Prof. Agim Vinca
Jakov Xoxa (1923-1979) nuk la autobiografi të shkruar, as nuk shkroi ditar dhe kujtime si shumë krijues të njohur, shqiptarë e të tjerë. Si shkrimtar ai shkroi biografinë shpirtërore të trevës nga vinte, sagën e Myzeqesë dhe të fshatit shqiptar në përgjithësi, ndërsa për jetën e tij, të lidhur ngushtë me veprën, mësojmë nga familjarët, miqtë dhe studiuesit e veprës së tij.
Figura e Jakov Xoxës si njeri dhe shkrimtar del më së miri në veprën e tij të gjerë letrare, që përbëhet nga romane të vëllimshme: Lumi i vdekur (1965) Juga e bardhë (1971) dhe Lulja e kripës (1980), pa harruar as novelat (Novela I dhe Novela II) dhe dramat (Buçet Osumi dhe Zemra),[1] që u paraprinë romaneve dhe përgatitën terrenin për krijimin e tyre, mirëpo për rindërtimin e imazhit të tij si njeri dhe krijues nuk janë pa rëndësi as shkrimet që u shkruan për të në formë kujtimesh, të cilat do të jenë objekt i interesimit tonë në këtë rast.
Informacionin e parë më të plotë mbi Jakov Xoxën si njeri dhe shkrimtar na e ofron bashkëshortja e tij, Dhurata Xoxa.
Në vitin 1985 zonja Xoxa, redaktore në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, botoi te revista “Nëntori” shkrimin me titull: Njerëz, ngjarje dhe vende që mbetën në shënime dhe me nëntitull: Nga blloku i shkrimtarit Jakov Xoxa, në të cilin sjell të dhëna e dëshmi të shumta, të panjohura më parë, për planet krijuese të të shoqit, për mënyrën si jetonte e punonte ai, me një fjalë për fizionominë e tij si njeri dhe shkrimtar.
Kujtimet e saj kapin periudhën 1959-1979, kohë kjo që paraqet fazën më të frytshme në jetën krijuese të Jakov Xoxës.
Në kujtimet e Dhuratës, flitet edhe për projektin e madh prej pesë romanesh në formë “Iksi”, të cilin autori i Lumit të vdekur e kishte skicuar me kujdes në fletoret e tij.[2]
Në shkrimin e saj, bashkëshortja e shkrimtarit jep edhe fragmente nga veprat e pakryera të Xoxës: Dielli lind nga malet dhe Ari i zi, të mbetura në fletoret e shënimeve, gjë që tregon se me ç’seriozitet e kishte marrë ai pentalogjinë e tij, që ishte një projekt i madh letrar, ndër më të mëdhenjtë e letërsisë shqipe.
Fillimisht zonja Xoxa kujton gëzimin e të shoqit për vendosjen e tij në Apolloni në kohën kur shkruante Lumin e vdekur. “Më në fund e gjeta dhomën e lirë në muzeun e Apollonisë. Sa mirë! Afër janë fshatrat (…) me një histori vuajtjesh e luftërash dhe në muze një kënd i qetë!”[3] – thuhet në një nga shënimet që shkrimtari ka lënë në fletoret e tij.
Xoxa, siç dëshmon e shoqja dhe biografët e tjerë të tij, hante, pinte e flinte në këtë dhomë; dilte në shëtitje fshatrave; takonte fshatarët; bisedonte me ta; dëgjonte rrëfimet e tyre dhe mbante shënime; shënonte fjalë e shprehje të rralla dhe, herë-herë, edhe ndonjë ngjarje të veçantë nga e kaluara; kthehej te “këndi i tij”; lexonte e punonte – shkruante vazhdimisht dhe, kur vinte puna për të daktilografuar e redaktuar materialin e shkruar me dorë, kthehej në Tiranë.
