I kujtohem kanjiherë
kur asht i dehun.
Veç kur asht i dehun
ma shkruen ndonji fjalë,
kurrgja të ngrohtë a të gjetun,
veç çka bone, qysh je, a je gjallë?
Por unë shenjë jete nuk i jap,
vdekun s’jam, por as gjallë krejt,
e fjalë sa me mbushë mbramjen
ma nuk kam,
se shterë e kam synin që e pret.
I kujtohem kanjiherë
kur asht i dehun.
Natën vonë zemrën merr ma çel.
Por atëherë asht tepër vonë,
se unë jam fjetun,
e kur zgjohem atij rakia veç i del.
I mungoj kanjiherë,
kur asht i dehun.
I dehun po asht pak si shpesh.
E më shkruen se në vaj asht shkrehun,
Për dashninë e arsyen që i shkojnë ndesh.
Por unë shenjë jete nuk i jap,
vdekun s’jam, por as gjallë krejt.
Jam në zi për dashninë që më ka mbetun
ndry në gjoks,
tue pritë dheun me e tretë.