Fakti që shpirti ndikohet prej së bukurës dëshmon se midis gjërave të bukura dhe natyrës së shpirtit duhet të ekzistojë po ai homogjeneitet, që ekziston edhe midis sendeve të dobishme dhe përbërësve të shëndetit të trupit.
Për të pasur një përfytyrim të qartë mbi bukurinë e përsosur, për të cilin po interesohemi, mund t’i drejtohemi tragjedisë greke, e cila vlerësohet sovrane për sa i përket bukurisë ideale.
Në këtë tip tragjedie vendin kryesor e zë jeta e njerëzve, që zbulohet me anë të veprimit, dialogëve dhe monologëve. Pra, ajo na zbulon bukurinë tipike të njeriut.
Po marrim si shembull “Edipin” e Sofokliut.
Që në fillim të veprës na paraqitet figura e Edipit e rrethuar nga populli. Ky është i tronditur thellësisht për shkak të murtajës që po shkatërron atdheun e tij dhe kërkon me rreptësi të njohë fajin e rëndë që solli atë kob, për t’i dhënë fund dhe për të zbutur mërinë e hyjnive.
Nga tërë qëndrimi i këtij prijësi, na lë mbresa të larta dashuria e tij për atdheun, drejtësia e palëkundur dhe ndjenja madhështore e përgjegjësisë ndaj hyjnive. Më tutje, zbulohet se kryefajtor është vetë Edipi, i cili, pa e ditur, ka vrarë të atin e vet dhe është martuar me t’ëmën, dhe nga kjo martesë pati edhe fëmijë. Atëhere, i pushtuar tërësisht nga tmerri për krimin e vet, ne e shohim Edipin të nxjerrë sytë, të humbasë dritën e jetës. E shoqja, Jokasta, edhe ajo fajtore e pavetëdijshme, gjen strehim në gjirin e vdekjes, kurse Edipi braktis pallatin dhe me të dy bijat jetime e të mitura nis i mjerë e i varfër shtegtimin nëpër botë. Këtij nuk i dhimbset vetja, por vajzat e tij të shkreta e jetime, që s’e dinë nga u erdhi gjithë kjo mënxyrë. Edipi lëshon një gjëmë të atillë, që e bën të qajë çdo njeri. Edhe ne na pushton po ajo frikë e shenjtë e Edipit ndaj mëkatës, ndaj turpit të pamerituar të Jokastës dhe, të tronditur ashtu si vetë Edipi, nga mëshira e thellë që na lind për ato vajza të pafajshme, që i ka rrëmbyer vorbulla e fatkeqësisë së papritur, qajmë pa ngushëllim.
Pastaj, ne kënaqemi që Edipin e shikojmë sërish në Kolonë. Vuajtjet tashmë e kanë pastruar nga balta… Ndjenja se i ka dhënë fatit një shfajësim më të madh sesa faji i vet, e ka qetësuar, e ka pajtuar me vetveten dhe e ka gjunjëzuar para hyjnive. Tani, s’ka më asgjë që ta tronditë, dhe natyra që e rrethon është plot paqe e bukuri pranverore. Të bijat, me thjeshtësinë e qetësinë e tyre shpirtërore, ia kanë zbutur hidhërimet e mërgimit dhe të varfërisë. Ato të frymëzuara nga personaliteti i pastër i Edipit, kanë ruajtur nderin dhe pafajësinë e tyre. Dhe kur Edipit i vjen çasti i vdekjes, që i sjell njeriut qetësinë e fundit, hyjnitë i bëjnë nderimet që nuk i ishin bërë asnjë njeriu të gjallë. Fati më i madh për njerëzit e kësaj toke është që varri i tyre të nderohet, ashtu siç nderohet varri i një hyjnie.
Bukuria e personazheve të kësaj tragjedie qëndron në ndjenjat e pafajësisë, drejtësisë, dashurisë së pastër, të cilat këta i ruajnë të paprekura përmes vuajtjeve të jetës, si edhe në bekimin që kanë dalë nga qielli për të tilla virtyte të larta.
Pra, gjithë këto veti: mëshira, ndërgjegjja, dashuria dhe pafajësia, që mishërojnë bukurinë e përsosur hyjnore të këtyre figurave, janë cilësi morale të shpirtit të njerëzve, të cilët romakët i quanin, me të drejtë, të ndershëm (onesti). Këto janë virtytet që zbukurojnë njeriun ose, më mirë, janë forma e plotë dhe e pastër e shpirtit të përsosur, që të bën për vete.
