Kur them një verë
domethënë një vit e më gjatë,
Ç’është e vërteta
një foto e një lule më dhanë shkas.
E para,
kish brenda vetes vetmi,
pa çka se me këmbët në ujë
veshur kuq e zi.
Të dytës,
lules pra,
doja t’ia shpjegoja kuptimin: E ZVJERDHUR,
një mbiemër drithërues
nën abazhurin e dhomës
që desh të më thoshte:
E FTOHUR.
Iku një verë dhe unë pashë
nga gonxhet e lules tkurrur sa një mizë
sesi shpërthenin petale të zeezaaa
dhe i bëheshin fotos kornizë.
—————————
LEXO EDHE:
ADEM GASHI: VERA PO I MBLEDH DITËT E FUNDIT
Poezi nga Adem Gashi
Vera po i mbledh ditët e fundit
me fshesën e mjegullt e të rrallë,
se netët janë pjesa përposh tryezës
si flirtet e padukshme
në një maskëmball…
Po ikën vera
me heqamë e flamë,
duke e mbarsur vjeshtën me fruta dhe vetëtima,
me dekorin e përmort,
me të përjetshmin ritual.