Irma Kurti: Dua të jetoj në një vend pa emër

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtarja Irma Kurti.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
– Ekzistojnë vetëm grimca lumturie që ndizen e fiken si xixëllonja.  Lumturia ime më e madhe do të ishte të rrija vetëm për një çast, si atëherë fëmijë, në përqafimin e prindërve që më mbronte nga të gjitha mizoritë e botës.

Cila është frika juaj më e madhe?
Një sëmundje e rëndë, me një kalvar vuajtjesh që do të më detyrojnë t’i them botës “lamtumirë”, pikërisht atëherë kur kam shumë ide, vargje e rreshta për të shkruar.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
– Gratë shkrimtare të suksesshme në botë të cilat më bëjnë të ëndërrojnë dhe më frymëzojnë: Harper Lee, Danielle Steel, Charlotte Link, Isabel Allende, Alice Sebold, Oriana Fallaci, Alda Merini, Susanna Tamaro.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
– Nuk e kam menduar asnjëherë një gjë të tillë…

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
– Ndjeshmëria, xhentilesa e tepërt si dhe vështirësia për të shqiptuar: “jo.”

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Mosmirënjohja, hipokrizia e fodullëku.

Në cilat gjëra e teproni?
– Në analizat pafund të karaktereve njerëzore dhe jo vetëm në librat që shkruaj…

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
– E urrej gënjeshtrën dhe tek ajo falem shumë rrallë. Do ta bëja ndoshta me synimin që të mos lëndoj një njeri të dashur…

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Rruga Romantike në Gjermani, një udhëtim mes gjelbërimit, pemëve të mbushura me mollë, qytezave të vogla që ta mbushin shpirtin, me ndalesën e fundit në Urzburg, në urën e të cilit buzëmbrëmjeve gjen me qindra njerëz që pijnë një gotë verë duke fiksuar perëndimin e diellit.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

– Mi manchi- Më mungon!

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Që u kam falur shumë kohë, dashuri, mirësi dhe shpirt njerëzve që nuk e kanë merituar.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Pa dyshim, prindërit e mi Hasan Kurti dhe Sherife Mezini. Çdo dashuri tjetër është e destinuar të fiket apo të shndërrohet në forma të tjera që janë kopje e zbehtë e origjinalit.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

– Ditë frenetike dhe të ngarkuara me materiale të cilat kanë një afat për t’u dorëzuar. Kjo përkthehet: pak e stresuar.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

-Të dëgjoj zërin e vetes dhe të mos përfshihem aq shumë emocionalisht në historitë dhe dhembjet e njerëzve të tjerë…

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
– Faktin që plot libra të mi në poezi e prozë “flasin” italisht.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

-Do t’u thoja çdo ditë mijëra herë: “ju kam xhan” prindërve të mi që nuk jetojnë më.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Një gjethe vjeshte…

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
-Talenti dhe këmbëngulja.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Një jetë pa dashuri dhe pa ëndrra.

Ku do të dëshironit të jetonit?

-Jam e lumtur në Itali, por shpesh ëndërroj të jetoj në një vend pa emër, të qetë, të braktisur, pa njerëz, pa kaos, pa celularë.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
– Humorin , inteligjencën, korrektesën, modestinë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?

– Ato që thashë më lart, por edhe tolerancën dhe shpirtin e sakrificës.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
-Përveç autoreve që përmenda më sipër mund të veçoj shkrimtarët: Sidney Sheldon, Philip Roth, Nick Hornby, Nicholas Sparks, Jostein Gaarder.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Nënat që arrijnë të bëjnë karrierë dhe të jenë të suksesshme në çdo sektor të jetës.

  Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Kompozitore…për të muzikuar tekstet që shkruaj.
 
Si do të dëshironit të vdisnit?

-Me simfoninë e përplasjes së dallgëve të detit në sfond dhe duke mbajtur në pëllëmbë dorën e njeriut që dua.

Cila është motoja juaj?

– “Është më mirë të jesh optimist dhe të gabosh se sa të jesh pesimist dhe të kesh të drejtë.” (Albert Ajnshtajn) / ObserverKult