Irena Kuka Dragoti: Kur të kthehem, a do më mbajë mend njeri…

Poezi nga Irena Kuka Dragoti

Po digjem mallit,
si dielli digjet n’vete,
me athëtirën që mjegulla ia vesh liqeneve.
Po digjem mallit…
Gjethet e sapoçelura i nis si lajmëtarë,
drejt legjendash Doruntine që u fikën,
pa gjetur një portë të hapur,
nënë nuk kam, as kuaj të zinj;
Kostandini është gjallë,
por më rrëqeth errësira.
A e di?
Bletët sillen si flutura
me iluzione shtegtimesh,
kurse unë shoh ëndrra mjalti në vendin tim.
Po digjem mallit…
Brenda syve të shpirtit qaj,
si një fëmijë që sapo ka njohur prindërit,
kur ata i ikin larg.
Këtu ku jam,
malli më gdhend të shkuarën tatuazh.
Jam një huti që derdhet kujtimesh
me zemrën plot dallgë
jam një frymë që pikon premtime,
për të gjetur ditëve ngjyrat dhe guximin.
Po digjem mallit…
Koha po bie horizontalisht si një shtrat,
malli ecën me mua,
njëtrajtshëm…
I kalaqafem mallit si një rrugë vertikale;
hapat ma lexojnë fatin,
me fjalët e këngës që këndoj nën zë,
A do më mbajë mend njeri
kur të kthehem në shtëpi, vallë…?!

*Titulli i origjinalit: “A do më njohë largësia?”

ObserverKult


Lexo edhe:

ROBERT SHVARC: OH, FALMË, FALMË MIKJA IME…