“Ju lutem mos më harroni po ika”: Kur Moikom Zeqo e pranoi fundin…

Amaneti, brengat dhe zhgënjimet e Moikom Zeqos nga klasa politike në Shqipëri. Publicisti Bedri Islami rrëfeu kohë më parë gjithçka nga miqësia 50-vjeçare me eruditin e ndjerë.

Nga: Lorena Resulaj

Figurat si Moikom Zeqo janë të papërsëritshme, ndaj dhimbja që lë pas humbja e tyre është e madhe. Eruditi i shquar krijoi miqësi të shumta gjatë jetës dhe kushdo që e njohu ndihet me fat që mësoi diçka prej tij. Një nga miqtë më të shtrenjtë të artistit dhe studiuesit të ndjerë, Bedri Islami, rrëfeu për “Shekulli”-n të gjithë rrugëtimin me të, që nga njohja para 50 viteve në kohën e universitetit dhe deri tek telefonata e fundit pak orë para se ai të ndahej përgjithmonë nga jeta.

Publicisti dhe shkrimtari tregon se Zeqo prej 2 javësh qëndronte i shtruar në spital dhe se e ndjente që kishte afruar fundi, ndërsa për gjithë miqtë e të afërmit e tij ndarja nga jeta erdhi e papritur.

“Ishte i sëmurë prej kohësh dhe 2-javëshin e fundit vuajti shumë dhe nuk lejonin askënd të futej brenda në spital. Unë e kam takuar para se të shtrohej, por dhe pardje kam folur me të në celular, ndaj na erdhi e papritur. Në orën 5 të mëngjesit më dërgoi bashkëshortja e tij një mesazh: ‘E paimagjinueshme! Moikomi na la’.

Ishte një sëmundje tepër e rëndë, nga e njëjta vdiq edhe Kiço Blushi. Menduam se do e kalonte dhe kësaj here. Nga zëri ishte i lodhur vërtetë, por pardje sikur linte amanetet, ‘ju lutem mos më harroni po ika’ – thoshte. Ai e pranoi fundin, ndërsa ne nuk donim ta pranonim. Ai la amanet që t’i bëheshin homazhe tek Muzeu Kombëtar ku punoi 9 vite, por nuk dëshironte nuanca politike…

Muzeu pranon të hapë sallën për homazhe, por pa qëndruar trupi i tij aty, sepse ai ka qenë kritik ndaj qeverive dhe ato hakmerren edhe pas vdekjes”, tregoi kohë më parë Bedri Islami për “Shekulli”-n.

Islami e përshkroi Moikom Zeqon si një njeri të jashtëzakonshëm, tepër punëtor dhe si një nga më të ndershmit që ka njohur në jetën e tij.

“Ai ka botuar mbi 100 vepra, ka qenë shumë punëtor. Që kur mori vesh për sëmundjen në Angli, e shtoi volumin e punës. Zakonisht Moikomi shkruante 6 faqe në ditë, pastaj lexonte 5-6 orë, për të shkruar të nesërmen 5-6 faqe të tjera.

Pas sëmundjes filloi ta sistemonte veprën e tij, ai mund të ketë tani në shtëpi 5-6 libra të pabotuar. Ishte sistematik, shumë i ndershëm në punën e tij, unë nuk kam njohur njeri aq të ndershëm në jetë.

Është shumë e çuditshme këta kanë qenë një grup studentësh si Sefedin Çela, Moikomi, Bashkim Koçi, Fatos Kongoli, Enver Kushi, që edhe në pluralizëm kishin poste, por ngelën të varfër, sepse ngelën të ndershëm. Shumë prej tyre ngelën idealistë, vizionar në perceptimin e botës dhe të panënshtruar nga qeveritë. Ai ishte ndër të paktët akademikë që iu kundërvu prishjes së Teatrit apo qeverisë së sotme, kur shumë të tjerë bënin kompromise.

Moikomi është pak të thuash njeri fisnik, ishte shumë më tepër se aq, ishte një njeri që ta jepte zemrën në dorë. Ishte një vlerë që nuk do përsëritet, fliste 11 gjuhë. Mbi të gjitha ishte njeri. Fliste për sëmundjen e tij, i tregonte të gjithëve, por jo me rënkim, me ankesa. Thoshte duhet të ruhem më tepër të kem më shumë kujdes.

E dinte që nuk do të jetonte shumë gjatë dhe shprehej ‘po punoj shumë, sepse nuk e di nëse do kem kohë t’i them të gjitha’”, rrëfeu për “Shekulli”-n Bedri Islami i trishtuar duke i treguar edhe bisedat e fundit në “Facebook” me mikun e tij të ndjerë.

