Jaime Sabines: Nuk po vdes për dashuri, po vdes për ty


Vdes për ty, e dashur, nga dashuria për ty,
unë nuk duroj dot më pa praninë tënde,
as shpirti im, as buzët e mia nuk durojnë dot,
ta dish se e kam të pamundur të jetoj pa ty.

Vdes për ty dhe për vete, vdes për të dy,
vdes për ne, për këtë vdes,
me zemrën copë, i dërrmuar,
po vdes, vdeksha, le të vdesim.

Le të vdesim në dhomën time, që jam vetëm,
në shtratin tim ku ti nuk je,
në rrugë pa ty në krahun tim,
në kinema dhe në park, në autobus,
ku kokën mbështesje në supin tim
dhe dora ime tënden shtrëngonte
dhe mua më dukej se ti ishe unë.

Vdesim duke dhënë frymë njëri-tjetrit,
por pa puthje mos vdeksha kurrë.
Mbi barkun tënd le të vdes, e dashur,
mbi kofshët e tua të buta dhe lëmake,
mbi trupin tënd të ëmbël, vdes pa merak.
Vdes për trupin tim dhe për trupin tënd,
për vdekjen tonë, e dashur, vdes dhe vdesim.
Në pusin e dashurisë rënçin përherë,
i pangushëlluar, me klithma,
brenda meje, po them, ty të thërras,
të thërrasin ata që lindin, ata që vijnë
pas teje, ata që ty të arrijnë.
Vdesim, e dashur, asgjë nuk bëjmë
veç se vdesim, orë pas ore,
dhe na shkruajnë, na flasin dhe vdesim.

Në shqip: Bajram Karabolli

ObserverKult

———————–

Lexo edhe:

NGA MË TË VLERËSUARAT E SABRI HAMITIT, POEZIA: PASKAJORE