Kishte natyrë përgjithësisht të butë dhe ishte i rregullt në punë.“Vendin ku punonte e donte të pastër, të rregullt e të sistemuar me shije”, ndryshe nuk mund të punonte.[4] Ishte i dashur e i kujdesshëm me anëtarët e familjes, gruan, djemtë dhe të afërmit e tjerë, sikundër edhe me miqtë dhe kolegët, por“jetën e tij dhe të familjes ua nënshtronte interesave të punës së tij krijuese”.[5]
Dihet se Xoxa ishte shkrimtar që bënte një punë të madhe paraprake për hartimin e veprave të veta. Nga kujtimet e së shoqes, Dhuratës, por edhe të mikut dhe bashkëvendësit të tij Kristaq Shtëmbari, mësojmë se me honorarin e romanit Lumi i vdekur, që u botua në vitin 1965, ai bleu një motoçikletë, me të cilën udhëtonte nga një vend në tjetrin, veçanërisht në Myzeqe, për të kontaktuar më lehtë me njerëzit dhe për të mbledhur materialin që i duhej për veprat e veta.
Bashkëshortja e shkrimtarit përmend një nga vizitat që i bën të shoqit në Apolloni, duke përshkruar në mënyrë mjaft tërheqëse pamjen dhe bukuritë e atij vendi.
“Ishte pranverë kur vajta për herë të parë dhe mbaj mend se mbeta e mahnitur nga ato peizazhe të bukura, që shtriheshin ngado rreth e qark. Fusha e Hoxharës (aherë kënetë), që fillonte buzë kodrës ku binin dritaret e dhomës së Jakovit e shkonte deri në det, fshati Pojan, Shënpjetra humbur midis gjelbërimeve, Kryegjata me ato bregore, fusha, rrugë e brrylakë, Shtyllasi, me shtyllën e tij antike dhe vetë kodra e Apollonisë, në majë të së cilës qëndronte muzeu me aq shumë objekte të çmuara të lashtësisë (…) si monument i kulturës së lashtë të popullit tonë. Të gjitha këto mahnitin këdo që i sheh, sa i japin menjëherë të drejtë Jakovit që e donte aq shumë këtë vend. Po kushdo që e shikonte Jakovin si qëndronte e bisedonte me fshatarët, sa i afërt ishte bërë me një pjesë të tyre, e kuptonte se nuk ishin aspak bukuria e natyrës apo “këndi i qetë” i muzeut që e largonin nga shtëpia dhe familja. Ishin pikërisht ata njerëz të thjeshtë, kërkesat e tij si shkrimtar për të qenë pranë tyre, për t’u futur në jetën, në botën, në punën, në shqetësimet dhe gëzimet e tyre që e bënin të qëndronte me kënaqësi, në atë ambient të thjeshtë, edhe me privacione. Këto sakrifica ai i bënte se nuk mund të qëndronte dot pa u lidhur me vendet e njerëzit të cilët do të ishin prototipat e personazheve të tij”.[6]
Siç mund të shihet qartë nga ky paragraf, motivi kryesor që e nxiste Jakov Xoxën të kalonte një pjesë të madhe të kohës së tij larg familjes (fillimisht në Apolloni, kurse më vonë edhe në Ballsh), nuk ishte natyra, por njerëzit: prototipat e personazheve të tij.
Zonja Xoxa rrëfen gjithashtu se i shoqi, i dhënë me mish e shpirt pas punës krijuese, kalonte shumë kohë në vetmi, por nuk e ndiente vetminë, sepse shoqërohej me personazhet e tij. “… jetonte me ta, i mendonte shumë e fliste për ta sikur të ishin njerëz të vërtetë…”[7]. Kur shkova në Pojan dhe pashë qetësinë që sundonte atje, i thashë: “Si rri vetëm ti këtu ?!”… Ai qeshi me gjithë shpirt dhe m’u përgjigj: “Vetëm?!… Ohu sa njerëz kam unë pranë meje e brenda meje…”.[8]
Episode të tilla kemi dëgjuar të rrëfehen vetëm për shkrimtarët e mëdhenj si Balzaku, Stendali, Zolai, Floberi, Dikensi, Dostojevski, Tolsoji etj., që mund të thuhet se edhe ishin model i shkrimtarit tonë.