Bukuria, e personazheve të veprave qëndron pra, në vlerat morale të këtyre njerëzve të ndershëm, në gjurmët e aspiratave dhe të veprimeve që kanë kryer ose do të kryejnë.
Por bukuria e shpirtit zbulohet edhe në shikimin, në veprimin, në fizionominë, në të cilat shprehen virtytet e këtyre njerëzve.
Për t’i kuptuar këto më mirë, mund t’u drejtohemi gjykimeve të atyre njerëzve, që e dinë se ku qëndron bukuria e një përmendoreje ose e një pikture të shquar. Këta theksojnë se, përmes kontureve, qëndrimeve, pozave shprehen ndjenja, si: pafajësia, vullneti i paepur, dashuria fisnike dhe e shenjtë e kështu me radhë. Për të gjithë ata bukuria qëndron në paraqitjen me vërtetësi me anë të të mermerit ose të ngjyrave, të virtyteve fisnike të njerëzve të ndershëm. Si shembull i qartë i kësaj mund të na shërbejnë përsiatjet e Vinkelmanit mbi kryeveprat e artit të lashtësisë.
Tani le të shqyrtojmë fytyrën e njeriut, domethënë atë që përmban më shumë bukuri tokësore.
Mund të ndodhë që një fytyrë të jetë e këndshme për njerëzit, mund të paraqitë një tip të përcaktuar njerëzor ose mund të jetë e papërcaktuar; gjithashtu, mund të ndodhë që ajo të mos shprehë shpirtin e brendshëm. Por, sido që të jetë, në fytyrë manifestohet diçka nga ndjenjat si sinqeriteti shpirtëror, butësia, vullneti i paepur, fisnikëria plot delikatesë e të tjera si këto. Përmes tyre fytyra shpreh shpirtin e çdo njeriu.
Por kur ndodh që, përmes formave edhe shumë të rregullta të fytyrës, të tejduken mangësitë e bukurisë shpirtërore ose të mendjes, atëherë shuhet flaka që na ndez dashurinë për të dhe kështu, kjo fytyrë nuk na prek.
Rregullsia materiale e linjave të fytyrës njerëzore merr flakë dhe gjallërohet nga bukuria e shpirtit, që është gjithmonë vlera më e madhe brenda trupit.
Lumja u, lumja klëshedhër!
Keshia një e bëra di.
-Mjera ti mjera klëshedhër!
keshie një e as ke mos një!
Foli vasha, u bën afër;
ej e ngriti e lidhi vendit.
Çë gjëri më je ti, vash?
-Jam e bija e hënies,
kam për atë diellin:
vet jam pika e qiellvet,
ngagha më bie malëvet,
malevet e fushavet,
mbi forn e të ligies.
-Vajz mbi vashazit e dheut,
ecë ti mir e me shëndetë,
trashige trimin tënd.
Pra, mund të themi me siguri se bukuria e shpirtit paraqitet në fytyrë me anë të rregullsisë dhe larmisë së linjave, të cilat shprehin drejtësinë shpirtërore, dashamirësinë, butësinë e të tjera si këto.
Pikërisht mbi këto themele kërkon të mbështetet shkenca e fiziognomisë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për të folurit, ritmi i brendshëm dhe tingëllimi i të cilit, me intonacionet dhe shkallëzimet e tij tregojnë ose pafajësinë, ose krenarinë e të tjera si këto dhe s’ka gjë më të lehtë sesa ta njohesh një njeri duke mos e parë nëse është fëmijë i mitur ose burrë i pjekur, duke e dëgjuar kur flet. Në këtë rrugë një piktor i lashtësisë që krijonte figura njerëzore, kishte përfituar shumë, duke soditur fytyra të panumërta, ngjyrat dhe linjat e të cilave pasqyronin me ekspresivitet ndonjë njeri të veçantë dhe të virtytshëm. Mbi këta bazë, në veprat e veta ai përdori një masë trupore konstante, duke u dhënë figurave një bukuri sovrane. Ai nuk kishte qëllim të konceptonte të bukurën absolute si një bashkim të thjeshtë rrezesh të shpërndara në fytyra të ndryshme, gjë për të cilën mund të qortohej nga ndonjë kritik pretencioz; por vetëm të gjente në të formën më të qëndrueshme, në të cilën tiparet e fytyrës njerëzore, duke pasqyruar thellësisht këtë ose atë virtyt të veçantë, do të jepnin fytyra shumë të bukura, ashtu siç i krijoi ai.