Moikom Zeqo, “armiku” i qeverisë dhe pushtetarëve

Moikom Zeqo ka qenë një nga themeluesit e Partisë Socialiste së bashku me Bedri Islamin. Ky i fundit shprehet i keqardhur për reagimin e vakët të kryeministrit Edi Rama për ndarjen nga jeta të mikut të tij.

“U preka nga ngushëllimi i Edi Ramës, sepse një herë shkroi vetëm ‘Lamtumirë!’ E më pas shtoi ‘Lamtumirë Moikom!’. Ndërsa Basha pavarësisht se e ka pasur kundërshtar shkroi diçka më gjatë, sepse në fund të fundit është shenjë emancipimi. Ne ishim ndër themeluesit e Partisë Socialiste, ishim pjesë e kryesisë së parë të PS-së së bashku me Arta Daden, Namik Doklen, Ermelinda Meksin etj”, tha Islami për “Shekulli”-n.

Ai tregoi se Zeqo iku nga kjo botë mjaft i zhgënjyer nga klasa politike në Shqipëri. Bedri Islami tha se Moikomi besonte se vetëm brezi i ri mund ta bënte Shqipërinë dhe se situatën në Kosovë e shihte disi më shpresëdhënëse.

“Ai është formulues i tezës që kemi një klasë parapolitike. Ai ishte i bindur në mendimin e tij që kjo klasë politike nuk e bën dot Shqipërinë. Dhe mua kur shkruaja më thoshte ‘mos e kalo cakun e mbështetjes së një force politike, sepse nuk ja vlen’.

Kohët e fundit ai anoi pak nga Albin Kurti dhe u dëshpërua për rënien e qeverisë së tij. Ai e shikonte pak më ndryshe Kosovën. Në televizion dolën disa shqiptarë të Shqipërisë, që punonin në institucionet e rëndësishme në botë dhe thoshte këto janë shenja që Shqipëria është vitale, që shqiptarët janë të arsimuar dhe të aftë.

Ai shprehej vazhdimisht që duhet një brez i ri për ta bërë këtë vend, pa ngarkesa politike dhe të pavarur nga pushteti”, tha Bedri Islami.

I prekur nga mënyra se si funksionon i gjithë sistemi politik në Shqipëri, Islami thotë se Moikom Zeqo shihej si armik nga pushtetarët, sepse ata barazojnë gjithçka me zero para vlerës monetare.

“Ne kemi një Kuvend me 140 vetë dhe 120 prej tyre nuk kanë lexuar një libër të Moikomit dhe nga 140 as 110 nuk e meritojnë të jenë aty. Ata e dinë që Moikomi ishte kundërshtar i tyre, prandaj e trajtonin si armik, duke e përbuzur aftësinë, erudicionin, kulturën e tij, sepse ishin mësuar vetëm me ka para s’ka para. Moikomi ishte i varfër, bënte një jetë shumë normale dhe asnjëherë nuk pranonte që librat e tij të sponsorizoheshin nga të tjerë”, thotë publicisti i njohur.

Lidhja e fortë me Kosovën dhe Maqedoninë

“Moikomi përveç të tjerave ka pasur një lidhje shumë të fortë me shqiptarët e Kosovës dhe në Maqedoni. Ai ishte ndër mbështetësit kryesor të ideve dhe vizionit që kishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës në fillimet e saj dhe deri në fund. Ai është dekoruar 3 herë nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Kosovën e donte jashtëzakonisht shumë, me pasion, pa kushte.

Moikom Zeqon dhe Xhevahir Spahiun i prisnin në Kosovë si mbretër dhe i quanin poet kombëtar. Kur merrej vesh që Moikomi do të ishte në një promovim libri, njerëzit vinin me turma vetëm për ta takuar”, tregoi Bedri Islami për “Shekulli”-n.

Brengat dhe nderimet për Moikom Zeqon

Bedri Islami thotë se brenga më e madhe e Moikom Zeqos ishte trashëgimia kulturore, sidomos shkatërrimi i vlerave të mëdha në Shkodër, Durrës e Gjirokastër.

I pyetur nëse miqtë e tij do të bëjnë diçka për të nderuar figurën e të madhit Moikom Zeqo, ai shprehet se do t’i propozojnë kryetarit të Bashkisë së Tiranës që një nga rrugët në Tiranë të marrë emrin e tij, ose një shkollë, ose një pjesë apo degë e Fakultetit të Filologjisë.


Lexo edhe:

MOIKOM ZEQO: KUR JAM KREJT VETËM

ObserverKult