Ishte aq i mishëruar me personazhet e tij sa ndodhte t’i shihte edhe në ëndërr. Në një nga fletoret e tij ka përshkruar një ëndërr të trishtueshme, nga e cila zgjohet pas ulërimës së Vitës për rrezikun që i kanoset Adilit, si të bëhej fjalë vërtet për njerëz të gjallë e jo për personazhe të trilluara nga fantazia e shkrimtarit.[9] Në një rast tjetër, bën portretin e një vajze që e ka parë në stacionin e trenit dhe thotë: “Ishte tamam si Shpresa ime” (personazh i Jugës së bardhë). Një qëndrim pak a shumë të ngjashëm, emotiv, ai kishte edhe ndaj personazhit të Gruas së Mallkimit të romanit Lulja e kripës, e cila vuan dramën e pamundësisë për t’u bërë nënë, aq sa kur fliste për të, thotë Dhurata: “i njomeshin sytë”.[10]
Me interes të veçantë janë shënimet e Jakovit për dy romanet e tij që nuk arriti t’i shkruante: romanin me temën e industrializimit të vendit: Ari i zi dhe atë me temën e luftës antifashiste: Dielli lind nga malet. Xoxa ka lënë në fletoret e tij shumë skica e shënime për këto dy romane. Nga këto shënime mësojmë “fatin” e familjes kosovare Tafilaj në vitet e Luftës së Dytë Botërore, e cila solli tronditje të mëdha në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, jo rrallë, madje, edhe brenda së njëjtës familje. Mësojmë, ndër të tjera, për përplasjen ndërmjet Adilit partizan dhe xhaxhait të tij, Ferhatit, ballist; për rënien e Adilit dëshmor në luftë etj.
Falë këtij përkushtimi fanatik ndaj punës krijuese ai arriti të krijonte galerinë e gjerë të personazheve të tij, ku spikasin “çifti më i bukur i letërsisë shqipe”, Vita dhe Adili.
Xoxa ishte mjeshtër i depërtimit në psikën e njerëzve, sidomos në situata të vështira jetësore, në të cilat ata bien për arsye sociale, politike, shoqërore dhe intime. Shikuar nga ky aspekt veçohen sidomos personazhet kryesore të romanit Lumi i vdekur: Pilo Shpiragu, Sulejman Tafili, Ferhati, Llazi, teto Konxheja, Koz Dynjaja, Suat bej Vërdhoma, vëllezërit Gjanica, Kozma Ndreka (Vitën dhe Adilin i përmendëm më sipër); Paci, Miltoja, zonja Ermion, Mellania, Patra ose Gruaja e Mallkimit, burri i saj Llambro Dosari dhe i vëllai i tij, Pavllo Dosari, e shumë personazhe të tjera te Lulja e kripës, si dhe Shpresa, i dashuri i saj, Ylli, inxhinieri Agron Omiri (emri i tij mund të lexohet edhe si: agronom i ri), Diellza dhe posaçërisht Kiu Korroziu te Juga e bardhë etj.
Shkrimtar me përkushtim të rrallë ndaj punës së tij krijuese, Xoxa bënte një punë të madhe përgatitore para se t’i hynte krijimit të secilës vepër të re të tij. “Zakonisht Jakovi qëndronte në vendet ku do të zhvillohej subjekti i veprës gjatë kohës kur mblidhte materialin dhe sa hidhte dorën e parë. Përpunimin, daktilografimin, korrigjimet etj. i bënte gjithmonë në shtëpi. (…) e prisnim me padurim atë fazë të procesit të tij krijues, kur (…) shtëpia do të mbushej me tiktaket e makinës së tij të shkrimit” – shkruan e shoqja, Dhurata.
