Ismail Kadare: Fund vjeshte

Autobuzët urbanë nga periferitë,
drejt qendrës mbi xhama bien brymën,
vjeshta si luaneshë krifëverdhë,
ruan ditët e fundit nga dimri.

Te vitrinat, tek xhamat e kafeve,
kalimtarë të shumtë ka,
në reflekset e flokëve të tua,
një nuancë e kuqërremtë ra.

Pranë ditëve të tua të bardha,
kalova sot rastësisht,
ti u trembe?…unë ujk nuk jam,
as dele nuk jam natyrisht.

Po ti eja andej të shkojmë,
pa i përfillur fjalët e botës,
ku nga avulli xhamat e kafeneve,
ngjajna si pamje që s’janë në fokus.

Në autobuzët urbanë eja,
të kalojmë periferive me brymë,
të shohim se si vjeshta krifëverdhë,
ruan ditët e fundit nga dimri.