Julio Cortázar: Kur je në mua nata hap gjoksin…

Julio Cortázar
Julio Florencio Cortázar (26 gusht 1914 – 12 shkurt 1984)

Poezi nga Julio Cortázar

Je mirëseardhja,
guri fillimtar i gëzimit,
vallëzimi i përhumbur i statujave
që zogjtë e dëgjojnë e hallakaten.
Kur në kofshën tënde
të trëndafiltë dhëmbët çlirohen
në mesditën e parë të tokës,
të thuash emrin tënd
është shija e shegës.
Zemra jote sajon harta
të ngjyrosura,
në sytë e tu
varur globet e së dielës
Kur je në mua nata hap gjoksin,
gjaku i yjeve bie në flokët e tu,
në emrin tënd, forcën tënde.
Kjo etje e pafund të të pi, shteruese,
çisternë gëzimi,
shkapërderdh britmën
ku buzët mbyten në jerm.
Kush e shpiku të ardhmen,
makinën e saj të kripës,
trëndafilin e saj të zbrazët.
Kjo lëkurë qepallash
më ndan nga bota,veç, ti je në të
dhe nga brenda jeton.

Ujdisi shqip Rielna Paja

ObserverKult

Lexo edhe:

JULIO CORTÁZAR: PO SI MUND TË ZGJEDHËSH NË DASHURI?

Ka shumë njerëz që thonë se dashuri është të zgjedhësh një grua dhe të martohesh me të. Dhe ka nga ata që vërtet e zgjedhin atë, të betohem, i kam parë.

Po si mund të zgjedhësh në dashuri, kur ajo, dashuria, është një rrufe që të dërrmon kockat dhe të lë mbërthyer në mes të sheshit?

Do të thuash që e zgjedhim sepse e duam. Por unë besoj të kundërtën. As Beatriçja, as Zhuljeta nuk zgjidhen. A thua shiun që të futet deri në kockë, kur del nga koncerti, e zgjedh ti?

Përktheu: Bajram Karabolli

ObserverKult