Kur filloi punën në romanin e pestë dhe të fundit të pentalogjisë së tij, Ari i zi, veçanërisht aty nga vitet 1977-1978, qëndrimet e tij jashtë shtëpisë u bënë më të gjata se zakonisht, tani në Ballsh, ku po ngrihej uzina e rafinerisë së naftës. Xoxa ka lënë shënime e skica për shpimin e puseve të naftës, për punëtorët-naftëtarë, inxhinierët, mjekët, infermierët etj. Një nga këto skica, të cilën e sjell të plotë Dhurata, e fillon me fjalinë kuptimplote: “Unë kërkoja historinë, ata kërkonin naftën dhe një ditë u takuam në pusin eruptiv C 12”.[11]
Edhe kur shestonte të shkruante roman për puset e naftës (Ari i zi), shkrimtari ynë vinte në plan të parë pusin e thellë të shpirtit njerëzor dhe historinë e njerëzve që punonin në ndërtimin e vendit, qoftë në fushë, qoftë në uzinë e kudo gjetkë. Si të gjithë shkrimtarët e mëdhenj e seriozë, Xoxa ishte i vetëdijshëm se shpirti i njeriut dhe historia e fatit të tij shumë herë tragjik – është zona ku duhet të “gërmojë” letërsia.
Jakov Xoxa është shkrimtar me vizion të gjerë dhe me aftësi të mëdha vrojtuese, kurse vizioni i gjerë dhe vrojtimi i thellë – janë, siç dihet, tipar thelbësor i artit realist. Në shënimet e shkrimtarit të cilat na i bën të njohura bashkëshortja e tij, Xoxa thoshte se realizmi në art për të ishte gjithçka dhe se ky realizëm në konceptin e tij kishte të bënte në radhë të parë me dëshirën e shkrimtarit për të mos e mashtruar lexuesin, të cilin e konsideronte mik dhe bashkëbisedues të vetin.
Duke folur për raportin shkrimtari-lexuesi, Xoxa ndër të tjera, shkruan:“Unë kurrë nuk i kam konsideruar lexuesit si fëmijë, të cilëve duhet t’u bësh lodra, për t’u mëkuar ushqimin që do ti. Unë përpiqem të zgjedh ushqimin. Prandaj unë nuk bëj (…) pehlivanllëqe forme (kompozicionale, stilistikore), virtuozitet, teknikë. Unë i konsideroj lexuesit e mi të rritur, të pjekur, njerëz që duan të mësojnë, të emocionohen, të urrejnë, të dashurojnë. Për këtë përpiqem unë. Sa ia dal është punë tjetër”.[12]
Kështu fliste Jakov Xoxa, ky shkrimtar me dhunti të rrallë krijuese dhe me kulturë të gjerë letrare, i cili një kohë ligjëroi teorinë e letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe botoi një dispensë për probleme të stilistikës, të parën e këtij lloji në letërsinë shqipe të pasluftës.
Shikuar nga aspekti gjuhësor, vepra e Xoxës është një minierë e vërtetë.[13] Jakov Xoxa është pa dyshim njëri ndër shkrimtarët me gjuhë më të pasur në letërsinë shqipe dhe njëri ndër stilistët më të mirë të saj. Për të do të mund të thuhej ashtu siç është thënë për Mitrush Kutelin se “gjuha shqipe ishte toka e tij e shenjtë, toka që ai e lëvronte me aq përkushtim” (Jorgaqi, 2011, f. 244). Xoxa lexonte, pos në gjuhën shqipe, edhe në frëngjisht, italisht, bullgarisht dhe rusisht, por mbi të gjitha preferonte frëngjishten. I pyetur në një rast nga miku dhe bashkëvendësi i tij, Kristaq Shtëmbari, se cilët janë shkrimtarët e tij të preferuar, përgjigjet: “…janë shumë ata që më pëlqejnë, është një galeri e madhe e mbushur me portrete të njerëzve të mëdhenj të letërsisë. Më pëlqen Tolstoi, Hygoi, Dostojevski, Kristo Botevi, Xhek Londoni, Migjeni, Shollohovi…”.[14]
Xoxa nuk përmend emrat e prozatorëve të spikatur modernë si Kafka, Prusti, Xhojsi, Sartri, Kamyja, Oruelli e të tjerë, një, pse emrat e tyre ishin të ndaluar në Shqipëri në kohën kur jetoi dhe krijoi ai, por edhe për faktin se ai është shkrimtar që preferon shkollën realiste të krijimit letrar, atë të realizmit të madh, monumental.
