Ilirian Zhupa: Unë nuk jam dita, e dashura ime, as nata…

Ilirian Zhupa hajne

Nga Ilirian Zhupa

Gjithmonë ke qenë e fshehur në vargjet dhe fjalët e mia, siç fshihet uji në mugullimën e barit,
Siç fshihet gjethi dhe lulja nën lëvoren e rreshkur të pemës, njollë e zezë nën degët e mpira.
Flokët e tu me krela që më mbulonin fytyrën, kanë qenë dallgët e shkumëzuara të detit dhe ajrit,
Drita dhe errësira.

Krahët e shpendëve nuk fërfërijnë nëpër natë, s’i besojnë pamjeve të veshura nga heshtja dhe terri,
Me kokat e tulatura nën pupla, bëjnë gjumin e bukur të çlodhjes dhe lagen nga ëndërra të bardha ndijimi,
Gjersa të ç’mpikset agu, si një alkimi e fshehtë nga brufullon dita me linja dhe ngjyra ylberi,
Triumfi dhe flijimi.

Po unë nuk jam dita, e dashura ime, as nata. Ashtu siç nuk jam mëngjesi, mesdita dhe mbrëmja,
Unë jam një shtjellë e beftë dëshirash, midis klithmës dhe mekjes, midis zgjimit të beftë dhe gjumit,
Midis lëndës së gjallë dhe gjendjes, midis epshit të ndezur dhe stepjes, si midis jetës dhe vdekjes,
Diçka midis zjarrit dhe brumit.

Kështu janë dhe fjalët e mia që t’i nis përditë, si mesazhe që hidhen në det, mbyllur mirë në shishet e vargjeve,
Në mos mbërrifshin te ty, me siguri do të mbërrijnë në rrjetat e peshkatarëve.

*Titulli i origjinalit: “Fjalët e mia për ty”

ObserverKult

______________________

Lexo edhe:

ILIRIAN ZHUPA: ËSHTË VONË TË MË MUNGOSH, E DASHURA IME!

Është vonë të më mungosh, poezi nga Ilirian Zhupa

Më mungojnë shumë gjëra, po ti më mungon e para.
Rruga më shtyn me bërryla, sikur do të më nxjerrë në skaj.
Atje, nëpër stola, rrinë ulur ca pleq me fytyra të bardha
Dhe të gjitha fytyrat ngjajnë.

Unë ku të shkoj? Unë kë të ndjek? Unë kujt t’i flas?
Shkoj në biblioteka dhe librat më kërrusin nga dashuria,
Ndjek fluturimin e shtërgjve dhe në…

Shkrimin e plotë e gjeni KËTU.

ObserverKult