Pyetësori i Prustit: Geverina Muzhaqi

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtarja Geverina Muzhaqi.

Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia e përkryer është veçse një iluzion efemer. Lumturia e vërtetë qëndron pas copëzave të kujtimeve, të ledhatimeve e të vështrimeve, që përjetojmë nga pak çdo ditë.

Cila është frika juaj më e madhe?
Të mos shkruaj më e t’i mbys një e nga një personazhet ende pa i ngjizur.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Janë tre: bashkëshorti dhe dy krijesat e mia, të cilat i brumosa me shpirt…

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Sevasti Qiriazi si nismëtare e arsimit për femrat në vendin tone dhe si modeli i femrës së fortë e të kulturuar për të cilën ka nevojë çdo trevë shqipfolëse e jo vetëm.

Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?
Shpeshherë i lë pas dore njerëzit më të dashur për të njohur ‘të panjohur’ që i shpik brenda botës sime.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Injoranca dhe arroganca e fshehur pas edukimit kinse të mirë.

Në cilat gjëra e teproni?
Përhumbem në botën e fantazisë dhe ngandonjëherë harroj të dal.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Kam dalë në përfundimin se gënjeshtra i bën keq shëndetit.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Ai ku mund të shoqërohem nga njerëz të sinqertë.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Një frazë të shkëputur nga një prej romanet e mi: Gjithçka mbaron kur duhet të fillojë diçka tjetër.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Që e kam kaluar fëmijërinë e strukur nën një tryezë…

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Bashkëshorti dhe fëmijët. Mbarë bota vjen pas tyre.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Një furacake e gjendur në një ballo me maska…

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?Të bëja paqe me kohën; nuk kemi raport fort të mire.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Realizimin e dy ëndrrave të mia të ngahershme: që ndihem e plotësuar personalisht dhe që shkruaj pandërprerë.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Asgjë, se do isha ndryshe nga ajo që jam sot.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Do vazhdoja të isha një njeri që nuk i druhet pasqyrës…

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Njerëzore, familja. Materiale, kompjuteri me të gjitha projektet krijuese për të ardhmen.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Të jetosh në një shoqëri ksenofobe, ku pjesa më e madhe nuk dëshiron të përmirësohet, se mendon se i ka mësuar të gjitha.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Çdo cep i botës është pjesë e saj. Lum ai që jeton i rrethuar nga njerëz që e duan, pak rëndësi ka se ku.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Të zotërojë aftësinë ta dëgjojë atë që ka për të thënë një femër; kjo tregon kulturë, vetëbesim, komunikim dhe burrëri të vërtetë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Të shkojë përtej bukurisë fizike e të rrezatojë kulturë, finesë, tolerance dhe shumë dashuri, për të cilat ajo karakterizohet.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Kundera, Wilde, Allende, Murakami, Saramago: ata që përtej artit të fjalës, zotërojnë një univers të tërë magjepës për t’u zbuluar.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Janë ata që hasim në përditshmëri, një mësues i përkushtuar, një mjek që shpëton një jetë, një polic që nuk përkulet nga një rryshfet, një edukatore që i mëkon me dashuri fëmijët e jetimores, një njeri që bën bamirësi dhe nuk mburret, një nënë që u mëson të bijve të mos u mungojë respekt të tjerëve: heronjtë e vërtetë u rrinë larg reflektorëve…

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të pasqyroja në veprat e mia dhimbjet njerëzore dhe ringritjen prej tyre, gjë që rrekem ta bëj çdo ditë. Sepse nëpërmjet kulturës, e veçanërisht nëpërmjet letërsisë, mund të bëhemi njerëz më të mire…

Si do të dëshironit të vdisnit?
Nuk më tremb ideja e vdekjes, me tremb vdekja e pakuptimtë, si për shembull në gjumë. Do të doja të ndihesha gati përpara se të shkoja në atëbotë, e jo të ikja papritur.

Cila është motoja juaj?
Dashuro, kërko falje dhe falëndero, sepse jeta është një dhuratë shumë e bukur për ta shpërdoruar…/ Gazeta Observer