Esenin: Të shoh në sy dhe ndjej inat…

sergej esenin tanjusha...

Të shoh në sy dhe ndjej inat,
diç më rëndon në kraharor.
Mes nesh i heshtur, i pamatë,
trishtimi i shelgut në shtator.

Një tjetër buzët t’i thëthiu,
dhe kurmin tënd me drithërimë.
Tani pikojnë bulëza shiu,
nga shpirti yt në regëtimë.

Hajt pra u bë! Unë nuk kam frikë,
diku do ketë një gaz për mua.
Pse ndihem si hajvan një çikë,
dhe pse jam zverdhur, si limua.

Eh, ç’ ta vë vetën në merak,
do buzëqesh qoftë dhe me mund,
shtigjet e shkelura janë pak,
porse gabimet janë pa fund.

Jetë qesharake, spazmatike,
dhe po e tillë ka për të qenë,
si një varrezë e lashtë antike,
me eshtra panjash ndënë hënë.

Kështu do tretem edhe unë,
një ditë, si pemët në varreza…
siç lulet dimrit nuk kanë punë,
dhe unë, s’do vishem me të zeza.

1923

Shqipëroi: Arqile Garo

LEXO EDHE: Sergej Esenin: As ta kujtoj nuk dua…