Izet Abdyli: Për buzëqeshjen tënde

Nuk i gjej dot fjalët metaforat rimat
që buzëqeshjen tënde n’vargje ma qëndisë
vallë je Monaliza a Beatriqja Dantes
apo nga legjenda perria ka zbritë

herë vjen si këngë e kanarinës së bukur
herë si melodi e fyellit në pyll
herë si gurgullim’ e ujëvares së lumit
herë si rreze hëne që natën vezullin

e prapë mungon fjala, metafora e rima
buzëqeshjen tënde në varg ma skalit
vallë janë notat muzikore derdhur në arie

apo je liqeni ku më notojnë sytë

herë ngjanë me petale lulesh që valëviten
herë ngjanë me nektarin derdhur plot aromë
do lëvizë figurat, tropet e metaforat
buzëqeshjen ta zbërthej heret apo vonë.