Kapela e dëshirës, mirazhi erotik i Dastid Milukës

Dy fjalë per ekspozitën ”Le désir” ( Dëshira”) e hapur në Paris nga piktori Dastid Miluka

Nga: Fulvia Dollmeni Shtepani

Ahhh, Dëshira, ky subjekt i përjetshëm i artit që gjithnjë ka patur vendin qëndror në krijimtarinë artistike. Por si shfaqet dëshira në vizatim dhe në pikturë?

Kjo ekspozite që unë do ta quaja “Kapela e dëshirës”, shkakton për shikuesin një « shok » sensitiv  në procesin e stimulimit   dhe ndërmjetësimit emocional, pasi ndjehemi totalisht nën pushtetin e një obsesioni afektiv, që ka të bëjë me vlerat hedonistike lidhur me ndjeshmërinë tonë për sublimen dhe magjepsjen, duke u përfshirë e gjitha në një odise të vetme sensoriale e retorike,  krijuar dashurisht nga autori i saj Dastid Miluka.

Pas vizitës reale (dhe virtuale) në këtë vend kulti, në këtë arqipelag të ndjesive të dëshirës dhe të kënaqësisë, nën vështrimin e vëmëndshëm të atij që e kundron, ne mund të gjejmë pak a shumë përgjigjet e pyetjes së mëparshme dhe të deshifrojmë krijimin e dëshirës në gjirin e kësaj ekspozite..

Me tablotë e tij të mrekullueshme, artisti provon se eshte kthyer në një admirues të bukurisë femërore dhe i shfaqjes vizuale të shumëpushtetëshmërisë që ka trupi femëror,  duke përfshirë këtu edhe identitetin artistik që  sugjeron kjo e fundit. Njeriu ështe gdhendur përmes një egzistence të limituar, ai është një krijesë e dëshirës. Subjektet e prezantuara, qofshin nudo apo portrete, na çojnë në intimen, brishtësinë komplekse të sensualitetit. Ato manifestojnë një forcë të madhe poetike dhe ruajnë një karakter rilindës kënaqësie e dëshire, duke përjashtuar  me elegance tensionet e pakuptueshme dhe të egzagjeruara midis nudos dhe nuditetit. Në këto tablo gruaja është parë si një qenie e veçantë dhe rrjedhimisht të gjitha elemetet e lidhura me të, që trajtojnë subjektet e dëshirës, të kënaqësisë, seksualitetit apo të dashurisë në aspektin më epshor, evokojnë një lloj erotizmi të ngjizur në universin piktural.

Një perandori kënaqësie shqisash merr formë gjatë kundrimit të trupave e portreteve, duke na dhënë imazhin e pastërtisë, hijeshisë, elegancës dhe dashurisë sensuale. Në ansamblin e veprave të paraqitura, artisti ka ditur të marrë në konsiderate, në kozmosferën e punës së tij, lidhjen delikate që ekziston midis nuditetit, portretit dhe rolit të subjekteve: “Nuditeti ekspozon një rol që nuk është ai i subjektit”, “Portreti nuk e pranon nuditetin sepse ai zbulon atë të subjektit, një lloj tjetër nuditeti intim që nënkupton   fshehtësinë e evidentimit  e fshehtë të subjektit.” (Jean-Luc Nancy, Le regard du portrait, Paris, éd. Galilée, 2000).

Nudo” është themeli i nevojshëm i të gjitha arteve të vizatimit » (E. Bersot). “Gjurma e asaj që ne quajmë delikatesa e bukurisë greke e nudos i shket nganjëherë  veprave të disa piktorëve   që e transformojnë atë në një gjurmë  ngurtësie apo shtrëmbërimi (Mme. L. Colet). Në këtë ekspozitë, kjo gjurmë delikate  e bukurisë së nudos rigjen gjithë shkëlqimet e saj, pasi ajo na shfaqet si një motiv autonom që nuk i nënshtrohet kontekstit dhe preteksit, duke u sublimuar nga një emancipim i befasues.

Një vektor i rëndësishëm i këtij prezatimi të dëshirës duket se është erotizmi. Veprat e kësaj Kapele dëshire na zhysin ne vorbullën e një vizioni që integron dimensionin fizik të trupit,     njëkohësisht në aspektin realist dhe në fantazmat që mund të zgjohen prej tij. Erotizmi është një mirazh, ai na çon gjetkë. Eshtë i veçantë tek secili nga ne, dhe kushdo reagon sipas personalitetit  të tij  përballë  erotizmit. Nudo, në vetvete është erotike .

Duke folur për dëshirën dhe erotizmin në raport me nudon, Claire Maingon shkruan: “Gjithnjë ka pak nuditet tek nudo dhe pak nudo në nuditet”. Sipas saj ka dy mënyra për ta kuptuar paraqitjen e dëshirës, ose në prizmin e ideales, ose  në prizmin erotik. Personalisht mendoj se këtu artisti ka zgjedhur  mënyrën e dytë.

