Poezi nga Jorge Luis Borges
Prova
Në anën tjetër të derës, një njeri
hedh përtokë kalbjen e tij. Së koti
këtë natë do t’i thurë një lutje
zotit të tij të çuditshëm, që është tre, dy, një,
dhe do t’i thotë vetes se është i pavdekshëm. Tani
dëgjon profecinë e vdekjes së vet
dhe e kupton se është një kafshë e përgjunjur.
Ti, vëllai im, je ai njeri. Të falënderojmë
krimbat dhe harresën.
Një poeti të vogël të antologjisë
Ç’u bë kujtimi i ditëve
që qenë të tuat mbi dhé, që thurën
lumturi e dhimbje dhe universi për ty qenë?
Lumi i numërt i viteve
i ka tretur; je një emër i një liste.
Lavdi të pashtershme u dhanë të tjerëve zotat,
mbishkrime, përkujtime, monumente dhe historianë të përpiktë;
për ty, mik i mugët, vetëm dimë
që këngën e bilbilit dëgjove një buzëmbrëmje.
Mes badrave të hijes, hija jote e zbrazët
do të mendojë se zotat kanë qenë dorështrënguar.
Por s’janë veçse një rrjetë mjerimesh të rëndomta ditët,
a ka fat më të mirë sesa hiri
prej të cilit është bërë harrimi?
Mbi të tjerët hodhën zotat
dritën e pamëshirshme të lavdisë, që zhbiron zgavrat dhe numëron plasaritjet,
të lavdisë, që përfundon duke e vyshkur trëndafilin që adhuron;
më të mëshirshëm qenë me ty, vëllai im.
Në magjepsjen e një perëndimi që ndonjëherë s’ka për t’u terruar,
ti dëgjon zërin e bilbilit të Teokritit.
Shqipëroi: Erion Karabolli
ObserverKult
Lexo edhe:
JORGE LUIS BORGES: AMANETI QË DUA T’JU LË LEXUESVE…
Nga Jorge Luis Borges
Mendoj se fraza “leximi i detyrueshëm” është një marrëzi; leximi nuk duhet të jetë i detyrueshëm. Është njësoj si të thuash kënaqësi e detyrueshme. Por a ka kënaqësi të detyrueshme? Kënaqësia është diçka që kërkohet.
Apo lumturi e detyrueshme! Ne lumturinë gjithashtu e kërkojmë. Unë kam qenë profesor i letërsisë angleze për njëzet vjet në Fakultetin Filozofik dhe të Letrave të Universitetit të Buenos Aires dhe gjithmonë i kam këshilluar studentët e mi: nëse një libër ju mërzit, lëreni; një libër mos e lexoni nga që është i famshëm, nga që është modern, apo nga që është i vjetër.
Nëse një libër është i mërzitshëm për ju, lëreni së lexuari; qoftë ai libër Parajsa e Humbur – për mua nuk është i mërzitshëm – ose Don Kishoti – për mua gjithashtu nuk është i mërzitshëm. Por nëse ka një libër të mërzitshëm për ju, mos e lexoni; ai libër nuk është shkruar për ju.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult