Poezi nga Dritëro Agolli
Kafeneja e vjetër
Sa shumë patëm njohur ,
Sa shumë mbyllën sytë e vanë!…
Këtu dikur në kafenenë e vjetër
Me banakierin plak Banush Ademin
Kalonin ditët tryezave poetët
Dhe thashethemet gotave kërcenin.
Këtu Ali Asllani pinte kafe
Lëkurëbutë, i butë e para grave ,
Me Milto Sotir Gurrën me mustaqe
Të mbetur me një dhëmb si çelës brave.
Këtu Lasgushi fliste për planetin ,
Për yjet që mes qiellit hidhnin valle;
Në qoshe Petro Markua me Shevqetin
Mëri i mbanin botës plot me halle .
Këtu Skënder Luarasi zemërohej
Dhe nëmte tiraninë e puthadorët,
Kollitej Aleks Çaçi dhe mundohej
Në varg për varfanjakët dhe të gjorët.
Këtu ne vinim shpesh si karabushët ,
Çunakër të paqethur nga berberi ,
Ali Asllanët , Çeçot dhe Lasgushët
Na dukeshin gjigandër si Homeri .
Këtu zhurmonin bardët dhe poetët
Dhe zjente e padukshme poezia ;
Si një puhizë e largët nëpër fletët
I frynte shpirtrat smira dhe zilia .
Këtu mes tymit shkelte këmbë e kohës
Dhe s’dinte kafeneja jonë e mirë ,
Se ne çunakët ngriheshim ndaj botës
Në rebelim si djaj me shtatë brirë.
Këtu në tym mes dritave të pakta
Filluam ne ta shkundnim poezinë
Dhe duke hedhur vargjet si granata
E çmendëm dhe Lasgushin dhe Alinë.
Po zhurmat u larguan nga kjo botë,
Me pluhur koha gjurmë e gota mbushi ,
Veç kafeneja shpesh kujton e thotë:
“ Këtu ish Dritëroi , atje Lasgushi .”
29 tetor 1996
(Shkëputur nga libri me poezi “Fletorka e mesnatës, 1998)
ObserverKult
Lexo edhe:
DRITËRO AGOLLI: MË PRIT SE NJË DITË DO TË VIJ
DRITËRO AGOLLI DHE MOIKOM ZEQO, “DIALOG (KOLOSËSH) PËR POEZINË DHE ARTIN”