Paleta e ngjyrave të përdorura, që na kujton ngjashmërinë me atë të piktorit të famshëm Takashi Murakami, përforcon onirizmin e personazheve, bukurinë e tyre ferike, duke përcjellë kështu thelbin e sharmeve të tyre efemere, të pakapshme dhe proteiforme, të mbeshtjella  nga një  tis dinjitoz  plot pastërti  dhe hire.

Më lejoni që personazhet ti quaj “Venuset” e Dastidit. Më ngjan se ato jetojnë  në një realitet të pazakonte, në një atmosferë të ngjashme me atë të njëmijë e një netëve. Ato janë të veshura me një bukuri të veçanë, atë çka i jep një gruaje pamjen madhështore të lirisë. Ato janë të gëzuara, delikate, të përkujdesshme, të shpenguara, krenare, moskokëçarëse, plot finesë, gazmore, ëndërrimtare. Ato proklamojnë jetën, pasi jeta është një lule e magjishme, është festa më e bukur që mund të jetojmë.

Koherenca vizuale, drita, tekstura, kontrastet e ngjyrave, lëvizja, këndvështrimi, trajtimi i hapësirave, gjendja e përkohëshme dhe e çastit, afeksioni që artisti u huazon këtyre grave si objekte, dëshmon se  i konsideron ato si trashëgmtare të vështrimit të parë jetësor. (Kheira Chakor).

Raporti i veçantë që shikimi ynë vendos në mënyrë enigmatike me funksionin e tablove gjatë kundrimit, ka të bëjë me vështrimin që artisti kërkon t’i imponojë vizitorëve, një lloj « pasiviteti » i favorshëm  për të inkurajuar pjesmarrjen « aktive » të spektatorit.

Të flasësh për nudon në pikturë , edhe pasi ke vështruar me shumë se njëherë këto vepra, nuk është e lehtë. Ai, që përballë veprës së artit nuk ka as autoritetin e një eksperti, as njohuritë e një kritiku apo dijen e një historiani arti, nuk do ta shpjegonte lehtë magjinë apo fanitjen e ushtruar nga « shiu i penelit », kësaj veçantie dalluese të artistit. Sipas S. Freud (Një kujtim fëmijërie i Leonard de Vinci), është e pamundur të zbulosh dinamikën e fshehtë të shpirtit të artistit; ajo  në mënyrë të pavetëdijshme,  është origjina e shprehisë së krijimeve të tij.

Përkundrazi, sensualiteti i sugjeruar në tablotë e evokuara më sipër, gjen një  eko te thelle, duke na zbuluar nje aspekt të paparashikuar të dëshirës si motori përcaktues i motivacioneve   njerëzore të erotizimit imagjinativ të trupit. « Çdo art është erotik ». Kjo thënie e Adolph Loos që hap librin mbi Gustav Klimt (La Philosophie, la sexualité et le Désir chez Gustav Klimt), është ilustruar  më së miri,  në veprat e Dastid  Milukës.

Artisti e popullon universin e tij të femrave fantazmagorike, epshndjellëse, perfekte  apo me difektet e tyre të mrekullueshme, të pakapshme, tërheqëse, të paqta dhe jashtë kohës. Pozicioni i tyre i shtrirë, flokët e zbukuruara, ndonjëherë me objekte të tjera mitike, vështrimi  pyetës i femrës në plan të parë,  janë thellësitë erotike dhe të dëshirueshme, ato na japin një vizion realist të dëshirës dhe të ndarjes bashkarisht të kënaqësisë. Ngjyra e kuqe në faqe, mbi buzë, pranë zemrës, fytyrat me njolla të ngjyrosura që tregojnë gjendjet shpirtërore të personazheve, që përshkohen ka shume gjasë, nga një evokim i mundshëm i kënaqësisë fizike  të tyre, janë një revendikim i dëshirës, dhe dëshmojnë për një seksualitet të afirmuar dhe të çliruar nga pa ndjesija e fajit.

Pasqyrë e metamorfozës së shijes, trupi nudo shpreh më së miri,  gjithshka që ne lakmojmë, dhe gjithçka që ne i trëmbemi. Si rrjedhojë, mund të konfirmojmë që nudoja  ka  funksionin( figurativ) e një gremine në të cilën spektatori  duhet të  përballet me  gjashmërinë apo pangjashmërinë e tij me modelin e ekspozuar, sado e thjeshte apo e  ndërlikuar qoftë ajo. Nudo, nxjerr në dritë gjithshka, e shfaq atë që fshihet. Nënvizon frustrimet. Bën të fërfëlloj  dëshirën. Nudoja  detyron menjëherë përballjen tonë me veprën e artit, në voluptetin kompleks të vështrimit tonë. Duke kërkuar thelbesoren që shfaqin këto tablo, kuptojmë se jemi perballë një « materje » të ushqyer po aq nga ana mendore sesa nga ana trupore.

Përmes kësaj ekspozite, shprehje pak a shumë e maskuar  e erotizmit dhe sensualitetit, autori na zbulon procesin e tij  të krijimit artistik, duke tentuar të kuptoj dhe interpretoj dëshirën e qenies njerëzore, në brendësi  dhe përtej saj, pasi arti bën të mundur atë çka jeta shkatërron.