Për këtë shkak çdo figurë njerëzore poetike na bën për vehte dhe çdo dashnor i atribuon fytyrës së mikeshës së tij si tipar kryesor ndonjë virtyt, si fjala vjen, pafajësinë, dinjitetin e pastër e të tjera si këto. Andaj, për shpirtin njerëzor bukuria është pamja e njerëzve me virytyre, që janë të një natyre me shpirtin, dhe me ndihmën e të cilave ai zhvillohet e përsoset. Por çdo bukuri që vihet re në botën trupore është homogjene me bukurinë e shpirtit.
Prandaj, në mënyrë poetike thuhet se qielli i kaltër aq i këndshëm na duket si një fjalë që dëgjohet së largu dhe që na fton drejt një jete të pafundme; se deti buçitës mishëron përfytyrimin e përjetësisë dhe të pafundësisë, që na shoqëron, që na zhvesh nga mendimet e jetës së rëndomtë dhe që na ngre lart.
Çdo objekt i natyrës përfshin në vetvehte thuajse një fjalë të përngjashme me fjalën e njeriut. Dhe këtu qëndron e vetmja vlerë estetike e objekteve.
Këto tipare të njerëzve të ndershëm, të dhuruar nga njerëzimi ose të paraqitura përmes artit, të manifestuara në arenën e botës, ushqejnë shpirtin dhe e përsosin. Edukata e njerëzve i ka mbështetur themelet e veta mbi këtë fakt misterioz, pasi qëllimi i saj është ta zhvillojë shpirtin, duke i ofruar vazhdimisht shembuj të shquar dhe duke e ndihmuar në përpjekjet e tij që të transfigurohet sipas shembullit të tyre.
*Shkëputur nga libri i Jeronim De Radës: “Parime të estetikës”
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe:
MUSA VYSHKA: ERDH KOHA TË VDESIM? S’ËSHTË KEQ EDHE CA TË PRESIM!
Poezi nga Musa Vyshka
Mund të më thuash ti një ditë, për dreq,
“Erdh koha që të vdesim!”
Unë do të them i qetë: “S’është keq
Sikur dhe ca të presim!”
Vërtet që pema jonë në rrënjë u kalb,
Po bie dalëngadalë.
Po ne, pa rënë, zgjasim kokën prapë:
“A çelën gjethet vallë?!”
Janë gjethet tona, tonat, sigurisht,
Nga trungu ynë janë.
Mbi dashuritë e tyre përjetësisht
Pishtarin tonë mbajnë!
Nga dashuria jonë u përflak
Një dashuri e re
Dhe duam ne a s’duam, sadopak,
U bëmë Promethej
Pastaj ti mund të thuash prapë, për dreq,
“Hajde të dy të vdesim!”
E do të them i lumtur: “S’është keq!
Nuk kemi më ç’të presim!”
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
MIHAI EMINESKU: SA VITE SHKUAN…
Sa vite shkuan… poezi nga Mihai Eminesku
Sa vite shkuan, sa do të shkojnë prore,
nga çasti i shtrenjtë kur tok jemi parë,
e rri mendoj ç’u deshëm me kaq zjarr,
o moj symadhe edhe dorëborë!
Oh, eja përsëri! Me frymëzime
më mbush e më vështro me sytë e ndritur,
se ç’dritë hedh në shpirtin e mahnitur,
se ç’këngë nxjerr nga lira plot kumbime!
Ti nuk e di se kur të kam ndaj meje,
zë më kthjellohet fare zemra ime,
sikur në heshtje ndrin një yll ndër qieje.
Dhe kur më qesh me qeshje fëmie,
vde s krejt një jetë-helm dhe mundime,
në shpirt kam gaz e ëndrra lumturie!
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
FERNANDO PESSOA: LETRAT E DASHURISË
Të gjitha letrat e dashurisë
Janë qesharake.
Nuk do të kishin qenë dashurie, po të mos ishin
Qesharake.
Edhe unë kam shkruar në vaktin tim letra dashurie,
Dhe ato ishin, si të gjithë të tjerëve,
Qesharake.
Letrat e dashurisë, nëse dashuron,
Duhet të jenë
Qesharake.
Mirëpo, në thelb,
Vetëm njerëzit,
Që nuk kanë shkruar kurrë letra dashurie,
Janë menjëmend
Qesharakë.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult