Josif Brodskij: Kam dashur jo shumë, por desha me mall’

(L. B. Lifshicit)

Prore e kam thënë, fati është kumar
Ç’të na duhet peshku, kur ka havjar.
Që stili gotik, si shkollë triumfon,
i ngrehur aq lart, shmang çdo injeksion.
Rri në dritare. Një plep kam përballë.
Kam dashur jo shumë. Por desha me mall.

Kam thënë, se pylli – është pjesë usuri.
Ç’na duhet krejt vasha, kur na mjafton gjuri.
Që, lodhur shekujsh me pluhur eskorte,
prehet syri rus mbi shtizën estone.
Rri në dritare. Sa kam larë enë.
Këtu qeshë i lumtur, e tash s’do të jem.

Kam shkruar, se llampa trollin e ka tmerr.
Që si akt, dashnia, foljen e ka bjerrë.
Që s’dinte Euklidi, se, tek shkon në konus,
sendi përfton jo zero, por Kronos.
Rri në dritare. Djalërinë përbij.
Buzëqesh ndoherë, ndonjëherë pështyj.

Thashë, se gjethi shkatërron çdo syth.
Se familja, që bie në tokë të ligë,
s’lë të ngresh kry’; që livadhi anëpyllit
është shembull natyror i mastrubimit.
Rri në dritare, me gjunj përqafuar
bashkë me hijen time të rënduar.

Kënga ime ishte pa motiv të ri,
por në kor s’e këndon kush. S’është çudi,
pse si shpërblim për të tilla fjalë
asnjëra në supe pulpët nuk m’i fal.
Rri në terr dritares; si një tren ekspres,
deti ushton tej palave të perdes.

Qytetar i epokës së një dore të dytë,
pranoj krenisht si mall të saj mendimet
e mia më të mira, dhe ditët e pritme
ia dhuroj përvojë luftës me mbytjen.
Rri në terr. S’është terr më keq i drashtë
brenda në dhomë, se sa terri jashtë.

1971

*Titulli i origjinalit: “Prore e kam thënë, fati është kumar”

Përktheu: Agron Tufa

——————–

Lexo edhe:

Agron Tufa: Anembanë zgafella e errët e diktaturës

ObserverKult