Ismail Kadare: Edhe kur kujtesa…

ismail kadare
Ismail Kadare

Ju ftojmë të lexoni poezinë “Edhe kur kujtesa” të shkrimtarit, Ismail Kadare!

Edhe kur kujtesa ime e lodhur
Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës
Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,
Unë ty s’do të harroj.

Do të kujtoj
Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,
Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim
Si një dëborë e pashkundshme.

Ndarja erdhi
Po iki larg teje…
Asgjë e jashtëzakonshme,
Veç ndonjë nate
Gishtat e dikujt do të mpleksen në flokët e tu
Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë…

ObserverKult

——————-

Lexo edhe:

ISMAIL KADARE: A I ËSHTË DASHUR LETËRSIA NJERËZIMIT?

Ismail Kadare

A i është dashur letërsia botës? Ndoshta nuk do të kishim të drejtë ta bënim këtë pyetje që të kujtonim autorët e dobët të TV-it, kur përpiqen të gjallërojnë një bisedë shterpë, sikur pyetja të mos ishte bërë, ndërkaq, mijëra vjet më parë.

Dihet që ka pasur dy lobe të kundërta: pro dhe kundër letërsisë.

Letërsia, pra, ka lindur bashkë me një mohim, me një pengesë. Sado që në pamjen e parë të duket si e habitshme, po të mendohemi pak, do të vijmë në përfundimin se ky negacion i shkon letërsisë, madje fare natyrshëm.

Negacioni dhe letërsia janë të së njëjtës racë. Shkurt, më shumë se nga engjëlli, letërsia duket si e prirë nga djalli.
Le ta shikojmë në mënyrë fare të thjeshtë gjithçka. Letërsia, domethënë poemat e para orale, kanë, zakonisht, për subjekt kthimin nga një udhëtim i gjatë, rrëfimin për ato ç’kanë ndodhur atje larg, në kufi të shtetit, të shkretëtirës ose të vdekjes.

Udhëtarët e parë që ktheheshin nga larg, ishin, praktikisht, edhe shkrimtarët e parë. Duke ecur drejt vendit të tyre, në vetminë e rrugës, truri i tyre i përpunonte ngjarjet në mënyrë që gjatë rrëfimit ato të ishin sa më interesante për dëgjuesit. Kështu, në udhë dilnin dialogët, përtëriheshin ngjarjet, dendësoheshin ngjyrat, theksohej diçka e diçka tjetër fshihej.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU

ObserverKult