Në këtë punim unë u referohem kryesisht katër burimeve: artikullit të bashkëshortes së shkrimtarit, Dhurata Xoxa, botuar te revista “Nëntori” (nr. 11, 1985): Njerëz, ngjarje dhe vende që mbetën në shënime. Nga blloku i shkrimtarit Jakov Xoxa; librit të publicistit fierak Kristaq Shtëmbari, Vite që shkuan… (2006), që është një biografi e Jakov Xoxës; kujtimeve të mikut dhe bashkëkohësit të shkrimtarit, studiuesit dhe shkrimtarit Nasho Jorgaqi, botuar fillimisht në shtyp (te shtojca letrare “Milosao”, 2009), pastaj në librin Koha e kujtimeve (2011),[15] si dhe përvojës sime personale.[16]
Si çdo shkrimtar tjetër, Xoxa ka pasur momentet e tij të gëzimit dhe të hidhërimit në jetë. Për momente të tilla flasin miku dhe shoku i tij i dashur, Kristaq Shtëmbari në librin Vite që ikën… dhe Nasho Jorgaqi te Koha e kujtimeve.[17]
Xoxa ishte njeri fisnik në plot kuptimin e fjalës. “Jakovi ishte njeri me zemër të madhe dhe mbi ballë i ndriste mirësia dhe fisnikëria”, shkruan Shtëmbari.[18] Largimi i tij nga Tirana në Apolloni, më vonë edhe në Ballsh, pra nga qendra në periferi, nuk është vetëm shprehje e dëshirës për njohjen e jetës, por edhe e dëshirës së këtij shkrimtari për të ndenjur larg intrigave të rretheve letrare të kryeqytetit. Xoxa është i vetmi shkrimtar shqiptar i periudhës së realizmit socialist, që zgjodhi vullnetarisht ikjen nga qendra drejt periferisë.
Çastet e fundit të jetës së shkrimtarit, dhembjen e tij për mospërfundimin e veprës dhe ndarjen nga personazhet e tij të dashura, por edhe nga jeta, i ka pasqyruar në mënyrë brilante shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi në kujtimet e tij. Jorgaqi, i cili Xoxën e kishte jo vetëm shok të penës dhe koleg të fakultetit, por edhe kompatriot (që të dy kanë lindur në Fier), kujton ndër të tjera vizitën që i bën atij në spitalin e Tiranës, ku Jakovi ishte shtrirë “me një diagnozë “fatale”.
“E gjeta në një dhomë më vete, i rrethuar nga aparate, i shtrirë në gjendje përgjumjeje, symbyllur dhe Dhuratën te koka e krevatit. Ndjeva menjëherë frymëmarrjen e tij të rëndë dhe vërejta fytyrën e ligur, pa ngjyrën e zakonshme. Ai hapi pak sytë, me një vështrim të përhumbur dhe i mbylli përsëri, pa folur asgjë. Dhurata, që e priste ardhjen e një të treti, gjeti rast ta zgjonte. “Ka ardhur Nashoja”, i tha me zë të dridhur, duke i fërkuar ballin. Ishte një rast që ai të ndjehej diqysh. Por prapë s’u ndje dhe kaloi një grimë kohë, kur ai hapi sytë dhe u mundua të buzëqeshë. “Si je, o kapedan i Myzeqesë” e pyeta, duke i fshehur emocionet. Ai lëvizi buzët, por fjalët nuk arriti t’i artikulonte. Ndërkaq Dhurata i afroi gotën e limonadës. Pas dy gllënjkave që piu, dëgjova të thotë me zë gati të shuar: “E kanë vënë poshtë kapedanin… Nuk e di, a do të ngrihet një ditë apo …”. “S’janë fjalë për kapedanin këto…” – ia prita. Kaloi një hop në heshtje, kur pastaj më zgjati dorën nga poshtë batanijes dhe ma shtrëngoi, një shtrëngim i dobët, por që digjej nga temperatura. “S’më hiqet mendja nga ata, – dëgjova të thotë, – atje më rri gjithë kohën”. Nuk po e kuptoja atë çast. “Tek kush?”, e pyeta. “Tek kush tjetër, – tha, – te romani… I kam lënë vetëm, ata presin, kurse i zoti rri këtu shtrirë…” E kish fjalën për personazhet. “E po i zoti është lodhur, – arsyetova, – sidomos kur e merr me yrysh. Duhet të çlodhet pak, pa të marrë yrysh prapë.”Puliti sytë dhe pëshpëriti: “Më duket se s’ka më yrysh… ç’kish e harxhoi.”