qendër port-urbane, ndërsa në shek. e IV-I p.e.s. u kthye në qytezë të fortifikuar të krahinës Parthinve.

Në këtë periudhë flitet për ekzistencën e një princi Ilir i quajtur princi i Belshit, i cili është varrosur me nderime të mëdha rreth vitit 350 para Krishtit. Ai është varrosur me të gjitha pajimet dhe stolitë e tij. Ishin rreth 70 objekte (qeramikë, armë, enë bronzi) dhe sot ai gjendet i ekspozuar në muzeun historik të lashtësisë dhe antikitetit të landit të Austrisë së sipërme në Asparm. (*Gazeta Panorama nr. 22 date 25 Korrik 2004 që i referohet Revistës Austriake “Obervesterreche” )

Objekte arkeologjike

Nga gërmimet arkeologjike që janë bërë në Gradishtë (qytezë ilire në afërsi të Belshit) nga arkeologu Neritan Ceka, janë gjendur mjaft enë qeramike (baltë e pjekur) shek. IV-II p.e.s.të periudhës qytetërimit ilir. Vlen të përmenden objektet siç janë enë balte pa vegje, me një ose dy vegje, portrete të ndryshme në terrakotë, stoli prej ari, enë prej bronxi, monedha, figurina dhe pllaka relievi, byzylyk argjendi, enë për pije me figurën e Afërditës, karfica dhe gjilpëra argjendi etj.

Jo larg liqenit të Seferanit ishte faltorja e Afërditës. Kulti i saj ushtrohej duke hedhur në liqen enë, terrakota, si dhurata për perëndinë. Qeramika me kokën e Afërditës zinte vend të veçantë në kultin e banorëve të qytetit ilir të Belshit. Ajo është bërë e njohur jo vetëm brenda vendit, si Afërdita ilire e periudhës helenistike të Belshit. Këto terrakote gjenden të ekspozuara në Muzeun arkeologjik Tiranë në një pavion të veçantë.

Gradishta vazhdon si qendër banimi dhe gjatë shek. I – V të e.s duke qenë pranë degëzimeve të rrugës Egnatia. Degëzim vinte nga Apollonia në Belsh dhe që lidhej me rrugën Egnatia nëpërmjet urës së Topciasit (urë mbi lumin Shkumbin në afërsi të qytetit të Elbasanit).

Në shek. e IV-VI të e.s. u rifortifikua me mure guri të lidhura me llaç. Më pas historia e tij ngjason me ato të vendbanimeve të vjetra fshatare. Për periudhën e shek.VII-XV nga gërmimet arkeologjike dëshmohet një rënie e theksuar e jetës në shekujt e parë dhe një rigjallërim të saj, deri në prag të pushtimit osman.

Në fillim të shek. 20, në vitin 1910-1912 në çeten e Byshekut që drejtohej nga Irfan Ohri që luftonte kundër Osmanëve kanë marrë pjesë dhe luftetarë nga zona e Dumresë (Enc. Elbasanit 2004 f.101). Edhe në luftën e Vlorës në vitin 1920, kanë marrë pjesë dhe luftëtarë nga Dumrea siç ka qenë Hysen Tabaku nga Karthneka (Enc. Elbasanit 2004 f 348).

Belshi gjithashtu, mëqenëse ndodhej në një nga degëzimet e rrugës Egnatia në shekujt e mëvonshëm luajti një rol dhe në lidhjen e Elbasanit me Lushnjen (deri në vitin 1925-26) dhe me Vlorën, si rrugë për karvanet nga Elbasani në Lushnje e cila ishte 10 orë udhëtim. Hanet (vendpushimet) ishin në Belsh e Rrasë, ndërsa për karvanet që shkonin nga Elbasani në Vlorë e cila përshkohej për 3 ditë, hanet ishin në Belsh dhe Kosovë të Lushnjes.

Në periudhën e regjimit të Zogut, Belshi ka qenë Komunë që përfshinte të gjithë zonën e Dumresë. Pas çlirimit në këtë zonë (1945-1946) pushteti ka funksionuar me kryepleqësi dhe në vitin 1947 u formua lokaliteti i Belshit. Gjithashtu në këtë zonë u krijua dhe lokaliteti i Kajanit në vitin 1958. Deri në vitin 1970 pushteti ishte i organizuar me lokalitete në Belsh e Kajan dhe Këshille Popullore të Fshatrave. Pas këtij viti me zmadhimin e kooperativave bujqësore, pushteti u organizua me Këshill Popullor të Bashkuar dhe Këshille Popullore të Fshatrave./konica.al

ObserverKult


Lexo edhe:

Thënie nga Sami Frashëri: Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato!