Jorgo Bllaci: Balada e lotit

jorgo bllaci marie magdalenën

Vendosën ta godisnin me gurë
Marie Madalenën e gjorë,
Burrat që s’arritën ta shtinin dot në dorë,
Gratë ziliqare për lirinë e saj të shthurur
Dhe pleqtë inatçorë.
Po duke ndjekur udhën andej pari,
I biri i perëndisë u ndal aty për fat
Dhe urdhëroi:
– Të godasë i pari
Ai që asnjëherë s’ka rënë në mëkat!
Rrëmeti u shtang…

Legjenda kaq na thotë.
Por sapo biri i qiellit u largua,
Turmës kokëfortë
Demoni i mllefit përsëri iu zgjua.
Veç si të bënin? Frika e ndëshkimit
Ua mpinte krahët, gurët sa rrëmbenin
Dhe gati sa s’pëllcisnin prej tërbimit,
Që s’gjenin dot mënyrën si ta shfrenin
Hakmarrjen mbi të gjorën Marie Madalenë.

– Pse s’marrim heremitin? – tha një zë, –
Veç njerëz si ai mëkate s’mund të kenë…
Ç’u tha, u bë.
Dhe heremiti i shpellës çalë – çalë
U gjend mes turmës.
– Merr një gur, – i thanë, –
Dhe bjeri asaj femre të përdalë!
Të urtit plak iu duk sikur i ranë
Atij me gurë kokës, po s’u ndie.
Papo i vajti mëkatares pranë:
– A janë të vërteta, – i tha, – moj bijë,
Këto që veshi më dëgjon për ty?
Asaj mbi ballë i ra një e zbehtë hije,
Një pikëz loti i vezulloi në sy
Dhe vetëm psherëtiu.
Plaku i mirë
Aherë iu kthye turmës:
– Nëse doni
T’ua plotësoj që këtë çast dëshirën,
Avituni këtu dhe më veçoni
Te kjo krijesë e ngratë mëkatin dhe njerinë,
Se trembem mos godas aty ku s’duhet
Dhe zemëroj padashur perëndinë!

Sa folëm ne që s’ishim fare atje,
Aq hapën gojë edhe ata që qenë.
Veç që prej asaj dite të gjithë bëjnë be
Për lotin e Maries Madalenë…

ObserverKult

Lexo edhe:

MARIE LOGORECI, FILLOI ME KËNDIM PËRFUNDOI NË AKTRIM…