Ismail Kadare: Vdekja e gruas ruse

Nina F. moskovite. Martuar më 1956 me një oficer shqiptar. Pas fjalëve të dua, erdhën shëtitjet në parkun Gorki, telefonimet nga kabinat e mbuluara me borë, dënesat s’do të më harrosh etj.,etj,.gjer te: qytetare Nina e pranon për burrë A.D. Dhe pastaj nënshkrimet, këmbimi i unazave, ardhja dhe muaj i mjaltit në Shqipëri .

Tani ajo është shtrirë në arkivol në mes të dhomës së apartamentit, mijëra kilometra larg vendit të saj. Ka vite që s’ka marrë letër nga të vetët (letrat ishin të rralla pas prishjes së  marrëdhënieve dhe vitet e fundit pothuajse janë prerë). Ajo nuk ka ditur saktësisht kush ka vdekur e kush është gjallë në familjen e saj, ashtu sikurse nuk do ta marrin vesh kurrë saktësisht nëse ajo ka vdekur vërtet e, aq më pak, vitin e vdekjes.

Rrotull arkivolit një grumbull grash e qajnë në gjuhë të huaj. Janë motrat e oficerit, plaka tashmë. Për shkak të shamisë me lule me të cilën ia kanë lidhur kokën, ajo ngjanë edhe më shumë ruse dhe akoma më të trishtueshme e bën kjo e qarë në gjuhë të huaj për të .

Rrallë është vajtuar një grua nga kunatat e saj me kaq ngashërim. Ky është një mendim që edhe në qoftë së nuk thuhet me zë, ndihet menjëherë. Ashtu siç ndjehet shpjegimi për të: qajnë në radhë të parë vetminë e saj. E me siguri; të tyren.

Në të djathtë të arkivolit, pas shpinës së grave ngrihet një raft librash. Midis titujve, spikasin librat që flasin për prishjen me Bashkimin Sovjetik, kryesisht librat politikë të udhëheqësit të vendit. Midis tyre dhe gruas ruse shtrirë në arkivol është dënesa e grave.

Ora e varrimit po afron. Lëvizja në apartament bëhet më e dendur, sjellin mbulesën e arkivolit, gjëmojne gozhdët që e mbërthejne.

Pas pak, autobusët me njerëzit e përzishem ecin drejt varrezës perendimore të qytetit.

Është një ditë e lagët, me shi.  Megjithatë askush nuk largohet para kohe nga gropa.

Një grua, anëtare e kryesisë së Frontit të Bllokut, mbanë një fjalë fare të shkurtër, ku thotë se Nina F. ishte nënë dhe bashkëshortore e mirë dhe një punonjëse e ndërgjegjshme, që në punën dhe jetën e saj kishte pasur përherë parasysh mësimet e partisë dhe të udhëheqësit të saj.

Asnjë fjalë për kombësinë e saj, atë kombësi që i kishte dhënë asaj vetminë më të madhe që mund të përfytyrohet. Lamtumirë, Nina !

Këto fjalë janë të vetmet fjalë të natyrshme që thotë anëtarja e kryesisë së Frontit. Po më e natyrshme se ato është zhurma e baltës dhe guriçkave që bien mbi arkivol, me një gjuhë universale, shumë më të kuptueshme se ajo e njerëzve, ndonëse varrin për gruan e vdekur nuk po e jep toka e gjerë ruse, por trualli i ngushtë shqiptar, i cili mezi mjafton për varret e të vetëve.

1985