Marsel Lela: Poezi

marsel lela

Poezia është koha e tashme e plagëve të shkuara,
Është mikja e ditëve të mbushura me mungesë,
Është kafshata e fundit që s’e mban kurrë për vete,
Është hija jote në ditët pa diell,
Është letra në shishe,
Është shishja në oqean,
Është oqeani në bebëzat e universit,
Është bota pafundësisht e madhe në botën pafundësisht të vogël,
Është i vetmi rast kur fjala “dashuri” merr formën urdhërore,
Është dëshira e papërballueshme
për të fjetur edhe pesë minuta në mëngjes
Dhe zëri i nënës që të thërret që pa gdhirë,
Është fjala në gojën e një fëmije.

Poezia është profeci, është zbulesë, është psalm,
Është rrëfim i mëkateve që akoma s’i ke bërë,
Është mallkimi i të qenit gjithmonë ti,
Është bekimi i dalldisë që të shtin në rradhët e të çmendurve,
Është çmenduria që të jep çelësat e të pandërgjegjshmes,
Është fisheku i fundit në mulli,
Është cigarja e kthyer përmbys në paketë,
Është flakë kashte dhe Vezuv njëkohësisht,
Është dashuri dhe nënshtrim,
Është mëngjesi pa metafora
Dhe mbrëmja pa krahasim.

Poezia është feja e atyre që i këndojnë dashurisë
Pa folur për të,
Poezia është gjithkundi dhe askundi,
Është Jing dhe Jang,
Është portret gruaje i vizatuar në erë,
Është floknajë e argjendtë mbi ballin e hënës,
Është kalë që rend dhe turfullon pas pelave,
Është pasqyrimi në ujin e lumit Kokit
Dhe shkuma shend e verë e mushtit ndër sheka.
Poezia jemi unë dhe ti kur s’jemi dy.