Jorgo Bllaci: S’do qaj e s’do nemitem i përulur, bri moçalit!

jorgo bllaci mbytet

Poezi nga Jorgo Bllaci

Më vjen turp të qaj i heshtur,
Si një shelg përbri moçalit!
Dua të gjëmoj pareshtur,
Porsi lisi majë malit.

Rreth kurorës, shpesëria
Le të mos më cicërojnë;
Që prej zgavrave të mia,
Shkabat le të vigjëlojnë.

Degët e fuqishme dua
Të më tunden nëpër erë;
Papushuar përmbi mua
Borë e virgjër le të bjerë.

Sipër akujve të ftohtë,
Do të ngjitem gjer te retë;
S’do më vijë keq, në ndodhtë
Të zhuritem nga rrufetë!

Se n’u dashtë të zhuritem,
Do zhuritem majë malit,
Po s’do qaj e s’do nemitem
I përulur, bri moçalit!

ObserverKult

Lexo edhe:

Gerhard Pregapuca: Fjalët t’i lëmë për pleqëri…

Xhelal Ademi: Pse neve na përzurën e aty po mbeste djalli…