Jorgo Bllaci: Pse qaj, nuk e kuptoj as vetë…

Unë e di që ti tani, për mua,
Pranë stufës rri edhe mendon:
“Jorgo, Jorgo!-ti me vehte thua,-
Këtë natë ku po e kalon?

Vallë mos ndonjë vejushë e mbetur
Të ka marrë sonte në shtëpi
Dhe të puth e të pushton e etur,
Gjithë epsh e gjithë egërsi?…”

S’ke se ç’bën, e dashur, rrugë e shkretë
Në të huaj shtretër të përplas.
S’kanë faj vejushat mendjelehta,
Që në brengën time gjejnë gaz.

Ti sërishmi mendjen vret për mua,
Pranë stufës, brengën duke fshehur:
“Jorgo, Jorgo!-ti me vehte thua,-
Mos po endesh rrugëve i dehur?…”

Jo, e dashur, sonte flij e qetë:
Në një park të heshtur, fill i vetëm,
Po qëndroj, porsi një zog pa fletë.
Përmbi stol i krrusur, qaj e mekem,-
Dhe pse qaj, nuk e kuptoj as vetë!