Poezi nga Janis Ricos
Ma ka ënda të përshkruaj trupin tënd.
Trupi yt është i paanë.
Trupi yt është një petël trëndali në një gotë me ujë të kthjellët.
Trupi yt një pyllishtë e egër
me dyzet druvarë të zinj.
Trupi yt lugina të lagështa e të thella para se të derdhet dielli.
Trupi yt dy netë me këmbanore, yje rënës e trena dalë binarësh.
Trupi yt një bar në gjysmëhije me marinarë të dehur e tregtarë duhani:
kërcitje gishtash, gota të thyera, mallkime, pështyrje.
Trupi yt një flotë e tërë –
nëndetëse, luftanije, gjuajtës;
zhaurimë spirancash që ngrihen;
ujë që rrjedh pëmbi urë;
një marinar riosh që zhytet në det nga pema.
Trupi yt heshtje polifonike
copëtuar nga pesë thika, tri bajoneta e dy shpata.
Trupi yt një liqen i tejdukshëm, –
në fundin e tij shihet qyteti i bardhë kredhur.
Trupi yt një tetëkëmbësh i stërmadh e i hovshëm në topin e hënës, me tentakula të kuqe gjaku mbi rruginat e ndritshme, ku në mesditë kalon ngeshëm vargani i përmortshëm i perandorit të fundit
e lule të shumta shkelur me këmbë mbetur mbi asfaltin lagur nga benzina.
Trupi yt një shtëpi publike e lashtë në rrugën “Borgo”, lavire të plakura lyer me të kuq buzësh të lyrshëm prej dy kacidhesh; me qerpikët e rremë të gjatë;
është edhe një vajzë rishtare,- rreket të kënaqet me klientët, lë paratë mbi komodinë e harron t’i numërojë.
Trupi yt është një vashëz e trëndafiltë ulur nën pemën e mollës, ha një fetë të freskët buke dhe një domate të kuqe të kripur; herë – herë i futet një lule molle mes gjinjve.
Trupi yt një gjinkallë në veshin e vjelësit, – hedh një hije vjollcë mbi qafën e tij zeshkane dhe këndon e vetme atë që s’mund ta thotë një vresht i tërë.
Trupi yt një lëmë i madh panoramik në majë të kodrinës –
njëmbëdhjetë kuaj të bardhë shijnë grurin e Shkrimeve;
fije të praruara kashte
shenjojnë ndër flokë pasqyrëza të vogla dhe shkëlqejnë tre lumenj ku përkulin kokat e mëdha lopë të zeza me stema diamantesh për të pirë ujë e vajtuar.
Trupi yt është i pamatë.
I papërshkrueshëm trupi yt.
Kam ëndje ta përshkruaj,
më fort ta shtrëngoj,
ta përmbaj trupin tënd e të më përmbajë.
Ujdisi shqip: Rielna Paja
ObserverKult
Lexo edhe: