Jorgo Bllaci: Sytë e tu të bukur çmendurisht i deshte…

Kaq e shtrenjtë kurrë s’më je dukur,
Ti vërtet nuk paske shëmbëllim.
Ah, moj Neta, sytë e tu të bukur
Çmendurisht i deshte miku im!

Nëse këtë çast i ngrysur mbeta,
Duke të vështruar ty kështu,
Ti mos m’u çudit aspak, moj Neta,-
Më kujtuan mikun sytë e tu.

Sa dëshirë do të kisha sonte
T’ju vështroja bashkë që të dy!
Vetëm ta dëgjoje të këndonte
Vargjet, që me zjarr t’i thurri ty!

Ndoshta sot, që vite pas la jeta,
Miku prapë në shpirt të mban diku…
Ish e bukur dhembja e tij, moj Neta,
Aq sa ç’janë edhe dy sytë e tu!

*Titulli i origjinalit: “Netës

Jorgo Bllaci

————————————————————————————–

LEXO EDHE: Jorgo Bllaci: Balada e lotit

Vendosën ta godisnin me gurë
Marie Madalenën e gjorë,
Burrat që s’arritën ta shtinin dot në dorë,
Gratë ziliqare për lirinë e saj të shthurur
Dhe pleqtë inatçorë.
Po duke ndjekur udhën andej pari,
I biri i perëndisë u ndal aty për fat
Dhe urdhëroi:
– Të godasë i pari
Ai që asnjëherë s’ka rënë në mëkat!
Rrëmeti u shtang…

Legjenda kaq na thotë.
Por sapo biri i qiellit u largua,
Turmës kokëfortë
Demoni i mllefit përsëri iu zgjua.
Veç si të bënin? Frika e ndëshkimit
Ua mpinte krahët, gurët sa rrëmbenin
Dhe gati sa s’pëllcisnin prej tërbimit,
Që s’gjenin dot mënyrën si ta shfrenin
Hakmarrjen mbi të gjorën Marie Madalenë.

– Pse s’marrim heremitin? – tha një zë, –
Veç njerëz si ai mëkate s’mund të kenë…
Ç’u tha, u bë.
Dhe heremiti i shpellës çalë – çalë
U gjend mes turmës.
– Merr një gur, – i thanë, –
Dhe bjeri asaj femre të përdalë!
Të urtit plak iu duk sikur i ranë
Atij me gurë kokës, po s’u ndie.
Papo i vajti mëkatares pranë:
– A janë të vërteta, – i tha, – moj bijë,
Këto që veshi më dëgjon për ty?

POEZINË E PLOTË MUND TA LEXONI DUKE KLIKUAR KËTU