Procesi krijues  i autorit ,është i lidhur në mënyrë intime me fytyrën dhe trupin e gruas. Realizimi i  veprave ngjizet dhe shkrihet në atë që është më sensoriale, më sensuale, më trupore : janë dëshirat e fuzionit, dëshirat e ndjesive,  dëshirat e kënaqësisë së gjithëpushtetshme, që dëshmojnë mbi lëvrimin e palodhshëm të punës në aspektin psiqik, në aspektin  e të imagjinuarit  e të krijimit mendor, të lidhjes, të paraqitjes,  si dhe punës në aspektin  e simbolizimit.

Krijimi artistik i lësaj « Kapele të dëshirës” integron në aspektin sensorial atë çka është  më domethënëse, trupin dhe mendimin, modernitetin dhe prezantimin e tij, duke qëndruar kështu  në kufijtë e psikizmit. Nudot dhe portretet e tij na japin përshtypjen se personi që ka pushtetin është femra.

Nudot e ekspozitës nuk përfshihen në një konteks kohor, as narativ. Erosi i përket të gjitha kohëve, të gjitha epokave, ai i shpëton  çdo lloj konteksti. « Eros energoumenos » është energjia vitale, deliri hyjnor, një dhunti e fjalës magjike, sepse jeta së pari përçohet përmes trupit.

Portretet dhe nudot në këto vepra arti, manifestohen si rezultat i mekanizmave të projeksionit dhe integrimit, të elementeve psikike dhe aspekteve trupore. Autori i « Dëshirës » na çon saktësisht në thelb te krijimit piktural, atje ku zonat midis trupit dhe mendimit, brënda dhe jashtë, dëshirave të fshehura dhe atyre të dukshme, janë ende flu.

Mishërimi i nudove femërore shndërohet kështu  në një lloj metafore trupore: trupi real, trupi imagjinar, trupi fantazmagorik, trupi total apo i pjesshëm, trupi pulsion, trupi dëshirues dhe i dëshiruar. « Zbukurojeni, zbukurojeni », përsëriste papushim Renoir në lidhje me krijimin piktural. Dhe këtu konstatoj me kënaqësi  se artisti ndjek përsosshmërisht këshillën e Renoir. Mjafton të përmendim portretet dhe disa nga nudot e tij, duke përfshirë edhe  triptikun e tri femrave, nuditeti i të cilave është pikërisht një alegori e bukurisë dhe e delikatesës,  pa asnjë lidhje me seksualitetin.

Nuditeti femëror nuk është vetëm objekt i fantazmave të artisit. Ai  mund të shihet si një shprehje alegorike e një farë orgazme shpirtërore dhe erotike,  përzier me dëshirën e tij për të pikturuar apo fiksuar në kohë, një ëndërr bukurie. Statuti shumëvlerësh i këtyre femrave të paraqitura në tablo, hijeshia e delikatesa e trajtimit të tyre, mëshiron më së shpeshti bindjet artistike të autorit, triumfin e ndjeshmërisë  së tij reale dhe imagjinare, duke ditur të shkëpusi me intuitë dhe inteligjencë,  disa vizione nga instinkti krijues i kapjes së imazheve duke i përvetësuar ato.

Nën përkëdheljet e penelit të tij, mëkuar me vështrimin e tij admirues, femrat në këto tablo na shfaqen të pavarura dhe thellesisht të ndërgjegjshme për shkallën sipërore të bukurisë së tyre të përsosur. Me një vështrim lumturie dhe ëndërruese, ngjyer nganjëherë me nota narcisizmi në portretet e tyre, në forma trupore të brishta apo voluptive, elegante dhe sensuale, krijimet e Dastid Milukës mishërojnë jo vetëm bukurinë, sensualitetin, feminitetin po  gjithashtu, njëkohësisht edhe modernitetin.

Ato nuk janë vepra të heshtura, sepse nuk janë vetëm të bukura. “E bukura nuk përfaqëson asgjë.” (Rodin). Para se të erotizohet, trupi fillimthi është objekti i një pështjelljeje shpirtëriore dhe mendore, që duhet ditur ta zotërosh dhe ta duash me gjithë diversitetin e tij, gjë që artisti e ka arritur me sukses.

Për të përfunduar do doja të thoja dy fjalë për  aurën muzikale në ekspozitën « Dëshira ». Tinguj imagjinarë e hyjnorë, gjallojnë në heshtje nga kjo kapelë e dëshirës. Nuk ka art pa një qëllim poetik. Piktura shquhet për disa lloje sensacionesh të veçanta që rezultojnë, nga  mbresat  emocionale të frymëzuara nga gërshetimi i  linjave,  formave, ngjyrave,  ditës, hijes, etj..Në këtë optikë ekspozita, « Dëshira » transformon heshtjen e kundrimit në një ngazëllim shumëshqisor,  me një energji jetësore shpërthyese,  ku efekti « terapëtik » i lumturisë, bie si një  shi  magjepsje dhe kënaqësie mbi vizitorët.

ObserverKult

——————————————–

Lexo edhe:


EKSPOZITË NË OBSERVERKULT: ISMANE MEHDI, PIKTORE (FOTO)