“S’janë fjalë këto, – ia pata. – Këtu do të jemi dhe do të shohim kur t’i hipësh përsëri “Javës” dhe të kthehesh tek ata që të presin…” Pllakosi një heshtje e thellë, gati dramatike, aq sa unë nuk guxoja ta shihja në sy, qoftë dhe Dhuratën. “Gjynah, më zuri në vlagën e punës…”, u dëgjua zëri i tij i mekur”.[19]
Nasho Jorgaqi flet për Jakov Xoxën, ashtu siç flet miku për mikun dhe mjeshtri për mjeshtrin: “Qenë këto fjalët e fundit të Jakovit. (…) Pas disa javësh ai do të shuhej në një nga spitalet e Budapestit”.[20]
Krijuesit, herët a vonë, ikin nga kjo botë, por vepra e tyre mbetet si trashëgim për brezat që vijnë. Jakov Xoxa u nda nga jeta në vitin 1979, pra dyzet e një vjet më parë, por vepra e tij është e gjallë. Vepra e Xoxës përfaqëson një model proze në letërsinë shqipe – modelin e prozës së madhe sociale e realiste, të cilin nuk e ka njohur kurrë më parë në ato përmasa dhe me atë thellësi psikologjike, sintezë mendimi, pasuri gjuhe e bukuri stili proza jonë. Koha ka dëshmuar se ky lloj letërsie edhe atëherë kur, nën trysninë e ndryshimeve politike në shoqëri, mund të duket i vjetruar e arkaik, sfidon kohën, ideologjitë, modat letrare dhe sistemet politike. S’do mend se një fat të tillë providenca u rezervon vetëm krijuesve të mëdhenj, që me veprën e tyre i mbijetojnë shekujt.
(Fjalë e paraqitur në konferencën shkencore “Jakov Xoxa, një jetë mes letrave”, mbajtur në kuadër të Panairit Kombëtar të Librit, në Fier, më 12. 9. 2020)
[1] Në fillimet e tij krijuese, Jakov Xoxa shkroi edhe poezi.
[2] “Të plotësonte iksin e njohur, ishte bërë për Jakovin dëshira dhe qëllimi kryesor i jetës së tij” – shkruan Dhurata, duke shtuar se ndërkohë, si intermexo, ai shestonte të shkruante edhe romane të tjerë më të vegjël, jo shumëplanësh, si ato që shkroi.
[3] Dhurata Xoxa, Njerëz, ngjarje dhe vende që mbetën në shënime. Nga blloku i shkrimtarit Jakov Xoxa. “Nëntori” nr. 11, 1985.
[4] Po aty, f. 43.
[5] Po aty.
[6] Po aty, f. 43-44.
[7] “Nëntori” nr. 11, 1985, f. 56. Dhurata Xoxa, Njerëz, ngjarje dhe vende që mbetën në shënime. Nga blloku shkrimtarit Jakov Xoxa.
[8] Po aty, f. 56-57.
[9] Po aty,f. 57.
[10] Po aty.
[11] Po aty, f. 52.
[12] Po aty.
[13] Shih: Shefkije Islamaj, Gjuha e Jakov Xoxës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 2000.
[14] Kristaq Shtëmbari, Vite që shkuan…, Tiranë 2006, f. 246.
[15] Është interesant të përmendet fakti se asnjëri nga këta autorë nuk përmend me asnjë fjalë letërkëmbimin e shkrimtarit. A shkruante dhe a merrte letra Jakov Xoxa? Cilët ishin njerëzit me të cilët korrespondonte? Përse flasin letrat e tij, nëse janë shkruar dhe ku ruhen ato?
