Plazhet në dimër, poezi nga Ismail Kadare
Shtrirë para nesh humbëtirë e plazheve,
Hapësirë e gjerë si në poemat e Naim Frashërit.
Plazhet të mbetur bosh pa stinën e verës
U ngjajne guackave që iu kanë marrë perlat.
Përbri tyre lokomotivat fishkëllejnë së largu,
Tek tërheqin trenat plot me mollë të lagëta.
ObserverKult
——————————————-
Lexo edhe:
ISMAIL KADARE PËR HAVZI NELËN: NJË POET U LËKUND NË TRIKËMBËSH, NË QYTETIN VERIOR TË KUKËSIT…
Nga Ismail Kadare
Po ju dërgoj mesazhin tim të solidaritetit, për përkujtimin e poetit martir Havzi Nela. U mbushën njëzet vite që iu mor jeta, me një nga format më të vjetra e më barbare të dënimit që ka njohur njerëzimi: me varje. Vetë kjo formë e sidomos ky afat njëzetvjeçar, tingëllojnë të pabesueshme.
Prej kohësh nuk ka patur vrasje poetësh në kontinentin europian. E aq më pak prej kohësh nuk ka patur varje, por Shqipëria nuk bënte pjesë as në Europë as në kontinentin e qytetëruar të popujve. Shqipëria në vitin 1988, në prag të rënies së komunizmit, ishte ende një njollë e zezë në hartën e kontinentit, një njollë e turpit dhe e krimit në shkallë planetare.
Rendi komunist i egërsuar nga shenjat e para të lirisë, ashtu si bisha që egërsohet prej sinjaleve të dritës, donte të jepte një mesazh të kundërt me shpresën. Një mesazh frikësimi dhe tmerri. Dhe, për të qenë i besueshëm se ende nuk do të bënte asnjë lëshim, për të bindur të tjerët dhe veten e vet se ende ishte i aftë të vriste, zgjodhi formën më barbare të marrjes së jetës: varjen me litar.
Tekstin e plotë e gjeni KËTU