Jorgo Bllaci: Ti më the se ndihesh mjaft e vrarë…

Ti më the se ndihesh mjaft e vrarë,
Se të vajti jeta brengë e lot,
Po ndriçimn’ e syve aq mitarë
Dëshpërimi s’ta ka errur dot.

Unë shoh një foshnjez brenda tyre,
Ëndërra të kaltëra tek thurr…
Kot i ndrydh në gonxhe ti dëshirat!
Ku ka gonxhe, që nuk çel dikur?

Deri vonë vjeshtës, trëndafili
Çel e na verbon me bukuri.
Kohë lulesh s’është vetëm prilli,-
Zemra në çdo stinë ndjen rini!