[16] Para se të vazhdoj më tej, le të më lejohet të bëj një digresion. E ndiej veten me fat që kam pasur rastin ta njoh personalisht Jakov Xoxën, në kohën e pjekurisë së tij si njeri dhe shkrimtar, në vitin 1974.
Në pranverë të atij viti, kur unë dhe kolegët e mi të Universitetit të Prishtinës të ardhur në Tiranë për një qëndrim studiues, do të bënim udhëtimin për në jug të vendit, me ne do të udhëtonte, me të njëjtën makinë, edhe shkrimtari Jakov Xoxa. Na erdhi si një sihariq në hotel “Dajti” lajmi se do të udhëtonim bashkë me Jakov Xoxën nga Tirana në Fier, kurse takimi me të mbeti i paharrueshëm për të gjithë ne që e patëm këtë shans, mbase krejt rastësisht. Gjatë gjithë rrugës patëm biseduar me Jakovin. I ri dhe kureshtar unë i bëja pyetje pas pyetjeje lidhur me veprën e tij dhe në mënyrë të veçantë romanin Lumi i vdekur, që në Kosovë ishte aq i popullarizuar dhe ai më përgjigjej pa përtesë. Shoqëruesit tonë zyrtar, që ishte një tip dogmatik, nuk i vinte mirë që unë flisja lirshëm, pa “censurë” dhe mundohej ta largonte bisedën nga temat e ndieshme. Aty pata dëgjuar për herë të parë për ciklin e tij prej pesë romanesh në formë Iksi, kurse gjatë vizitës në Kombinatin e Tekstilit në Berat, kur ndodhte të këputej filli dhe në makinat endëse (prodhim kinez) ndizej sinjali i kuq, Kovi, si e thërrisnin miqtë e tij, pati thënë: “Eh, sikur edhe ne shkrimtarët të kishim një sinjal të tillë që të ndizej kur nuk e kemi mirë!”. Në rrethanat në të cilat krijonin atëbotë shkrimtarët shqiptarë, në kushtet e sistemit totalitar, kjo ishte një fjali me nëntekst. Me t’u vendosur në dhomën e hotelit në Fier, puna e parë që bëra ishte ta shkruaja bisedën me Jakov Xoxën. Kur zbrita në restorant për darkë, kërkova pëlqimin e tij që bisedën ta botoja në Kosovë. Ashtu edhe u bë. Shkrimi im për takimin me Jakovin (Iksi romanesk i Jakov Xoxës) doli në plot dy faqe në gazetën “Bota e re” të studentëve, që ishin lexuesit më të mëdhenj të veprës së tij.
Kanë kaluar më se dyzet vjet nga ajo kohë, por ende e ruaj të freskët në kujtesë atë takim. Mbaj mend se bari rreth manastirit kishte gufuar, kurse unë dhe një kolegu im, si më të rinjtë e grupit, improvizuam një “përleshje” si të ishim Adili e Llazi, në sy të krijuesit të tyre, që na vështronte me mall e dashuri…
Nuk do ta takoja më Jakov Xoxën, as në ’76-n e as në ’79-n, kur iku nga kjo botë, por portreti i tij, që rrezatonte mirësi, çiltërsi e fisnikëri, do të më ngelë përgjithmonë në kujtesë.
[17] Nasho Jorgaqi,“Murgu” i manastirit të letërsisë, në Koha e kujtimeve, Ombra GVG, Tiranë 2011. Në këtë libër, evokohen kujtime për Lasgushin, Kutelin, Ali Asllanin, Nonda Bulkën, Lame Kodrën, Mustafa Greblleshin, Selman Rizën dhe shumë personalitete të tjera të letërsisë dhe kulturës shqiptare, përfshirë edhe Jakov Xoxën.
[18] Kristaq Shtëmbari, Vep. cit., f. 167.
[19] Nasho Jorgaqi, Jakov Xoxa. Kujtimet që zbërthejnë shkrimtarin. “Milosao”, 15 shkurt 2009.
[20] Po aty.
Gazeta Dita