Jorgo Bllaci: Oh, sa i lumtur isha atëherë…

jorgo bllaci mbytet

S’ka më freski dhe lule në lëndinë.
Nga diell’ i gushtit, bari u tha, u dogj.
Veç harabelat zheg e vapë s’dinë, –
Sa të çuditshëm janë këta zogj!

Të gjithë tok, në tufën e gëzuar,
Përmbi lëndinë sillen pa pushim,
Pastaj më vinë e duke cicëruar,
Më pëshpërisin fjalë pa kuptim.

E ç’po më thoni vallë, o çamarrokë,
Që nuk m’u ndatë gjithë rrugës sot?
Ju me të gjithë jeni miq e shokë,-
Ku dini ju se ç’halle ka kjo botë!

Ndërrojnë stinët, shemben kohët, ligjet,
E ju s’e vrisni mendjen për asgjë;
Për ju të njëjta mbeten fushat, brigjet,
Ku të shkujdesur silleni gjithnjë.

Po ndonse dini vetëm fluturime
Dhe ngado shkoni, s’thurrni as fole,
Ju s’vajtët kurrë larg në shtegëtime,
Ju s’e braktisët kurrë këtë dhe,

Po varfërisht u rritët, tok me mua,
Në këtë vis, ku shkabë e rreptë rron.
Dhe unë ndoshta për këtë ju dua, –
Një mall foshnjor me ju më vllazëron.

Eh, foshnjëria!… Shkoi, si lulëzimi
Që para kohe dhenë zbukuron!
Porse në zemër gjithënjë kujtimi,
Si karakoll, mbi motet vigjëlon.

Në hi të kohës s’mundet të mbulohet
Ajo që vrragë ne na la në gji…
O harabela, ndoshta ju kujtohet
Në këtë çast e bardha mituri:

Ju cicëronit nën dritaren time,
Gjithë shkujdesje, si tani kështu;
Unë ju hidhja gjithënjë thërrime,
Kafshatën time ndaja tok me ju.

Oh, sa i lumtur isha atëhere,
Se kisha prindët pranë gjirit tim…
Po nisi lufta, lufta gjithë tmerre,
Që më përplasi rrugëve jetim!

Më piket shpirti, kur kujtoj gjëmimet,
Shtëpitë e stanet nëpër tym e flakë,
Dhe atë klithmë, që mbulon vajtimet,
Duke buçitur: “Shpagë! Gjak për gjak!”

Shpagim? Gjakderdhje prap? Ah, mjaft! Si thikë,
Kjo klithm’ e rreptë çpon e therr me tmerr!
Nga zjarr’ i luftës unë nuk kam frikë,
Unë jetoj në botë për një nder,

Unë jam gjak i t’afërmve, që ranë,
Dhe di të vdes si burrat në mejdan, –
Po pse të rrojmë me barutin pranë,
Kur është e gjerë toka që na mban?

Eh, harabela! Ju nuk dini ç’thoni
Në cicërimën tuaj kot më kot,
Po ju, pa dashur, vini dhe më zgjoni,
Këtu në shpirt, kujtime plot me lotë!

*Titulli i origjinalit: “Harabelat”

ObserverKult

————-

Lexo edhe:

JORGO BLLACI: LAMTUMIRË, O MËMË E MJERË