Oh! sikur mbrapsht, të kthehej koha
vitet që rrojta der’ sa të njoha.
Vite të vdekura, shkepëtimë rrufeje
vitet që ti nuk ishe pranë meje.
Një lumë që rrodhi në gurë e rrëmba
që dot nuk freskoi as bar, as gjëmba,
që toka e thithi në shpella të errta
dhe gjurmët i humbën në fushat e blerta.
Ah të më ktheheshin, prapë t’ i jetoja
me puthje të zjarrta, do t’ të përvëloja,
do t’ishe e vetmja, që mund të më prekje,
që ditën e lindjes e deri në vdekje.
Të fala veçse një gjysmë jete!
Njëmijë të tjera t’i kisha për vete,
ashtu siç duhej të t’ adhuroja…
Ah! të më ktheheshin, gjë tjetër s’ doja!
Shqipëroi: Arqile Garo