Kadare: Është e pamundur të merresh me letërsi dhe të mos mendosh për ferrin

ismail kadare
Ismail Kadare

Nga Ismail Kadare

Në kërkim të një strukture të ferrit.
Është e pamundur të merresh me letërsi dhe të mos mendosh për skëterrën. E përfytyruar fizikisht, ndonëse është më e vjetër se të gjithë qytetet dhe ngrehinat e botës, skëterra, megjithatë, në krahasim me lëvizjen e akullnajave, shkretëtirizimin e Saharës e të tjera ngjarje si këto, është mjaft e re. Kur mendojmë se ajo është diçka më e vjetër se piramidat, na duket vërtet tepër e afërt, gati e prekshme dhe e kërkueshme arkeologjikisht.

Në të vërtetë asnjë arkitekturë, urbanistikë ose projekt kanalizimesh e punimesh të tjera madhështore nuk e ka pasuruar globin nëntokësor se sa kjo kontre e padukshme që nuk figuron në asnjë hartë. Duke mos i përkitur asnjë shteti, ajo është megjithatë “Shtëpia jonë e të gjithëve”. Por ajo ka qenë dhe është më shumë se kaq. Ajo ka lidhje me ndërgjegjen njerëzore, me brerjen e saj, me ngushëllimin, shpagimin, tmerrin, ligjet.
Si gjithë ngrehinat ajo ka evoluar gjatë shekujve. Ndryshe ka qenë te sumerët dhe egjiptianët, ndryshe te grekët e vjetër e ndryshe në mesjetën e hershme e gjer në ditët tona.

Te grekët ferri i ngjante një ngrehine të madhe nëntokësore, ku përfundonin të gjithë: të mirë e të liq. Më pas ashtu siç shtohen dy kate të bodrumit, ferrit grek iu shtuan purgatori e parajsa. Këto shtesa ku do të strehoheshin një pjesë e të vdekurve, me fjalë të tjera, ky diferencim i solli një ndryshim thelbësor Hadesit të dikurshëm grek.

Dante Aligieri ishte aq gjenial saqë përftimi disi skematik e moralizues i Evropës së krishterë për skëterrën i shkaktoi atij dëmtimin më të paktë të mundshëm. Në të vërtetë përfytyrimi i grekëve të vjetër për mbretërinë e hijeve ka qenë i zhveshur nga çdo klishe, kurse më pas kultura e krishterë evropiane si dhe ajo islamike duke e skematizuar, e kanë varfëruar këtë bodrum të njerëzimit. Kështu ndoshta shpjegohet që pas Dantes rrallëherë shkrimtarët e mëdhenj iu kthyen asaj.

Në shekullin tonë, u duk sikur rrokaqiejt sa ç’tregonin dëshirën e njerëzimit për t’u shkëputur përfundimisht nga bodrumet e tij të errëta, po aq dëshmonin fuqinë tërheqëse të gropës.

Në të vërtetë, joshja e themeleve nisi të ndihej përsëri e fuqishme. Kampet e përqendrimit me ndarjet, rregullat e shkallëzimit të fatalitetit, zyrat e pafundme burokratike, fushat e të interuarve politikë në Lindje, garazhet e makinave në Perendim, ku gjëja e parë që ndodh kur zbret është humbja e orientimit të botës së sipërme, së fundit metrotë, me tualetet e ftohta, të zhveshura, plot me grafiti politike ose homoseksualësh, e bënin të afërt praninë e skëterrës.


Dhe ajo nisi prapë të shfaqet aty-këtu në faqet e librave.
Kishte kohë që më joshte projektimi i një skëterre. E dija që ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur që pas arkitektëve të mëdhenj të gjertanishëm, anonimëve egjiptianë, Homerit, shën Agustinit, Dantes, të krijoja një projekt origjinal. Ndaj kur nisa të shkruaj “Nëpunësin e Pallatit të Ëndrrave”, ose më saktë, kur isha duke menduar kapitujt e mesit, me një hare e frikë njëkohësisht, pashë se pa dashur po realizoja ëndrrën e vjetër: në të gjitha strukturat e romanit tim, si një plan i dytë spikaste skëterra.

Sa më shumë e mendoja, aq më i qartë më bëhej: ishte një lloj mbretërie e vdekjes, ku në mos ne vetë, ishte gjumi dhe ëndrrat tona, pra, një pjesë e jonë që gjendej ndërkaq matanë, në kohën që ne ndodheshim këtej. Të gjitha elementet e ferrit të grekëve të vjetër ishin aty: terri, squllosja e trishtë e gjithçkaje, ngrirja e kohërave, ecja e tyre mbrapsht, mbetja në vend.

Ishin aty makthet, përpëlitjet e ndërgjegjes, mungesa e shpresës. Por sidomos ishte një lloj shkallëzimi administrativ, sektorët nëpër të cilët kalonin, shoshiteshin e interpretoheshin ëndrrat, që e afronte edhe më shumë ngrehinën e Pallatit të Ëndrrave me strukturën e mëvonshme të ferrit dantesk. Pastaj ëndërrpërçuesit, (çdo ferr ka patur gjithmonë korrierët e vet që e mbushin), si edhe arkivi me dosjet e pafundme, ku qe regjistruar gjithçka e afronin atë me të gjitha ngrehinat infernale.

Midis kësaj mbretërie të hijes, kisha menduar një ndërprerje, një ditë pushimi, të nëpunësit të Pallatit të Ëndrrave, kur ai për herë të parë merrte lejen për të dalë prapë në jetën e gjallë të përditshme, që e ka braktisur për shkak të kësaj nëpunësie të zymtë. Duke mos qenë as purgator, aq më pak parajsë, kjo hapësirë e shqyer sipër errësirës t’i kujtonte megjithatë ato. Por ndryshe nga ferri dantesk ajo nuk ishte as shpëtim, as ngushëllim e as lumturi. Përkundrazi ishte një ditë zhgënjimi të plotë. Nëpunësit, bota i duket e zbehtë dhe vendos të mos dalë më në qytet.

Kisha projektuar kështu pa dashur një skicë skëterre, që sa ngjante aq edhe nuk ngjante me skicat e mëparshme. Por pas gëzimit të parë për këtë pata idenë e lumtur që të kem frikë dhe kujdes. Kujdes që, i joshur pas kësaj, të mos e theksoj artificialisht ngjashmërinë me ferrin. Nuk ishte e lehtë për mua ta shmang miklimin.


Ditë më radhë luftova me mëdyshjet, gjersa më në fund, vendosa që të mos lëviz agjë nga projekti i parë i veprës. Ishte një trill i krijuesit pë të provuar së brendshmi, përpara ndërgjegjes së vet, origjinalitetin e veprës së tij? Aspak. Ishte më tepër mendimi i ftohtë se, sado i kujdeshëm të tregohesha, vepra do të dëmtohej nga çdo modifikim. Veç kësaj një ngjashmëri e vështirë për t’u kapur, më ngjante më e shtrenjtë, siç qëllon që të duket ashtu një dashuri e fituar vështirshëm.

( Fragment i shkëputur nga libri “Ftesë në studio”, Rilindja, Prishtinë,1990)

ObserverKult


Lexo edhe:

ISMAIL KADARE: PELLGU ËSHTË THARË